Nga Moisés Naím
“E gjithë politika është lokale”. Kjo deklaratë e kongresmenit amerikan Tip O’Neill përmbledh faktin që, më shumë ajo që u intereson votuesve është që politikanët tu lehtësojnë problemet e tyre më të ngutshme. Prandaj, udhëheqësit që përqendrohen në çështjet e mëdha kombëtare, ose ndërkombëtare janë në disavantazh me rivalët që merren me problemet më konkrete të elektoratit. Megjithatë prej kohësh, politika lokale është globalizuar. Jo se votuesit nuk janë më të interesuar që të mbyllen gropat në rrugët e lagjes së tyre, apo që të mblidhen mbeturinat, që shkollat të përmirësohen, apo që krimi të luftohet. Tani, këto pritshmëri shumë lokale kombinohen me shqetësimet, zhgënjimet dhe zemërimin përtej problemeve të ngutshme. Korrupsioni, pabarazia ekonomike dhe dështimi i politikanëve për të rënë dakord janë vetëm tre shembuj të shqetësimeve që janë bërë më të zakonshme dhe më globale. Është e mahnitshme të shihet se si në vende kaq të ndryshme si India, Britania e Madhe, Indonezia, Franca, Afrika e Jugut, Brazili dhe Hungaria, diskutimi kombëtar është shumë i ngjashëm. Përveç kësaj, në të gjitha këto, propozimet dhe figurat politike që më parë ishin margjinale sot janë qendrore.
Anti-politika. “Të zhduken të gjithë” është një dëshirë e shprehur fuqimisht nga demonstruesit që periodikisht dalin në rrugët e Buenos Aires, Romës, Lagos apo Uashingtonit. Pak besojnë në ndershmërinë, apo altruizmin e politikanëve dhe partitë nuk janë më shtëpia e idealistëve. Megjithatë, ka vende, p.sh. SHBA, Gjermania, Brazili, Koreja e Jugut, Meksika, Japonia, ku makineritë tradicionale politike kanë ende shumë pushtet. Por, rasti i Italisë, apo Venezuelës, ku parti të fuqishme historike janë fshirë nga harta, është i dobishëm. Pa arritur në këto ekstreme në shumë vende, partitë po përballen me kundërshtarë të rinj dhe të papritura. Rritja e lëvizjes “Tea Party” në Shtetet e Bashkuara, Partia e Njeriut të Zakonshëm (AAP) në Indi, UKIP në Mbretërinë e Bashkuar, apo Fronti Kombëtar në Francë janë shembuj të mirë të gjërave që do të vijnë, apo që kanë ardhur.
Populizmi. Ky është një antidot që partitë dhe udhëheqësit politik përdorin për tu mbrojtur nga anti-politika. Të motivosh votuesit duke lartësuar virtytet e popullit dhe duke denoncuar elitat e korruptuara dhe grabitqare që shkaktojnë fatkeqësitë e kombit të vuajtur është një strategji e lashtë. Dhe funksionon. Peron, Chavez dhe Putin janë shembull i qartë. Praktikat e tyre janë të njohura: u premtojnë njerëzve atë që ata dëshirojnë të dëgjojnë, edhe në qoftë se është e pamundur, ose një papërgjegjshmëri të përmbushësh ato premtime. Rezultatet e populizmit janë gjithashtu të njohura: popullaritet i lartë i përkohshëm dhe dëmtim i përhershëm i ekonomisë, gjithashtu dhe shfaqjen e një elite të re, po aq, apo më shumë të korruptuar se e para.
Nacionalizmi. Ndezja e pasioneve nacionaliste gjithashtu jep rezultate. 87 % e popullaritetit të Vladimir Putin, vjen sepse jo vetëm nuk u limitua të mbante fjalime në lidhje me nevojën për të rivendosur madhështinë e Rusisë, por pushtoi Krimenë dhe kërcënoi se do të marrë Ukrainën lindore. Të akuzosh armikun e jashtëm për të keqen e vendit është gjithashtu një hile e zakonshme. Gjithashtu, për virtuozët e nacionalizmit armiqtë e jashtëm nuk janë vetëm vendet e tjera dhe ushtritë e tyre, por janë emigrantë të paligjshëm, ose punëtorët aziatike të cilët me pagat e ulëta, thonë ata “shkatërrojnë punën e mira” në Evropë dhe SHBA. Ose invazionet kulturore që sipas tyre “prishin vlerat e kombit”. Kjo narrativë politike gjithashtu është globalizuar.
Pse? Papunësia, rënia e të ardhurave dhe ndalimi i lëvizshmërisë sociale të shumicës janë burim i frustrimit të madh popullor në vendet më të pasura. Paaftësia e shtetit për të përmbushur kërkesat në rritje për shërbimet publike trazon shpirtrat e klasave të mesme në vendet në zhvillim. Globalizimi perceptohet si kërcënim. Korrupsioni, dinakëria dhe hipokrizia e të pushtetshmëve janë tashmë më të vështira për t’u fshehur falë teknologjive të reja të komunikimit dhe informacionit. Padrejtësia dhe pabarazia në rritje janë më të dukshme. Konkurrenca politike nuk bazohet në idetë e kundërta, por për të shkatërruar reputacionin e kundërshtarit. Polarizimi i debatit, tensionit dhe vështirësia e liderëve politikë për të arritur marrëveshje ushqejnë tjetërsimin politik të popullit. Qeveritë e paralizuara dhe partitë politike që qëndrojnë në vend vazhdojnë të mos u japin përgjigje të besueshme kërkesave të reja të shoqërive të trazuara që janë duke ndryshuar me një shpejtësi të pakapshme për ata që veprojnë me idetë e së shkuarës.
