Serbia tërhiqet nga gara e “Miss Globe”

redaktor

Nga vende të ndryshme të botës, 44 vajza do të marrin pjesë këtë vit në edicionin e 41-të, të “Miss Globe”, i cili për të 11-in vit organizohet në Shqipëri. Si çdo herë tjetër, organizatorët kanë hartuar turin turistik të vajzave që vijnë nga të pesë kontinentet dhe që do të fillojnë të mblidhen në Shqipëri nga dita e nesërme deri më 27 tetor. Kështu në hartën e udhëtimeve të këtij viti do të jetë Tirana, Vlora me historinë e saj, (me datë 28 tetor), një udhëtim me anije në Gjirin e Karaburunit, Llogaraja, tur me xhip safari në malin e Pilurit, Radhima e më pas grupi do të drejtohet për në veriun e Shqipërisë, për të ndalur në qytetin e Pukës. Pas Pukës, konkurrentet e këtij viti do të vizitojnë Ulqinin dhe Ishullin Ada në Malin e Zi, dhe më pas kthim në Shqipëri, për t’u ndalur në qytetin e Shkodrës, qytet ku mbrëmjen e 8 nëntorit do të zhvillohet finalja e madhe.

 

Viti i fundit i Miss Globe

“Ky është viti i fundit që “Miss Globe” organizohet në Shqipëri”, ka thënë Petri Bozo në konferencën e parë për shtyp dhënë për mediat, ku ishte e pranishme edhe “Miss Shqipëria 2014”, Anisa Petrela, përfaqësuesja kosovare, Almira Llolluni dhe prezantuesja e këtij viti, Orinda Huta. “Dhe jo rastësisht jemi në Shkodër, do ta mbyllim këtu sepse ndihem personalisht borxhli ndaj kësaj kryeqendre të historisë dhe kulturës së veriut shqiptar. Hera e fundit që kemi qenë në Shkodër ka qenë para shumë vitesh me “Miss Shqipërinë”.

Ndërkaq, Bozo ka theksuar se gjatë këtyre 11 viteve që “Miss Globe” është organizuar në Shqipëri, “Deliart Association” e ka përmbushur detyrën që i kishte vënë vetes ditën që mori për herë të parë të drejtën e organizimit të këtij eventi këtu. “Misioni i këtij eventi botëror në Shqipëri është përmbushur, duke realizuar të gjitha ato çfarë kishte si qëllim: promovimin e Shqipërisë në botë, prezantimin e kulturës dhe historisë tonë dhe shndërrimin e këtij konkursi bukurie në një promovues të më të mirës së vlerave shqiptare. Këtë e kemi bërë këto 11 vjet me qindra bukuroshe, përfaqësuese të vendeve të tyre në Shqipëri, të cilat kanë qenë ambasadoret tona më të mira nëpër botë. E ndjej këtë kur shkoj si anëtar jurie nëpër evente të tjera ndërkombëtare. E përmbushëm misionin tonë pavarësisht se herë e kemi pasur e herë jo (më shumë jo në fakt), përkrahjen financiare të shtetit”.

Producenti Petri Bozo dhe “Deliart Association”, pas kontratës së nënshkruar vite më parë, me mbajtësen e patentës, bashkëshorten e themeluesit Charlie See, Anne See, do të vazhdojë të jetë ekskluzivisht organizatori i “Miss Globe”. “Por shumë shpejt mund të dëgjoni lajmin se “Miss Globe” mund të mbahet në një vend tjetër”, ka thënë ai.

Ndërkaq, përgjatë turit turistik, siç e parashikon edhe formula e spektaklit, në qytetet që do të vizitojnë, vajzat do të jenë edhe pjesë e minikonkursit, “Miss Talent Show”, finalja e të cilit do të jetë me 2 nëntor në qytetin e Ulqinit. Në këtë minikonkurs secila prej bukurosheve pjesëmarrëse do të garojë në kërcim, këngë, pikturë, gjimnastikë apo për çdo prirje tjetër. Fituesja do të performojë edhe në natën finale shoqëruar me një numër artistik.

 

Orinda Huta, prezantuese

Sa për spektaklin, sigurisht edhe këtë vit janë menduar shumë surpriza dhe të ftuar. Koncepti i këtij i viti është “femra e fortë që të kujton amazonat; femra që i jep dritë të gjitha tapeteve të kuq; femra protagoniste e modës; femra në qendër të gjithçkaje” duke gjetur kështu edhe pikat e referimit në favor të sfilatave të spektaklit.

Në të njëjtin koncept mbeten edhe ndërtimi i videoklipeve nëpërmjet të cilëve do të vijë shkëmbimi i eksperiencave dhe kulturave, i multietnicitetit.

Nuk do të mungojnë edhe shumë miq, artistë të njohur dhe të famshëm shqiptarë. Nata finale e këtij spektakli sivjet do të prezantohet nga bukuroshja, Orinda Huta. “Pas eksperiencës së bukur dhe suksesit që kishim me “Miss Shqipërinë 2014”, vendosëm ta vazhdojmë këtë bashkëpunim”, ka thënë Bozo.

 

Pas 14 tetorit, Serbia tërhiqet

Ndërkohë, pas ngjarjeve në ndeshjen Serbi-Shqipëri në Beograd, komenteve politike dhe polemikave që pati, përfaqësuesja serbe është tërhequr nga gara. “Më vjen keq për këtë, ka thënë Bozo, sepse të gjitha vajzat serbe që kanë marrë pjesë në “Miss Globe”, gjatë viteve të kaluara, janë larguar me përshtypjet më të mira nga Shqipëria e madje kanë shprehur edhe dëshirën të kthehen sërish. Por ky ishte vendimi i tyre”. Ne kërkuam një shpjegim te producenti Petri Bozo, se si kishte ndodhur kjo tërheqje e përfaqësueses Serbe dhe morëm këtë përgjigje: “Drejtorët nacional të vendeve përkatëse sjellin përfaqësueset e tyre. Ky nuk ishte vendim i vajzës për t’u tërhequr ose jo dhe nuk e vendos ajo. Drejtori nacional i Serbisë nuk ka sjelle fare të dhëna për konkurrenten e këtij viti. Pra nuk ka ardhur fare në Shqipëri. Bashkë me konkurrentet drejtoret nacionale janë edhe vetë të pranishëm në vendin tonë, por pas 14 tetorit dhe ngjarjes që ndodhi në Beograd, Serbia njoftoi se nuk do të jenë fare të pranishëm”- sqaron Bozo për gazetën “Dita”.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *