Delegacioni shqiptar i kryesuar nga Ministrat Cani dhe Ahmetaj, zhvilluan ka zhvilluar dje një sërë takimesh me personalitete të larta gjatë mbledhjes së përvitshme të Bankës Botërore dhe FMN.
Gjatë një takimi me Zëvendës Presidenten e Bankës Botërore për Europën dhe Azinë Qendrore, Laura Tuck, Ministrat e Ekonomisë dhe Financave theksuan se vendi është në rrugën e duhur sa i përket reformave dhe se treguesit e ekonomisë janë pozitivë, pavarësisht pikënisjes nga një situatë kritike vitin e shkuar.
Zv. Presidentja Tuck përgëzoi përfaqësuesit e qeverisë për progresin e kryer në vitin e shkuar, duke listuar reformat në fushën e financave publike, pensionet, pagesat e detyrimeve të pashlyera, zgjidhjen e çështjes CEZ dhe marrjen e statusit të vendit kandidat si disa hapa tejet të rëndësishëm dhe shpresëdhënës për zhvillimin ekonomik në Shqipëri. Sipas Tuck qeveria po provon se edhe pas një viti, angazhimi për të ndërmarrë reformat e domosdoshme sektoriale është i plotë. Ajo vlerësoi veçanërisht nisjen e reformës në sektorin e energjisë, si një sektor tejet i rëndësishëm për ekonominë e vendit, e me një nevojë të menjëhershme për ndryshim cilësor.
