Prokuroria e Elbasanit kërkoi në pretencë gjatë seancës së djeshme gjyqësore, 35 vjet burgim për të pandehurin Eno Eshja, 35-vjeçarin e akuzuar për veprën penale të “marrëdhënieve seksuale me të mitur”.
Tashmë i arrestuar prej një viti, Eshja akuzohet për kryerje të marrëdhënieve seksuale me mbesën e tij 13-vjeçare, vajza e motrës, në shtator të 2013-ës në fshatin Serres të Selanikut, në Greqi. I dyshuari kishte shkuar për emigracion ekonomik tek familja e motrës, por përfitoi nga rrethanat e krijuara dhe abuzoi seksualisht me mbesën e tij. Vetë Eshja ka mohuar akuzat gjatë procesit gjyqësor, duke i quajtur sajesa të familjes së motrës dhe mbesës për qëllime hakmarrjeje.
Por sipas prokurorisë që lexoi dje edhe pretencën, dosja e postuar nga drejtësia greke përmban ekspertizën mjeko-ligjore, fotografi, shpjegime dhe dëshmi të vajzës për ditën e ngjarjes.
Sipas organit të akuzës, në bazë të hetimeve ka rezultuar se i akuzuari ka përfituar nga fakti që ka qenë vetëm me të afërmen e tij të mitur në shtëpi dhe ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë, duke e kërcënuar edhe me jetë nëse tregonte.
Këto fakte janë provuar edhe nga aktet e ekspertimit përkatës, të realizuara në kuadër të këtij hetimi. Menjëherë pas ngjarjes, familjarët e vajzës kanë bërë kallëzim pranë autoriteteve greke në zonën ku jetojnë. Gjithashtu, një kallëzim i tillë është dorëzuar edhe pranë autoriteteve shqiptare, në qytetin e Elbasanit.
Eshja ka kaluar kufirin vetëm disa ditë pas krimit, duke hyrë në Shqipëri. Pas kallëzimit të familjarëve të të miturës në Elbasan, Prokuroria e këtij qyteti ka nxjerrë urdhër-ndalimin, i cili është ekzekutuar një vit më parë, më 1 tetor 2013, kurse gjykata dha masën “arrest në burg”. Prokuroria kërkon dënimin maksimal për këtë vepër penale, që është 35 vite burgim. Seancën tjetër avokati do paraqesë konkluzionet e palës mbrojtëse, para se të jepet vendimi.
