Në Meksikë qytetarët bëjnë vetëgjyqësi me kartelet e drogës

anazapta

Aiutla, qyteti në shtetin meksikan të Guerreros është bërë shembull i pastër i vetëqeverisjes në mungesë të veprimit efektiv të institucioneve ligjore. Banorët e tij kanë vendosur t’i bëjnë vetë të gjitha, që nga arrestimi deri te gjykimi dhe dënimi i keqbërësve  

Në Meksikë njerëzit kanë gjetur mënyra të ndryshme vetëmbrojtjeje ndaj krimit dhe në veçanti ndaj karteleve të drogës. Në shtetin jugor meksikan, Guerrero, është një qytet në të cilin, banorët e tij kanë arrestuar mbi pesëdhjetë persona të dyshuar për trafik lëndësh narkotike. Veç kësaj, ata deklarojnë se do t’ua bëjnë vetë gjyqin javën e ardhshme. Ajo që do të ndodhë në Aiutla (kështu quhet qyteti në fjalë) ka tërhequr vëmendjen e Komisionit për të Drejtave të Njeriut në këtë vend, por edhe vëmendjen e autoriteteve ndërkombëtare.  Presidenti i Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Huan Alarkon Hernandez, shprehet se përfaqësuesve të kësaj organizate nuk u është lejuar të kontaktojnë  me të burgosurit dhe se ishin dëbuar me forcë nga banorët e qytetit.

Problemi kryesor sipas Hernandez qëndron në atë që çdo gjë në këtë qytet zhvillohet pa asnjë autorizim ose supervizim të qeverisë dhe strukturave të saj. Nga ana tjetër është mëse e qartë se banorët e Aiutlës gëzojnë konsensusin implicit të autoriteteve lokale. Edhe qytete të tjera meksikane, nja tetëdhjetë në të njëjtin shtet, rregullohen dhe vetëqeverisen në këtë mënyrë. Në to banorët kanë organizuar forca rendi dhe një drejtësi paralele me atë të shtetit. Ide shumë krijuese, ndoshta më shumë se ç’duhet, duke qenë se duke u mbështetur në gjykimet e tyre dhe pa konsultime ligjore arrijnë deri te dënimet e të burgosurve dhe punët e detyruara në komunitet. U mjafton vetëm aprovimi i heshtur i qeverisë. Megjithatë deri më sot duket se të burgosurit e Aiutlës janë trajtuar mirë dhe nuk kanë pësuar dhunë fizike apo abuzime të tjera. Por natyrisht që problemi qëndron në vend tjetër. Është e vështirë të imagjinosh sesi arrestime të kësaj natyre, si dhe ndjekjet penale, të kryhen duke garantuar të drejtat e të akuzuarve. Për Komisionin e të Drejtave të Njeriut nuk është një problem i lehtë për t’u përballuar, sepse ai nuk ka kompetenca mbi civilët, të cilët mund të dënohen vetëm nga kodi penal dhe kështu thyerja e ligjit duket se është kthyer në një normë nga ana e tyre.

Sipas prokurorit të Guerreros, megjithëse në Aiutla gjallon informaliteti absolut, fakti që arrestohen grabitës e trafikantë dhe dënohen sipas gjyqeve popullore, nuk bie në kundërshtim me ligjin themelor të Meksikës, pasi kjo gjë është bërë pjesë e ligjit meksikan.

Përveç çështjes ligjore, krijimi i strukturave të tilla ruajtëse të vetëshpallura si ligjore, është një pranim i tmerrshëm i impotencës së qeverisë qendrore, e paaftë që të mbrojë popullsinë nga përhapja e karteleve të drogës, madje edhe të administrojë drejtësinë, e cila në shtete si Guerrero është e vendosur në duart e personave jo ekspertë. Qytetarë të improvizuar si policë, gardianë dhe gjykatës që e vendosin vetë drejtësinë në mungesë të veprimit të institucioneve përkatëse.

 

Përgatiti: Dorina Gjuzi

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *