I nderuar lexues! Kongresi i Triestes ishte kongres i përfaqësuesve shqiptarë për të biseduar mbi kufijtë etnikë të Shqipërisë. U mbajt në fillim të marsit 1913, kur në Londër Konferenca e Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha, po merrej me shqyrtimin e kufijve të Shqipërisë. Morën pjesë delegatë nga të gjitha viset e Shqipërisë, të kolonive shqiptare në SHBA, Rumani, Turqi, Egjipt dhe arbëreshë të Italisë. Elementët patriotikë kërkuan që në përbërjen e shtetit shqiptar të përfshiheshin katër vilajetet: i Kosovës, i Shkodrës, i Janinës dhe i Manastirit. Delegatët u shprehën të një mendimi se minoritetet e kombësive të tjera mund të jetonin në harmoni të plotë me shqiptarët. Kongresi tregoi se paqja e vërtetë në Ballkan nuk mund të arrihej në rast se Fuqitë e Mëdha nuk merrnin parasysh kërkesat e shqiptarëve.
