1. SHBA
Peshkopët amerikanë kanë dalë kundër reformës shëndetësore të presidentit Obama, si dhe martesave të homoseksualëve. Duke premtuar betejë të fortë, ata kanë përsëritur pozicionin e tyre kundër normave të Obamës dhe shqetësimin e madh në lidhje me legalizimin e martesave të të njëjtit seks.
2. Serbi
Në një intervistë, kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, ka deklaruar se “Kosova po rrëshqet drejt pavarësisë, prandaj ne këmbëngulim që çështja e statusit të zgjidhet gjatë mandatit të kësaj qeverie”. Gjithashtu ai i ka kërkuar kryeministrit Thaçi të jetë i kujdesshëm me deklaratat e tij ndaj Serbisë.
3. Egjipt
Lidhja Arabe e mbledhur në Egjipt u kërkoi grupeve rajonale dhe ndërkombëtare që ta njohin koalicionin e ri opozitar sirian, i cili synon të rrëzojë presidentin Bashar al-Asad. Por, edhe ajo nuk i ka dhënë ende njohje të plotë. Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit ishte i pari që e njohu zyrtarisht kolalicionin opozitar sirian.
4. Kenia
Persona të armatosur vranë të paktën 34 oficerë policie që po kryenin një operacion kundër vjedhjes së bagëtive në zonë. Policët ranë në pritë kur kamioni i tyre po kalonte në rajonin verior Baragoi. Burimet zyrtare keniane thonë se gjithsej janë 9 të mbijetuar nga sulmi, ndërsa të tjerë policë rezultojnë të zhdukur.
5. Itali
Shitjet e motorit Vespa arrin rekordet e veta. Nga ana e kompanisë prodhuese ëhstë bërë e ditur se në dhjetë muajt e parë të këtij viti, janë arritur të shiten 140 000 motorë. Që nga viti 2003 përllogaritet një trefishim i shitjeve që duket se ka ndikim edhe nga kriza e tanishme dhe ulja e shitjeve të mjeteve.
6. Maqedoni
Në Sveshtar të Maqedonisë janë gjetur artefakte me vlerë, midis të cilave edhe kurora e artë, që mendohet se i takonin Filipit të Dytë të Maqedonisë. Në mesin e artefakteve janë edhe një unazë e çmuar, 44 figura grash dhe 100 simbole tjera ari. Ato janë përdorur për ritualet e varrimit të prijësit, Filipit të Dytë.
7. Afganistan
Policia afgane ka pohuar se të paktën tri raketa janë gjuajtur në Kabul në afërsi të zyrave të shërbimit të inteligjencës. Një person është vrarë ndërsa 3 të tjerë janë plagosur gjatë sulmit. Ky ishte sulmi i parë në Kabul që nga shtatori, kur një makinë bombë, vrau të paktën 8 afrikano-jugorë dhe 4 civilë afganë.
8. Rusi
Ministria e Mbrojtjes mori vendimin për të rifilluar në vitin 2013 eksperimentet për krijimin e lazerit ushtarak për bazat ajrore. Kjo armë do të projektohet për shkatërrimin e avionëve, satelitëve dhe raketave balistike. Puna mbi sistemin u pezullua në vitin 2011 për shkak të mungesës së fondeve.
9. Angli
Një çift milionerësh në qarkun Uest Suseks u vetëvranë në orët e para të ditës së martë. Policia gjeti trupat e Kris Riversit, 44 vjeç, dhe bashkëshortes së tij Alfira brenda vilës së tyre së bashku me 8 shishe uiski dhe 230 mijë paund. Fqinjët deklaruan se kohët e fundit bashkëshortët kishin shfaqur shenja depresioni.
10. Arabi Saudite
Predikuesi i njohur saudit, Faihan al-Gameri, është vënë nën akuzat e torturave çnjerëzore me pasojë vdekjen e vajzës së tij 5-vjeçare, Lama. Sipas mjekut, vajza ishte torturuar me kamxhik, goditje elektrike dhe hekur të nxehtë. Vogëlushja vdiq nga një hemorragji e brendshme në spital.
11. Francë
Sipas së përditshmes “Le Figaro”, në Francë, në muajin tetor krimet e dhunshme në krahasim me të njëjtin muaj të 2011-s, janë shtuar me 9%, vjedhjet me 8%, ndërsa krimet financiare me 18%. Ministri i Brendshëm francez, Manuel Val, nuk i kundërshton shifrat, por akuzon gazetën për instrumentalizim të informacionit.
12. Nigeri
Katër adoleshente kanë krijuar një produkt të ri ekologjik për të prezantuar në panairin “Maker Faire Africa”. Ato kanë shpikur një gjenerator që arrin të prodhojë elektricitet me anë të urinës për 6 orë. Urina vendoset në kutiza me hidrogjen dhe me anë të valvulve të sigurisë kontrollohet i gjithë procesi.
