“Një qeveri që ka për detyrë që ta nxjerrë vendin nga balta ku e ka hedhur kjo parti. Natyrisht që ne, me ndërgjegje të pastër do na duhet të fusim duart në baltë, për ta nxjerrë Kosovën prej aty ku e kanë hedhur, dhe këtu do të na përlyen dhe neve duart, por do e kemi ndërgjegjen e pastër”.
Kështu është shprehur para më pak se një muaj lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti, në një intervistë për DITA-n, dhënë për kolegen Mira Kazhani. Eshtë një thënie mjaft inteligjente, edhe politikisht, pasi zgjedh t`i dalë përpara një të keqeje, nëse Blloku merr në dorë qeverinë e Kosovës: pikërisht atë që po ndodh me qeverisjen e pas 23-qershorit në Shqipëri, nëse Kurti është nisur bash prej realitetit të këtushëm për të formuluar ato fraza. Sepse mes të tjerash, këtu po ndodh dhe kjo, që baltën në të cilën e kanë lënë dhe kanë zhytur vendin ata të para ‘23’-shit, po bëjnë çmos për ta hedhur në trajtë sprucoje tek ata që kanë përveshur llërët për ta tharë si “kënetë”, balte e lluce bashkë. Ja se si: Tenton qeveria të mbyllë njëherë e mirë legalizimet të lëna paçavure, e përballet me akuzat se nuk janë falas siç është premtuar(!); i futet me kokë reformës në drejtësi, akuzohet se ka për qëllim ta kapë atë(!); vendos të ndalë furinë e ndërtimeve për të vënë rregull në trendin e çoroditur urban, akuzohet se po bllokon ekonominë(!); nis një reformë në arsim, akuzohet se po heq arsimtarë nga puna(!); futet me ndamendje në Lazarat, akuzohet se policët nuk po sillen mirë(!), detyrohet të ndërhyjë për të shpëtuar nga falimentimi sistemin energjitik, akuzohet se ua ka dhuruar çekëve miliona euro(!), e kështu me rradhë. Pra, është ky lloji i ‘baltës’ që paralajmëron Kurti, për veten e tij nesër kur të vijë në pushtet.