Banka e Shqipërisë në deklaratën e detajuar të stabilitetit financiar, që pritet të publikohet e plotë sot, për 6 mujorin e parë të vitit ka konkluduar se gjendja dhe ecuria e sistemit bankar dhe sistemit financiar u paraqit e qëndrueshme. Sipas deklaratës se detajuar vëllimi i aktivitetit të saj është zgjeruar dhe performanca financiare është përmirësuar.
Duke u ndalur në treguesit kryesor raporti vë theksin te cilësia e portofolit të kredisë që mbetet me shqetësuese, ndonëse vlerat e raportit të kredive me probleme paraqiten të stabilizuara në vitin e fundit dhe kredia me probleme është tkurrur gjatë kësaj periudhe. Gjithsesi Banka e Shqipërisë vëren se mbulimi me provigjione dhe kolateralizimi i kredisë me probleme është përmirësuar. Analiza e Bankës qëndrore konkludon se ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve të tregut dhe të likuiditetit mbetet i kufizuar por kërkon ndjekje të kujdesshme.
Në analizën e detajuar deklarata thekson se në tregjet financiare vihet re një ulje e normave të interesit për shkak të politikës stimuluese të Bankës qendrore dhe për pasojë janë ulur normat e interesit të letrave me vlerë të qeverisë, depozitave dhe në tregun ndërbankar(veprimet mes bankave). Kursi i këmbimit është paraqitur i qëndrueshëm. Në fund të qershorit 2014 aktivet e sistemit bankar arritën në 1,253 miliardë lekë duke u zgjeruar me 4.1 për qind.
Kreditë me probleme shënuan 24.1 për qind ku pjesën kryesore e zënë kreditë me probleme në valutë(27.3 %) me një rritje 0.8 %. Depozitat kanë arritur në 1,038 miliardë lekë me një rritje 3 për qind. Në nivel sektori vihet re një rezultat financiar pozitiv me një fitim neto prej 5.4 miliardë lekë në krahasim me 1.5 miliardë lekë të një viti më parë.
