Nëse ende nuk keni një ide për dhuratën e Shën Valentinit, një stilist australian ju ofron një të tillë. Një unazë prej ari 24 karat, e veshur me … mish njeriu.
Stilisti eksentrik Sruli Recht ka dizenjuar një unazë ari, e cila është e veshur në pjesën e jashtme me lëkurën e stomakut të tij, e hequr nga një operacion i kryer kohët e fundit. Vlera e unazës është 500 000 dollarë australianë. Në pjesën e lëkurës janë ngjitur edhe fije nga flokët e stilistit. Fillimisht lëkura e stomakut të stilistit është përpunuar me kripë dhe lëndë të tjera, për t’u ngjitur më pas me rrethin e artë. Blerësi i unazës merr bashkë me të edhe një certifikatë që provon autenticitetin nëpërmjet ADN-së.
Recht është një stilist që njihet për futjen e elementëve jo të zakonshëm në koleksionet e tij. Vitin e kaluar, ai u komentua gjatë në media për përdorimin e 27 qengjave të dështuar për rrobat e koleksionit të tij.
Në faqen zyrtare të kompanisë së tij, Recht e përshkruan markën e themeluar në Reikiavik si prodhuese të veshjeve të veçanta si çadra, shalle antiplumb, rripa, çizme etj, të cilat “zbukurohen” me materiale si diamante, lëkurë apo lesh.
Në fund të fundit, edhe për këto lloj gjërash ka treg, pavarësisht se shumë i kufizuar.
