Sekretari për Rininë dhe Emigracionin, në PS-së ka komentuar vizitën e Komisionerit të Zgjerimit të Bashkimit Europian, Stefan Fyle në Tiranë. Erion Veliaj e ka cilësuar si një vizitë të suksesshme dhe për faktin se u theksua fortë që zgjedhjet e 23 qershorit janë të një rëndësie të veçantë. I ftuar në emisionin “Prizëm” në AS, Veliaj ka folur dhe për tre kushtet e vëna nga Brukseli dhe konsensusin e munguar mes palëve. “Vizita e Fyles në Tiranë nuk ishte një vizitë e dështuar. Shqiptarët duhet të heqin sensin e inferioritetit ndaj të huajve. Në vendin tonë nuk është problem miratimi i ligjeve. Kemi shembullin e Kodit Zgjedhor që u zgjodh me konsensus dhe mazhoranca e rrëzon me 71 vota në kuvend kur ndan mandatet sipas dëshirës së saj. Vullneti i bashkimit Europian është shprehur i qartë pro afrimit me vendin tonë. Por kemi pas edhe probleme. Sot kemi probleme me vendin që i dorëzuam aplikimin e vendit kandidat. Bëhet fjalë për çekët të cilët janë të prekur drejtpërdrejt me çështjen e CEZ”, u shpreh Erion Veliaj.
Akuzat ndaj mazhorancës
Më tej, Veliaj ka folur dhe për zaptimin që kryeministri Berisha u ka bërë institucioneve të pavarura në vend, duke filluar nga presidenca, SHISH, prokuroria, gjykatat etj. “Sot që flasim jemi në një moment që kryeministri ka pushtuar të gjitha institucionet e pavarura në vend. Ku ka pas një vullnet ka pas nj rrugëzgjidhje për të gjetur konsensus mes palëve. Duhet një lloj balancimi që të mos jenë të gjitha pushtetet në një dorë të vetme. Konsensusin duhet ta garantoj ai që ka çdo pushtet. S’mund t’i kërkosh opozitës të jap konsensus kur nuk ka asgjë në dorë,” tha Veliaj. Më tej ai theksoi se në Këshillin e qarkut të Fierit kemi deformim të vullnetit të zgjedhësve. Veliaj ka folur dhe për akuzat që i bëhen opozitës. “Kemi një strategji të koordinuar që nuk merret njeri me qeverinë por thuhet se dhe opozita është si qeveria. Unë kur jam kthyer në Tiranë para viteve 2000 isha ende student. Atë kohë ishte kryetar i bashkisë së Tiranës ishte Brojka. Kur fliste Rama për ndryshim i thoshin se ka shumë probleme në këtë qytet. Sot kemi një shembull që dy njerëz të ndryshëm kanë rezultate të ndryshme. Kur iku nga bashkia Rama nuk kishte punësuar kushërirën e tij aty, ndryshe nga pala tjetër që edhe për të protestuar shkojnë kushërinjtë e Sali Berishës,” tha më tej Veliaj. Veliaj foli dhe për arsyet pse më 23 qershor opozita do të fitojnë të drejtën për të qeverisur vendin për një mandat katër vjeçar.
