Pas reformës territoriale, qeveria ka filluar punën për reformën e decentralizimit të pushtetit të qeverisjes vendore.
Me nismën e Ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore, u organizua një tryezë diskutimi për propozimet për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8652, “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”.
“Ky propozim ligjor do të garantojë vijueshmërinë e ofrimit të shërbimeve për qytetarët në të njëjtën komunë sikurse ndodh aktualish. Si pjesë e forcimit të mëtejshëm të demokracisë lokale, ministria ka propozuar një tjetër ndryshim thelbësor, ai i përfshirjes në ligjin organik të drejtën e njësive të qeverisjes vendore për t’u konsultuar me qeverisjen qendrore për çfarëdolloj politike apo ndryshimi në legjislacion që ka ndikim të drejtëpërdrejt në funksionimin e tyre”, thuhet në njoftim.
Midis të tjerash propozohet shtimi i numrit të anëtarëve në këshillave bashkiak, shtimi i kompetencave për kryetarët e bashkive dhe parashikohet nxjerrja e akteve nënligjore për përcaktimin e procedurave dhe masave për transferimin e të drejtave dhe detyrimeve në përputhje me ndarjen e re territoriale. /E.K
