Analistë pas xhamave të zinj

redaktor

U fashit edhe zhurma e Kuvendit të PD-së, siç edhe e çdo kongresi tjetër. Por, tek tuk, simpatizantë të Lulzim Bashës përpiqen t’i mbajnë vlagën gjallë, përpiqen, me të gjitha mënyrat, të qëmtojnë aty-këtu gjëra me vlerë për t’i sjellë në vëmendjen e publikut.

Që përpiqen t’i mbajnë gjallë vlagën Kuvendit, mirë bëjnë, se është Kuvendi i “më-pak-se-gjysmës së votuesve” dhe ndaj, i intereson shumë edhe “më-shumë-se-gjysmës së votuesve” të tjerë.

Por, boll në hall janë vënë analistët-simpatizantë në këtë mision. Sepse, ishte vërtet mjaft e vështirë të qëmtoje ndonjë vlerë të shtuar në atë Kongres. Ç’të bëjë i ziu analist atëherë? Kryetari Basha nuk i ndihmoi shumë. Këtu gura popullore vjen në ndihmë: Gjysma e gotës plot – apo gjysma e gotës bosh? Kjo është zgjidhja.

Atëherë, analisti-simpatizant fillon dialogun me kundërshtarin imagjinar.

-Ju mendoni se Këshilli ishte paracaktuar me shokë e shoqe të kunatit? Ky është këndvështrimi juaj. Unë shoh që prurje të reja, të papara e të padëgjuara më parë, i sollën energji e rini Këshillit.

-Ok, thotë imagjinari, mund ta pranojmë se kushedi, ndoshta gocat e çunat sjellin ndonjë gjë të re. Se, fundja, çdo njeri ka të drejtë të testohet një herë në jetë. Tani është shansi i këtyre.

Vazhdon i kënaqur dialogun.

-Ju thoni se zgjedhja nuk ishte korrekte ngaqë shpesh sasia do kohë të evoluojë në cilësi? Ky është këndvështrimi i juaj. Unë shoh që 7500 është më afër demokracisë sesa një shifër më e vogël se 7500.

-Ok, thotë imagjinari, edhe këtë po e pranojmë se, kushedi, ndoshta ky evolucioni sasior i Këshillit ka kohë që ka filluar e i erdhi vakti të prodhojë cilësi. Kongresi qëlloi të gëzojë frutin.

Pas këtyre dy pohimeve, analisti-simpatizant merr zemër e bën pyetjen tjetër retorike:

-Ju thoni që Lulzim Basha nuk i pranoi gabimet që sollën dështimin? Ah, pa lutje fare, këtu nuk toleroj absolutisht. Gjithë gota është plot, nuk ka asnjë copëz bosh.

Lulzimi e plasi bombën, atë të qametit, atë që i la të gjithë pa gojë e më pas pa gjumë. Sepse Basha kërkoi ndjesë “sidomos në lidhje me burokratizimin e drejtuesve kryesorë, të cilët hallet e shqiptarëve i shihnin përmes xhamave të zinj të veturave të tyre luksoze”.

Aha, e paska thënë, madje “mençurisht”! Po e paska plasur fare copë në fytyrën e platesë! Dhe ne që vrisnim mendjen se përse paskej humbur PD-ja! Paska qenë kjo pra, shkëputja nga “vija e masave”.

Me sa duket paska qenë mungesa e “stazhit në prodhim”, në “gjirin e klasës punëtore”. Aty, “gju më gju me popullin”, (çudi pse më sillka ndër mend vetëm parrullat e Enverit kjo punë!) do jepnin e merrnin dashuri e, bashkë me dashurinë, edhe votat. Ky populli ynë i mjerë nuk bëka dot pa ndjerë dorën e ngrohtë të ministrit në pëllëmbët e tij të rreshkura! Në mos të ministrit, të drejtorit të tatim-taksave, të çunit të fortë të doganës, të policit, të gjyqtarit, të prokurorit… Sepse nga kontakti me popullin çunat do merrin forcë si Anteu, e do bëheshin më të fortë, e do merrnin më shumë vota.

Aha, kjo paska qenë!

E ne, populli dritëshkurtër seç broçkullisim për dava korrupsioni të zyrtarëve, korrupsion të bluzave të bardha, korrupsion në shpërndarjen e minierave, të lumenjve, të deteve, të rrugëve, etj, etj…

Pale pastaj kur broçkullisim për pako gjak që qenka derdhur pa të drejtë në bulevardin më të famshëm në vend, pale pastaj kur na çon muhabeti i kafeneve deri tek ndoca shpirtra të hedhur në erë në Gërdec. Dhe, natyrisht që ja paskemi futur kot, po fare kot ama!

Po kush tha, pastaj, se peizazhi që sheh kur hyn në kryeqytet nuk është perëndimor? E kush plasi të jetë perëndimor xhanëm?

Ne jemi autentikë, kemi modelin tonë të kazanëve të vjetër në shitje që nxjerrin kokën gjithë lezet mbas çdo bërdengulle të ndërtuar ashtu free-format, si një shprehje origjinale e shpirtit të lirë shqiptar. Po ç’janë këto leje e planifikime që të ndrydhin sipërmarrjen e lirë? Ku jemi ne, në ekonominë e planifikuar?

Ja, pra, sa kohë të vlefshme paskemi humbur kot me këto hamendësime. Luli na e zgjidhi dilemën njësoj si Aleksandri i Madh nyjen gordiane: Me një të rënë të fjalës. Ama e tha më në fund.

Analistët-simpatizantë po rrinin me krahë hapur të prisnin buqetën e hedhur prej tij, dhe ai më në fund e hodhi. Dhe ata më në fund e pritën. Dhe u shpërndanë të lumtur nëpër redaksi të shkruanin fletë-lavdërimin e rradhës. Vetëm kaq u duhej. “Vetëm një pikë që të ngre botën” – tha Arkimedi. “Vetëm një pikë që të ngremë Lulin” – tha analisti. Dhe ai, vonoi pak sa për t’u ngrirë gjakun, por ama ua dha.

Burokracia pra. Edhe xhamat e zinj. A thua paska qenë kaq e thjeshtë? Ta dinim kështu, u kishim vënë fëmijët e shkollave që t’ua thyenin me gurë pas mitingjeve, ashtu si padashje ata dreq xhamash të zinj.

 

Seriozisht për analistët simpatizantë

 

Në fakt dy fjalë dua t’i them seriozisht. Është alarmante që një aradhë e tërë analistësh përpiqen të sugjestionojnë një popull të tërë e ta bëjnë të lumtur vetëm për faktin se Luli pranoi burokracinë. “Mjafton kaq, të paktën e pranoi një gjë, se paraardhësit e tij nuk pranonin asnjë gjë. Vërtet kjo nuk ishte thelbësorja, po ama e njëqindta në listë ishte. Ai të paktën e tha një”. Kaq pak respekt kanë për këtë popull këta quasi-analistë? Kaq jo-inteligjent e dinë këtë popull këta jo vetëm-analistë? Nëse po, nga makinat me xhama të zeza kanë nevojë të zbresin ata, jo ish-qeveritarët. Këta zotërinj po i bëjnë një dëm akoma më të madh demokracisë shqiptare, ndërsa si rastësisht, i mëshojnë për ta propaganduar fort tezën se “ky paska qenë çelësi i artë i LSI-së: premtimet e pazaret në takimet me popullin”. Edhe sikur kështu të jetë, ky është një promovim shumë i rrezikshëm i kësaj teze, i këtij parimi të mbrapshtë. Qeveria, kjo që është dhe ato që do të vijnë, nuk ka nevojë të mbajnë xhama të tejdukshëm të makinës.. Le t’i mbajnë po deshën edhe jeshilë. Mjaft që t’i kenë blerë me paret e tyre e jo të popullit.

Populli ynë ka respekt për pronën dhe për pasurinë, se ndaj e përmbysi rregjimin që i urrente këto. Por ky popull nuk të fal dot më kur ndjen se kaluan 23 vjet qeverisje me duart në xhepat e popullit. Këtë duhet të kishte pranuar Lulëzim Basha, të paktën, meqë zgjodhi të thoshte vetëm një gjë nga lista e gjatë.

Populli ynë, zotërinj analistë, nuk do madje as t’u shohë sytë qeveritarëve të zgjedhur, se nuk ua ka ngenë e as nuk impresionohet më nga dora e udhëheqësit. Populli ynë do ta ndjejë dorën e udhëheqësit t’i hyjë tinëz në shtëpi përmes dritave, ujit, pagës së punës, kujdesit shëndetësor, lagjes së zbukuruar, rrugës me standarde… Nëse kjo ndodh, populli as që do t’u dijë derën ku e kanë qeveritarët, as të shtëpisë e as të zyrave. Këtë bën një qeverisje demokratike. Këtë bëjnë zyrtarët demokratë në një vend për së mbari.

Bëjnë detyrën pas xhamave të çfarëdo lloj ngjyre dhe nuk kanë asfare nevojë të ndjehen të adhuruar nëpër takime populiste. Këto duhet t’i shkruani nëpër fjalime Lulëzim Bashës, zotërinj analistë. Se kështu u jepni paradhënie mësim edhe këtyre që janë sot në pushtet.

E, mbi të gjitha, kështu bëni detyrën tuaj për të emancipuar këtë shoqëri të lodhur përmes promovimit të “Qeverisja – si duhet të jetë që të mos dështojë me turp si PD”. Këtë e keni për detyrë, detyrë që e keni zgjedhur vetë, pale’!

Share This Article
9 Comments
  • E ke thene mire. Po varja le te marre njerezit per budallenj Luli dhe Saliu se do vazhdojne te marrin w milione e me shume shuplaka. Do u zeri syte gjaku qe kane derdhur!

  • E mor Lulke mor Lulke do te vonoje por nuk haron sado te perdridhesh si k… Ky popull e ka kujtesen te gjate.

  • Me pelqen kendveshtrimi , ironia e perdorur
    Njekohesisht me shtohet mllefi dhe inati per realitetin tone te mjere qe duhet ti kemi fat keta politikane dhe keta analiste servile e intersaxhinj

  • Shkrim i sakte. Me vjen keq qe ne kete rradhe “analistesh te pavarur” eshte varur edhe Prec Zogaj. Eshte njeri me vlera por qendrimi qe mban ndaj Bashes ia ul vlerat sepse Preci nuk eshte naiv. Nuk dua te diskutoj per Tan Hoxhen apo vete Fevziun sepse ata dihet ku synojne dhe nuk eshte se nuk kuptojne, por bejne sikur nuk kuptojne.

    • Albi, ky eshte drejtori i kultures ne bashkine e Gjikes. Po ngaqe tani Gjika nuk ka kohe te merret me Bashkine se ka hallet e veta me drejtesine, Ilir Metaj, ‘scorpionsi” i bashkise, pasi solli ca kalamaj nga europa per gjoja aktivitete kulturore, tani ka filluar te shkruaje ndonje artikull tek Dita per te mos ndjenjur kot te rrotullohet ne kolltuk. Pastaj zgjedhjet lokale po afrojne dhe natyrisht edhe ky deshiron te kape ndonje thele me te majme prandaj prezantohet ne formen e nje grida duma te PS-se.

  • Besoj e ke fjalen me shume te Fatos Lubonja dhe Artan Hoxha. Dhe e ke shume sakte. Ndersa per Prec Zogajn si thote nje komentuese me lart nuk jam shume dakord se Zogaj ka ssidoqofte integritet dhe edhe. E ka kritikuar jo votem Bashen po edhe Berishen. Sidoqofte paralelizmi juaj zoti Metaj eshte sakte.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *