SHËNIM: Lotë, por jo vetëm…

redaktor

Lotët e zonjës Bregu fill pas fjalimit apokaliptik të Berishës në Kuvendin e fundit të PD-së, duket se do futen e do zënë vend mirë në historinë e politikës shqiptare, duke u interpretuar e komentuar sipas rastit. Pas shpjegimit që vetë ajo u bëri atyre, duke i shenjtëruar në bazë të logjikës së privatësisë, ka qenë sërish politikani i mbetur në tentativë – por analist i afirmuar – Mark Marku, që u ka bërë një përkthim politik plot përfundime trishtuese mbi PD-në dhe lidershipin e saj. E meqë është fjala për lotë, të cilat, kur janë në kontekste politike të çojnë direkt e tek ato ditë të Prillit `95, po përcjellim disa fragmente nga një prozë brilante e Ylljet Aliçkës, titulluar: ‘Tri raporte të ndërmarrjes N. mbi dhembjen e njerëzve nga vdekja e Komandantit’. Më pas, secili është i lirë t`i përjetojë si të dojë kumtet artistike të saj, duke i vendosur në realitetin ku jetojmë, ku “lotët” në politikë, jo vetëm që nuk janë tharë, por ato vijojnë të rrjedhin çurg e të ndrisin si margaritarë, për çudi, në skalionet e ashtëquajtura të së djathtës. Ndryshimi është se nëse dje, ato i referoheshin një vdekjeje fizike, sot i referohen një vdekjeje politike, ngjashëm si tek ‘Radiostacioni’: “Qaj Ma…kbule qaj, thonë se lehtësohesh” (Kadare).   Por ja se ç`përcjell Aliçkaj:

“….Ndërkaq, kolektivi ynë po e shprehte dhembjen me një shumëllojshmëri qarjesh e sjelljesh. Të parës i ra të fikët F.M., e cila kaloi në një gjendje histerie. Kurse zv.sekretarja e Partisë P.K., e dalluar për militantizmin e saj politik, u shtri në tokë dhe filloi të shkulte leshrat e gjata.

Ajo u pasua menjëherë nga komunistja e flaktë L.M., e cila nuk i shkuli flokët e saj kaçurrel, por u shtri gjatë e gjerë në dysheme dhe filloi t`i binte kokës me grushte…

…ky reagim dinjitoz i tyre u bë burim kukurisjeje nga dy-tri vajza të reja, që i mbushën gjithsesi sytë me lot.

Fotografi V.K. qau si burrat, por nuk lëshoi asnjë ofshamë gjatë gjithë kohës. ……dukej sikur thoshte: “Burri nuk qan dhe e mban dhimbjen. Por, në këtë rast, me gjithë përpjekjet e mija, ju po e shihni vëllezër, nuk mundem ta respektoj këtë zakon të lashtë të shqiptarit. Dhembje e tillë nuk pyetkërka për zakone burrërore: Lotët iu bindkan veç gjëmës”.

S.M, nxorri shaminë dhe fshinte lotët duke parë sa majtas-djathtas, sikur druante mos e ruante njeri”.

Marrë nga antologjia ‘Shqipëria kujton’, përgatitur nga Ardian Klosi & Elsa Demo

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *