Sot shënohet Dita Botërore kundër Kancerit. Sëmundja e rëndë që mund të shfaqet në pjesë të ndryshme të trupit është përgjegjëse për 20 për qind të vdekjeve që ndodhin në Europë. Çdo vit, mbi 3 milionë raste të reja diagnostikohen me kancer, ndërsa 1.7 milionë të sëmurë vdesin për shkak të tij. Kanceri mbetet sëmundja e dytë me numrin më të lartë të vdekjeve, pas patologjive kardiovaskulare.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e përkujton 4 shkurtin si Dita Kundër Kancerit. Në raportet e saj të përvitshme, krahas numri të të sëmurëve, të vdekurve dhe atyre që i kanë shpëtuar sëmundjes së rëndë, OBSH publikon edhe rekomandime mbi mënyrën se si mund të parandalohet kjo patologji. Një stil jete më i kujdesshëm dhe kontrolle të herëpashershme mbeten dy këshillat kryesore.
