Vajza e diamanteve

redaktor

E gjejmë me lupë në dorë duke kërkuar në thellësitë e një guri të çmuar. Alba Ruço nuk është nga ato vajzat e veshur në diamante, por nga ato që qëndron gjithë kohës mes tyre. Nuk na kishte ndodhur ndonjëherë që të flisnim me një specialiste të gurëve të çmuar, që njeh historitë e tyre, origjinën nga vijnë, domethëniet, cilësinë, çmimet dhe vlerën e tyre. Ajo është 26 vjeçe dhe jeton në Tiranë. Ka përfunduar studimet universitare në Londër për menaxhim dhe është diplomuar me master për Sipërmarrje Mode. E ftuam Albën të na tregonte eksperiencën e saj të kërkimeve në këtë fushë, e të na zbulonte disa sekrete të gurëve të çmuar. Pavarësisht se jeton mes tyre, ajo nuk është e “dehur” nga magjia që ato kanë. Alba i sheh profesionalisht dhe i studion në imtësi ato. Pjesa më interesante e punës së saj është kur punon mes diamanteve. Na tregon se nuk shikon asnjëherë dy gurë njëlloj. Sipas Albës diamantet janë si njerëzit; të ndryshëm në ngjyrë dhe pastërti, por nuk janë perfektë. Janë të çmuar dhe të fortë, por ka edhe të thyer dhe problematikë. Nëpërmjet bisedës me Albën do të udhëtojmë për pak çaste në botën e gurëve të çmuar, duke njohur edhe veçoritë e tyre të rralla. Çfarë nuk ka kjo tokë!

 

Alba, në kryeqytet ju njohin si specialiste e gurëve të çmuar, ku keni studiuar dhe me çfarë merreni konkretisht?

Unë kam përfunduar studimet universitare në Londër për menaxhim dhe jam diplomuar në master për Sipërmarrje Mode. Pas studimeve fillova punë pranë De Beers, një firme legjendare në historikun e diamanteve. Pas kureshtjes së përditshme për të ditur më shumë për diamantet, De Beers më drejtoi drejt G.I.A (Gemmological Institute of America) më i famshmi dhe i besuari në studimin dhe certifikimin e gurëve të çmuar. U diplomova në New York për diamantet, dhe tani jam në përfundim të studimeve për gurët e tjerë të çmuar me ngjyrë. Jam kthyer në Tiranë pranë biznesit familjar për të sjellë ekspertizën time në fushën e gurëve të çmuar. Gjithashtu, merrem edhe zhvillimin dhe marketimin e produkteve, si edhe me çdo aspekt kreativ që shpalos vlerat e firmës.

A është e vështirë të punosh me “vogëlsira” që kanë shumë vlerë?

Më shumë se e vështirë, është e bukur sepse shikon mrekullira që çdo vajzë do ëndërronte, por është përgjegjësi e madhe. Mendoj se kur puna është e jotja, përgjegjësia është e dyfishtë, sepse duhet t’i kërkosh llogari vetes dhe të tjerëve. Kënaqësia është e papërshkrueshme kur puna bëhet me pasion, sidomos tek ne që çdo hap është drejt artit dhe inovacionit. E kam më të lehtë të punoj me vogëlsira sesa me shërbime ku shpesh nuk e kuptoj finalizimin e punës. Ne realizojmë përditë mrekulli që flasin vetë dhe ky është motivimi më i madh!

Jeni një vajzë që punoni mes gurëve të çmuar, mes diamanteve, cila është përditshmëria juaj?

Gjëja e parë është një kafe e ngrohtë në zyrë duke parë listën e gjërave që kam për të bërë në agjendën time. Pastaj kontrolloj postën elektronike dhe mesazhet nga dyqanet, nga klientë, kolegë, bashkëpunëtorë brenda dhe jashtë vendit. Me siguri pas kësaj do më duhet të gjej gurët e duhur për porosi të klientëve, që më pas ia dorëzoj kolegut që i monton me mjeshtëri. Mbikëqyr një staf të specializuar në dizajn, konsultohemi bashkë për modelet e reja në 3D të bizhuterive dhe dhuratave artistike. Gjatë ditës kam kënaqësinë të shikoj gurë të ndryshëm që sjellin vetë njerëzit, dhe të sugjeroj në cilat modele mund t’i vendosim. Nëse ata kanë kërkesa të veçanta i ndihmoj që të gjejmë gurin e tyre të preferuar. Pjesë e rëndësishme është reklamimi i punëve tona, dhe më pëlqen që të merrem vetëm me postimet në disa media sociale, më japin kënaqësi komentet pozitive dhe vlerësimi për punën tonë. Dita shpesh mbyllet me studimin sistematik të gurëve të çmuar, duke lexuar materialet e kursit dhe është e rëndësishme të jesh gjithmonë e azhornuar me të rejat në industri.

Të analizosh gurët e çmuar, çfarë do të thotë?

Do të thotë të përcaktosh llojin, karatin, ngjyrën, prerjen, pastërtinë dhe vlerën.

Cilat janë veglat e tua të punës?

Më së shumti përdor lupën, mjet zmadhues x10. Çdo profesionist gurësh duhet të jetë në gjendje të dallojë me lupë gjendjen e një guri të çmuar. Nëse më duhet më shumë siguri për pastërtinë e gurit, atëherë përdor mikroskopin gjemologjik. Veglat e përditshme përfshijnë pincetat që kapin gurët, kalibër, dritë neoni, aparat tester, dritë UV dhe shumë të tjera që përbëjnë laboratorin e plotë për gurët e çmuar.

Si bëhesh specialiste e gurëve të çmuar?

Mund të ndjekësh shkollën, ose duhet të kesh shumë trajnim dhe eksperiencë, më e mira është t’i krijosh të dyja me kohën. Nuk mjafton t’i prekësh gjërat përciptazi, duhet të studiosh në thellësi dhe të përgatitesh për çfarëdo lloj guri që mund të të dalë përpara. Titulli që merr është Diamond Graduate dhe Coloured Stones Graduate, që kur i merr të dyja bashkë me titullin Accredited Jewellery Professional quhesh Gjemolog në profesion dhe mund të hedhësh firmat në certifikatat e çdo lloj guri.

Ju analizoni më së shumti diamantin, mund të na tregoni disa nga karakteristikat apo të fshehtat e tij?

Ka ca shenja dalluese në bizhuteritë ku vendosen diamantet, si për shembull kapja e gurëve sigurohet shumë mirë, metali përreth është ar i fortë dhe i çmuar dhe gurët nuk duken të cekët ose ngjyrë qumështi. Sado të vegjël brilantet duhet që në dritën e diellit ose dritë difuzive të reflektojnë të gjitha ngjyrat e ylberit, ndaj drita natyrale e shpalos këtë më së miri!

A është diamanti guri më i rrallë dhe i çmuar që ekziston apo ka edhe të tjerë më interesantë. Ku gjenden ata?

Diamanti dihet që është shumë i rrallë, por ka të tjerë që janë më të rrallë, si tanzaniti që gjendet vetëm në një kodër të Tanzanisë, Merelani, Opali i zi shumë i rrallë gjendet në Australi, Alexandriti guri që ndryshon ngjyrë kur ekspozohet në drita të ndryshme, Zhade guri i shenjtë që vlerësohet nga shumë kultura lindore si guri që shpëton jetë dhe që gjendet në formën më të bukur në Myanmar e Indi. Këto gurë të rrallë kanë veti të tjera fizike nga diamanti, por nuk janë të fortë sa ai. Nuk duhet harruar se diamanti gjendet në natyrë në 12 ngjyrime të ndryshme, dhe secili ngjyrim ka tonalitete të ndryshme. Diamantet me ngjyrë janë shumë më të rrallë dhe të çmuar sesa të bardhët, dhe përbëjnë lajm botëror kur gjenden. Ndaj vlera e diamanteve nuk është për momentin e krahasueshme me gurët e tjerë nëse krahasojmë të njëjtën përmasë, prerje dhe pastërti. Kjo nuk domethënë që nesër nuk do zbulohet një gur i ri i çmuar ta konkurrojë diamantin. Gurët më të çmuar pas diamantit janë Zafiri, Rubini dhe Smeraldi ku çmimet e tyre ndonjëherë arrijnë shifra marramendëse në ankandet si Christies’ ose Sotheby’s, kur kanë ngjyrime të thella, të pastër dhe karatë të pazakontë.

Alba Ruço
Alba Ruço

Është bukur të punosh me diamante?

Është pjesa më interesante e ditës time, nuk shikoj asnjëherë dy diamante njëlloj. Janë si njerëzit, të ndryshëm në ngjyrë dhe pastërti, nuk janë perfekt, janë të çmuar dhe të fortë, por ka edhe të thyer dhe problematikë. Është shumë bukur t’i takosh diamantet J.

Si dallohet një diamant nga një gur tjetër?

Një diamant është i vështirë të dallohet me sy të lirë nga një gur i ngjashëm, për shembull nga një zafir i bardhë ose kubik zirkon, sidomos kur na rrethon dritë e ngrohtë ose difuzive. Diamanti në prerje rrumbullake brilanti ka 57 ose 58 faqe, ku sa më precize të jetë prerja, aq më shumë brilance shkëlqen guri. Vitet e fundit të gjithë në industri kanë kuptuar se prerja është sekreti me të cilin konkurrohet sot. Triple Excellent është termi që marrin sot gurët që kanë Finish, Polish dhe Symmetry në gradën maksimale. Këto dhe detaje të tjera të prerjes janë prezente në certifikatën shoqëruese të gurit.

A e blejnë diamantin në Shqipëri, ka treg?

Tregu është i limituar sepse ne jemi një vend i vogël, dhe jo sepse njerëzit nuk e pëlqejnë diamantin. Të ardhurat financiare gjithashtu kanë një ndikim të madh në shifrat e blerjes. Megjithatë ne jemi një popull që e vlerëson arin dhe gurët e çmuar, dhe kur na jepet mundësia investojmë.

Ju vetë, që merreni me këtë punë, cilin keni gurin tuaj të preferuar?

Unë adhuroj gurët me nuanca jeshile, Smeraldi, Peridot, Malachite, Turmaline, Zhade, Chrysoberyl deri tek diamanti jeshil. Ngjyra jeshile më qetëson dhe më jep shumë shpresë dhe energji pozitive. I preferuari im është smeraldi me ngjyrim kolumbian, që po e ruaj ta kthej në bizhuteri për ndonjë rast të veçantë.

Alba, ju punoni dhe merrni porosi, na tregoni pak, cilat janë bizhutë që kërkojnë më shumë shqiptarët? A mund të flasim për tendencë në këtë periudhë, apo njerëzit vijnë dhe porosisin bizhu të personalizuara?

Sipas disa studimeve të marketingut të bizhuterisë, tregu sot është i orientuar drejt personalizimit dhe stilit individual. Firma të ndryshme bizhuterie e realizojnë sipas mënyrës së tyre, duke ndryshuar gurët, metalin, mbishkrime, simbole që personifikojnë njerëzit. Këtu futet trendi i asemblimit të disa produkteve bashkë që konsiston në vendosjen bashkë të disa bizhuterive me simbolika të ndryshme për shembull unaza, varëse dhe byzylykë. Secili mund të zgjedhë simbolet që përfaqësojnë karakterin për shembull një shpend, një gur i veçantë, një shprehje ose lule. Ne sugjerojmë mënyra që këto të vendosen bashkë dhe të përshtaten me shijet.

Cili është sezoni më me fluks pune për ju?

Ka disa lloje sezonesh në punën tonë, ku fluks më të lartë ka sezoni i punës me institucionet, Shtatori dhe Tetori, pastaj sezoni i festave të fundvitit, më pas sezoni i martesave në muajt e parë të verës. Festat kombëtare janë gjithmonë një kohë e duhur për të dhuruar diçka të personalizuar për të bërë dikë të ndjehet special.

6A jeni e fiksuar pas bizhuve?

Jam e afeksionuar me bizhuteritë e bukura, por e bukura ngelet subjektive. Më pëlqen të miksoj stilin vintage me atë kontemporan, këtë mundohem të bëj edhe në veshje. Nuk i ndërroj shumë shpesh bizhuteritë sepse ato që mbaj gjithmonë i dua gjithë kohës me vete, dhe ndonjëherë të bëhet e vështirë t’i zëvendësosh. Nuk mund të them jam e fiksuar, por ndihem bosh nëse dal pa bizhuteri J

Një vajzë që merret me diamantin, a mos jeni në “konflikt interesi”, pasi do të donit t’i kishit të gjitha për vete?

Shpesh më ndodh të mendoj për minuta të tëra si do e doja unazën time të radhës, po kjo mund t’u ndodhë edhe atyre që nuk punojnë si unë. Është e rëndësishme të dish se çfarë kërkon dhe të krijosh një stil individual.

Pse keni zgjedhur këtë profesion, e keni të trashëguar?

Pasionin dhe kuriozitetin e kam të trashëguar, vullnetin po ja lë vetes si virtyt. Unë jam rritur në një ambient me pyetje dhe përgjigje për bizhuterinë dhe veprat e çmuara, kam preferuar t’i mësoj që e vogël gjërat dhe të jem modeste në marrëdhënie me punën, por edhe të tregoj me krenari punët dhe risitë që duhen vlerësuar.

7

Share This Article
5 Comments
  • Sepse Entela Resuli eshte vet nje gur i cmuar, ndaj sjell personazhe kaq interesant dhe frymezues. Bravo intervistueses dhe te intervistuares

  • Po bluaja në kokë të njëjtën ide kur pashë se e kishte thënë bukur “made in albania”? Nejse diamanti i gazetarisë ka shkruar një intervistë të bukur për vajzën e diamanteve? Sa histori piratësh kam lexuar për diamantet, pa fund? Por nuk dija kaq sa ka thënë Entela? Tani di të them më shumë për diamantet megjithëse mund t’i ngatërroj me ndonjë kristal xhami me ngjyrë? Bravo Entela? Moj çupë? Kërkoji unazë me diamant shokut të ardhshëm të jetës!? Vetë e ke fajin që kini shkruar kaq bukur për ta dhe për këtë vajzën? Na i fute diamantët në kokë? Nderime!

  • @@@ Po bluaja në kokë të njëjtën ide kur pashë se e kishte thënë bukur “made in albania”? Nejse diamanti i gazetarisë ka shkruar një intervistë të bukur për vajzën e diamanteve? Sa histori piratësh kam lexuar për diamantet, pa fund? Por nuk dija kaq sa ka thënë Entela? Tani di të them më shumë për diamantet megjithëse mund t’i ngatërroj me ndonjë kristal xhami me ngjyrë? Bravo Entela? Moj çupë? Kërkoji unazë me diamant shokut të ardhshëm të jetës!? Vetë e ke fajin që kini shkruar kaq bukur për ta dhe për këtë vajzën? Na i fute diamantët në kokë? Nderime!

  • Unaza qe mbaje ne dore eshte e trasheguar nga shume breza, mendohet TE jet diamand, por ne shqiper skam gjet nje argjendari per ta konfirmuar, ne disa qe kam shkuar m kan then per te ndruar me bizhuteri te tjera, por dhe nese sdo qe e diamand sdo ta shisja apo kembeja, thjesh do doja mendimin e nje porfesionisti!

  • Desha te vecoj disa nga vecorite kryesore te diamantit: drita e brendshme dhe struktura kristalore trekendore apo trigonet ndonjehere shume te dukshem edhe ne siperfaqe sidomos tek mineralet e paperpunuar. Diamanti reflekton driten e diellit ne spektrin e ngjyrave te ylberit por kte vecori e kane edhe gure te tjere te cmuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *