“Na bashkon gjaku, por po na ndan mielli!” – kjo do ishte ndoshta sentenca e duhur që mund t`i përgjigjet një realiteti tej atij patriotik, krijuar së fundi mes Shqipërisë dhe Kosovës, për shkak të bllokimit të sasive të mëdha të miellit kosovar që të hyjnë në Shqipëri, me destinacion tregun tonë. Për shumë arsye e rrethana, raportet tona me Kosovën vijojnë të dominohen nga patriotikja, e kur vjen puna tek çështje të mprehta tregu, ajo, patriotikja, vështirë të dalë nga “loja”, edhe nëse bën dëm.
Kështu duhet parë dhe reagimi i deputetit Braçe pas një shkrimi me nota të forta kritike të analistit Baton Haxhiu ndaj ministrit Panariti, lidhur me një sasi të madhe mielli nga Kosova që nuk është lënë të futet në Shqipëri. E ndërsa Haxhiu ka patur dhe doza të forta patriotizmi në qasjen ndaj problemit, Braçe është mjaftuar me argumente thjesht gastronomike: Mielli që është bllokuar nuk bën për barqet tona!; duke lënë të nënkuptuar se, fakti që vjen prej vëllezërve të një gjaku, jo domosdoshmërisht e bën të shëndetshëm.
Braçe shtyhet dhe më tej me kurajon që e karakterizon, kur aludon se shkrimi nuk është dhe aq parimor, pasi pas rreshtave të Haxhiut, fshihen interesa krej të tjera. Por ky ngërç, tregon më së miri se jo gjithnjë ligjet dhe rregullat e tregut janë në përputhshmëri të plotë me afshet patriotike. Kur drejtuesve të automjeteve me targa shqiptare u kërcet pa një – pa dy gjoba nga ‘rrugorët’ e Kosovës, “vëllazëria patriotike” shkërmoqet sakaq sikur mos kishte ekzistuar kurrë. Dhe mirë që ndodh kështu, nëse ndodh në emër të shtetit. Edhe mielli kosovar, nëse është bllokuar në emër të shtetit e rregullave, kjo është më patriotike në vizion, sesa e kundërta. “Miellin e duam, por krunde patriotike nuk kemi pse fusim në bark” – themi kështu, nëse vërtet do merrnim në konsideratë atë që thotë deputeti Braçe.
Në “eposin” e luftës nacionalçlirimtare, një vend të veçantë zë dhe miti i një ’grushti mielli në magje’, që nëna – ajo që përfaqëson popullin – ua bën kaçamak partizanëve – pra, bijve – pa pyetur më se ç`do u japë fëmijëve nesër: Vetëm trimat të ushqehen! Ndërsa me (a)logjikën e sotme të ofruar nga Haxhiu – i cili në trajtesë udhëhiqet nga një flamur kuqezi, ndërsa Braçe i përgjigjet flamurit duke tundur një fletëanalizë – nuk ka hiç problem që partizanëve t`u dhembë barku gjatë gjithë të nesërmen e natës kur hëngrën llokma kaçamaku.
