Aktivistja pakistaneze për edukimin e fëmijëve dhe veçanërisht vajzave, Malala Yousafzai dhe aktivisti i të drejtave të fëmijëve indiani, Kailash Satyarthi kanë fituar çmimin Nobel për Paqen.
Vetëm 17 vjeçe, Malala është përfituesja më e re në moshë e këtij çmimi.
Malala u qëllua në kokë nga persona të armatosur talebanë në tetor të vitit 2012 gjatë fushatës së saj për edukimin e vajzave.
Pakistanezja ka botuar edhe një libër ku tregon historinë e saj, e cila ka bërë përshtypje në të gjithë botën.
Ajo u nominua nga revista Time si një ndër njerëzit më me influencë të vitit 2013.
Ndërsa për indianin Satyarthi, Komiteti i Nobelit tha se ai ka ruajtur traditën e Mahatma Gandhi duke drejtuar protesta paqësore, “duke u fokusuar tek shfrytëzimi i ashpër i fëmijëve për përfitime financiare.”
Komiteti i Nobelit tha se dy fituesit morën këtë çmimim për luftën e tyre kundër shtypjes së fëmijëve dhe të të rinjëve.

