Drejtoria e Policisë së Qarkut të Elbasanit ka hartuar një plan masash për mbarëvajtjen e ndeshjes së Kombëtares shqiptare ndaj Danimarkës, që do të luhet në stadiumin e ri “Elbasan Arena” të shtunën në orën 20.45.
Gjatë një konference për shtyp, drejtori i Policisë, Neritan Nallbati, e vuri theksin tek siguria e të dy ekipeve dhe sportdashësve shqiptar e danezë, të cilët do të jenë të pranishëm në stadium. “Për të patur një rend dhe qetësi të sigurt kemi ndërtuar një urë komunikimi me drejtuesit e stadiumit dhe FSHF-së, ndërsa masa kemi marrë përsa i përket edhe qarkullimit në rrugët e qytetit”, tha Nallbati. Sipas tij, dita e shtunë do të konsiderohet si një ditë pa makina dhe për këtë qëllim u ka kërkuar qytetarëve elbasanas që në këtë ditë të minimizojnë lëvizjen e mjeteve, përjashto ndonjë rast emergjent. “Nga ora 07.00 e të shtunës nga rrethrrotullimi i ‘1 Majit’ deri tek stadiumi nuk do të lejohet qarkullimi dhe parkimi i mjeteve, si dhe tek sheshi para Kalasë së qytetit. Do të shfrytëzohet për parkim mjetesh sheshi përpara Pallatit të Sportit, kryqëzimi i Unazës së qytetit deri tek shkolla Pedagogjike, rruga ‘Thoma Kalefi’ si dhe nuk do të lejohet parkim mjetesh përpara stadiumit”, tha ai.
Drejtori Nallbati theksoi se një sërë masash janë marrë edhe për sportdashësit duke vendosur shenja udhëzuese për hyrjen e tyre në stadium. “Risia e stadiumit të ri ‘Elbasan Arena’ është sepse është hartuar një sistem sigurie e kontrollit të dixhitalizuar të biletave, që do të përcaktojë edhe biletën e rregullt për të hyrë në stadium. Të gjithë sportdashësve do t’u kryhet kontroll fizik, që do të kalojë në tre filtra”, vuri në dukje ai.
Është bërë e ditur se të shtunën do të vijnë në Elbasan 250 tifozë danezë për të ndjekur ndeshjen mes kombëtares shqiptare dhe ekipit të tyre.
