Përpara ndeshjes me Portugalinë, Shkëlzen Gashi ishte padyshim lojtari më në formë i kombëtares shqiptare, teksa me golat e tij udhëhiqte Bazelin në krye të renditjes. Megjithatë për probleme fizike, Gashi nuk luajti dot asnjë minutë në fitoren historike, dhe mesa duket këto probleme fizike vazhdojnë.
Problemet me aduktorët (muskuj të kofshës) kanë bërë që Gashi të humbasë shumicën e ndeshjeve të Bazelit në muajin shtator, sigurisht duke mos e ndihmuar dot skuadrën që tashmë i ka lënë vendin e parë Zyrihut. Gashi i mungoi skuadrës dhe në sfidën me Real Madrid në Champions League, dhe tashmë vjen dhe mungesa e radhës, teksa ai është tërhequr nga dy ndeshjet kualifikuese të Shqipërisë me Danimarkën dhe Serbinë. Gashi do të qëndrojë në Zvicër për tu trajtuar për problemet muskulore, dhe pritet të qëndrojë 10 ditë jashtë fushave, teksa Gianni de Biasi duhet të bëjë sërish llogaritë pa golashënuesin më të mirë shqiptar të vitit të fundit.
