Ankona- Sportistët shqiptarë në rrjetën e drogës. Xhulian Rrudho, futbollisti i cili ka luajtur në disa skuadra italiane, u arrestua në Itali ditën e djeshme, pasi akuzohet për trafik të lëndëve narkotike. Kjo ka ndodhur në Ankona, ku futbollisti 25-vjeçar, në bashkëpunim me Mimet Zeqirin, u kapën me 1,5 kilogramë kokainë të pastër. Të dy personat kishin zgjedhur si vend për të fshehur drogën, parkun publik “Posatora”, ku prej andej në mënyrë të vazhdueshme e merrnin në doza të vogla kokaine, për ta shitur më pas atë në sheshin “Ugo Bassi”. Policia italiane bën me dije që dy shqiptarët për të mos rënë në sy, përdornin autobusin për të qarkulluar. Lajmi është publikuar nga të gjitha agjencitë e lajmeve dhe medieve e madje ka bërë bujë për faktin se Rrudho është futbollist profesionist. Sipas agjencisë ANSA, ende nuk dihen detajet e plota të këtij hetimi, por policia italiane konfirmoi arrestimin e futbollistit. Xhulian Rrudho është konsideruar si njëri prej futbollistëve të së ardhmes, por duket se ka zhgënjyer. Në vitin 2007 ai e la Ankonën për t’iu bashkuar Chievos. Por, nga ajo kohë pati rënie të vazhdueshme. Së pari u huazua në Sansovino, kurse më pas në Scafatese. Në vitin 2008 u rikthye në Shqipëri, së pari me Partizanin e më pas edhe Tiranën. Por, 25-vjeçari nuk e ktheu më kurrë formën e dikurshme. “Policia e Ankonës ka arrestuar dy shtetas shqiptarë për trafik lëndësh narkotike. Futbollisti shqiptar, 25vjeçari Xhulian Rudho, i cili ka luajtur në disa skuadra italiane dhe bashkëpunëtori i tij, Mimet Zeqiri, janë arrestuar, pasi janë kapur me një kile e gjysmë kokainë të pastër”, shkruanin mediat mbrëmjen e djeshme. Nuk dihet ende nëse në grup ka edhe persona të tjerë të implikuar, por Antimafia është përfshirë në hetime për të zbuluar shitësit, blerësit dhe rolin e të ndaluarve në këtë trafik. Vlera e kokainës në tregun e pakicës mësohet se shkonte në mbi 200 mijë euro. Ndaj Rrudhos dhe Zeqirit janë ngritur akuzat e “mbajtjes dhe shitjes së lëndëve narkotike”, ndërkohë që po ushtrohen kontrolle edhe në banesa të ndryshme.
