Kosovë, progres – raporti jep vlerësime pozitive

redaktor

Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar pas një takimi me Presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga dhe kryeministrit në largim Hashim Thaçi u ka dorëzuar atyre raportin e progresit. Samuel Zbogar, ka vlerësuar se Raporti i Progresit në përgjithësi është pozitiv dhe vlerëson mbylljen e suksesshme të procesit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Gjithashtu, ai e vlerëson përparimin e deritanishëm në adresimin e kritereve për liberalizim të vizave dhe bashkëpunimin me EULEX-in.

Por njëkohësisht autoritetet në Kosovë janë kritikuar për “dështimin në konstituimin e Parlamentin të ri me kohë”, duke e cilësuar këtë si një “kthim prapa”. Si presidentja edhe kryeministri në largim Thaçi e kanë mirëpritur raportin. Jahjaga në deklaratën e saj ka thënë se Kosova mbetet e përkushtuar që sfidat e identifikuara të adresohen me seriozitetin më të lartë nga të gjitha institucionet e Kosovës si dhe institucionet e reja me urgjencë duhet të jetësojnë përkushtimin për reforma dhe të adresojnë mangësitë e identifikuara në Raportin e fundit të progresit. Ndërkaq, kryeministri në largim Hashim Thaçi ka shprehur në llogarinë e tij në Facebook se, “Raporti paraqet një reflektim real të një viti intensiv dhe konfirmon sukseset në procesin e përmbushjeve të kushteve për nënshkrim të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe procesin e liberalizimi të vizave”.

Thaçi ka rikujtuar dy suksese të Kosovës gjatë një viti, që sipas tij janë zgjedhjet e organizuara mirë dhe dialogu me Serbinë për normalizimin e raporteve ndër-shtetërore. Nga ana tjetër sipas ekspertëve të çështjeve të integrimit europian raporti ka vetëm një pjesë pozitive dhe kjo ka të bëjë ne organizimin e zgjedhjeve të suksesshme dhe dialogun me Serbinë dhe sfida mbeten tejkalimi i krizës politike për formimin e institucioneve të reja dhe në fushën e sundimit të ligjit. Sipas analistëve, Kosova nuk ka dhënë rezultate në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Edhe sistemi gjyqësor, konsiderohet se nuk është i pavarur dhe funksional, çka edhe është adresuar në raportin e progresit.

“Qeveria e re duhet të fillojë një gamë të gjerë reformash gjithëpërfshirëse, posaçërisht reformën zgjedhore dhe atë të administratës publike. Qytetarët e Kosovës presin të kenë qasje në media të lira dhe që nuk do të përballen me diskriminim pavarësisht nga përkatësia e tyre fetare a etnike. Për të pasur sukses, Kosovës i duhet një qeveri, jo vetëm e orientuar drejt reformave, por e cila po ashtu do të mbështesë bisedimet me Serbinë dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura jo vetëm në të mirë të Kosovës dhe Serbisë, por edhe gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor”, thuhet në raport.

Në të është përmendur edhe çështja e liberalizimit të vizave në zonën Schengen për qytetarët e Kosovës,dhe ndonëse vlerësohen përparimet në dialogun e zhvilluar në këtë drejtim, nga autoritetet është kërkuar të dëshmojnë “rezultatet praktike në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe të zhvillojnë më tej pavarësinë e sistemit të drejtësisë”.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *