Ndjesa e parë kundrejt ithtarëve të ish-udhëheqësit – që për ta është legjendar – është për faktin se një prej dy lajmërimeve, ai mbi manifestimin e 16 tetorit, mu duk si njoftim mortor; edhe për faktin e fotos po në atë qoshe që e kanë të gjitha njoftimet e këtij tipi, me portretin e të ndjerit. Por kjo, për shkak të një iluzioni optik, që u qartësua pas disa çastesh, kur, duke iu afruar njoftimit, me padurimin për të marrë vesh se kush kishte ikur në atë botë, pashë atë që duket më sipër, e që nuk ka nevojë për shumë koment. Ama ka nevojë për një kritikë dashamirëse, ndaj dhe zgjodha një ‘ndjesë’ që në fillim, për të gjithë ata që do e lexojnë, e që ndoshta do u vijë hidhur nga disa gjëra që nuk shkojnë në të dy njoftimet. Më konkretisht: tek pika A, nëse është fjala për një muze kushtuar një figure, muzeu nuk ka përse të quhet dhe kombëtar. Tek pika C, thuhet se ai duhet të rivendoset tek varrezat e Dëshmorëve të Kombit, pranë monumentit ‘Nënë Shqipëri’. Po pse patjetër pranë, derisa aty nuk ka ndonjë kriter për të qenët afër ose larg ‘Nënës’?! Më pas, në pikën D, thuhet se do kërkohet një referendum për rivlerësimin e figurës së tij. Por vlerësimi, pas proçesit të rivlerësimit, mund ta dalë pozitiv, por mund të dalë dhe negativ. Ngase ‘vlerësimi’, është një lloj ndajfolje, me kuptim ambig: Ka si pozitiven e si negativen! Përse nuk i bini shkurt më mirë: Një referendum mbi atë se ç`ishte, burrë i mirë apo i keq?Kalojmë në njoftimin tjetër: Thuhet aty se në manifestimin e 16 tetorit, do nderohet ditëlindja e tij. Në fakt, ditëlindja në këtë rast shërben vetëm si arsye për të nderuar veprën, por jo për të nderuar ditëlindjen, pasi ajo ka qenë mëse e zakonshme si ditë, përfshirë dhe aktin e lindjes, ku foshnja e sapo dalë, ka qenë gjithë sekrecione në trup, ka qarë e i është prerë kërthiza. Më tej, aty potencohet fakti se manifestimi do jetë paqësor. Po pse, ekziston mundësia të jetë dhe i dhunshëm?! Ditëlindje të dhunshme sikur nuk ka, apo jo?!Kësaj i thonë: “Ngrihu Enver, se të tutë e kanë dhjerë!”