Alfred Uçi: Unë, partizani 14 vjeçar

redaktor

Ndërsa edhe pak ditë na ndajnë nga kremtimi i 70-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë, debatet vazhdojnë nëse ajo ishte një luftë e drejtë apo jo dhe nëse duhet kremtuar kjo ditë e shënuar. Flasin historianët, shfletohen dokumentet e kohës, organizohen konferenca shkencore e sajohen tryeza debatesh nëpër ekrane. Por gjithnjë e më të paktë janë ata, pjesëmarrësit e asaj lufte që dëshmojnë për atë luftë. Kjo për faktin e thjeshtë të kohës së gjatë që ka kaluar dhe koha ka bërë të sajën. Shumica e atyre që i shin protagonistë të asaj epopeje nuk jetojnë më. Dhe këta të paktët që kanë mbetur ngrihen fuqishëm në mbrojtje të asaj lufte, të kujtimit të dëshmorëve dhe nuk lejojnë që mbi atë periudhë të lavdishme të hidhet baltë dhe të abuzohet.

Profesor Alfred Uçi është një nga këta. Ka qenë ndër partizanët më të rinj të asaj armate partizane me 70 m ijë luftëtarë. Nuk i kishte mbushur ende 14 vjeç kur mori pjesë në çlirimin e qytetit të Korçës, ku i tërhoqi vëmendjen një misionari amerikan që i ka bërë më 24 tetor 1944 një fotografi të paharruar që është botuar dhe në shtypin amerikan në atë kohë. Por nuk i ka shkruar ende kujtimet për atë luftë. Ai punon çdo ditë dhe vazhdon të botojë libra të çmuar për estetikën dhe filozofinë, fusha në të cilat mbetet i pakrahasueshëm deri më sot në kulturën shqiptare. Nuk besoj se nxjerr ndonjë sekret kur them se është duke punuar mbi një libër që mund të konsiderohet universal dhe që ka për objekt tre emra të mëdhenj: Kafkën, Migjenin dhe Kadarenë. Megjithatë, në këtë intervistë ekskluzive për gazetën ‘DITA’, Porf. Uçi u kthehet kujtimeve të asaj kohe, kujton bashkëluftëtarët e tij partizanë, ndërsa e quan atë luftë një nga faqet më të ndritura të historisë sonë kombëtare. Mbase kjo intervistë do të bëhet shtysë që Profesor Uçi të ulet dhe t’i shkruajë këto kujtime…

 

– Profesor, bashkë kemi bërë një bashkëbisedim me rastin e 70 vjetorit të lindjes tuaj. Në 70 vjetorin e Çlirimit dua t’ju pyes: Kini kaluar një jetë të gjatë; edhe pak ditë e mbushni 84 vjeç. A mund të na i përmblidhni shkurt se ç‘kanë qenë për ju këto vite jete?

– Thjesht u përgjigjem, se kanë qenë vite pune e përpjekjesh, angazhimi të përhershëm në lidhje të ngushtë e të pandarë me vendin, me fatin, gëzimet e hidhërimet e popullit tim. Nuk e kam ndjerë veten asnjëherë të përveçuar prej tij, ndonëse historia jonë ka qenë e vështirë, me shumë zik-zake, me ngjarje të rënda, me kthesa herë përpara, herë prapa, që i kemi përjetuar me durim, besnikërisht, aktivisht, duke besuar se atdheu ynë ka merituar një fat më të mbarë, jo duke e bërë sehir, por duke iu përkushtuar me shpirt e dashuri përparimit e mirëqenies së tij.

– Thuhet zakonisht se kur njeriu hyn në moshën e tretë, e kthen vështrimin te e kaluara, tek origjina, prandaj, mund të na rrëfeni se cili jeni ju: korçar, kolonjar apo devolli ?

– Sigurisht, vendlindja është e rëndësishme se të dhuron genet, jetën, për këtë arsye në krye e quaj veten Korçar, se aty kam lëshuar klithmën e parë të lindjes, prandaj kam nostalgji e mall të pashuar për gurët e kalldrëmeve të rrugicave të pastra, për tisin e jargavantë të vargmaleve të Moravës, për plepat vjeshtakë verdhashë të fushës dhe pyjet me pishat e gjelbra, për kurorën e bardhë nga dëbora të kodrave të Shendëllisë e Shënthanasit, që rrethojnë shtëpijëzat me kangjella karakteristike të bukura të qytetit, për Bibliotekën të mbushur raftet me libra në gjithë gjuhët e botës dhe për Pazarin me bollëkun e gjithë të mirave të dheut; ruaj kujtimet e mrekullueshme të shokëve, miqve dhe njerëzve të mirë, të urtë e të fortë të qytetit e të fshatrave, pastaj s’më ndahen nga mendja monumentet madhështore të Ushtarit të Panjohur dhe të Themistokli Gërmenjit dhe histori heroike të luftrave të tyre për liri e pavarësi dhe për shumë gjëra të tjera të mëdha e të vogla, për të cilat kam atë mall mall që e kanë edhe gjithë korçarët e largur nga vendlindja për shkaqe të ndryshme. Unë e kam quajtur veten njeri me fat, që pata jetuar qoftë për pak kohë, 15 vjet në një qytet ku rrezatohej kulturë, arësim e qytetërim. Më kujtohen libraritë e pasura me libra, revista e paisje shkollore. Në shtëpinë tonë nuk kish shqetësime të tepruara për zairetë e dimrit, por për librat e reja, për lajmet e radios, për filmat, koncertet e bandës muzikore, që ekzekutonte këngët patriotike, lirikat korçare dhe muzikë klasike në kopshtin e vogël ku losnin e bridhnin fëmijë e ku pushonin pleqtë. Kam dëgjuar në sallën e kino “Luksit” zërin e gjallë e të mahnitshëm të Tefta Tashkos, të këngëve popullore dhe arieve operistike, edhe zërin e fuqishëm të Kristaq Antoniut. Në Korçë zhvillohej teatri amator, që vinte në skenë komeditë e Molierit, drama të Shilerit, madje edhe “Hanko Hallën” e Ali Asllanit. Në shtypshkronjat e Korçës shtypeshin revista latrare, shkencore e politike me rëndësi kombëtare si “Flaka”, “Rilindja” dhe sidomos “Bota e Re”, në syrën e së cilës e kam vizituar qysh atëhere, se më merrte për dore babai im, i cili ishte edhe redaktor i kësaj reviste… Në rrugët e Korçës edhe ne fëmijët (Vangjushi, Rolandi, Aliu, Dhimosteni, Ramini, Ylli, Xhemili, Bardhyli, Serdili, Raqi, Hektori etj.), merrnim pjesë në demonstratat e punëtorëve, antifashiste, patriotike, për bukë, punë, liri e demokraci. Prandaj, më mbetet i gjallë gjithnjë përfytyrimi i qytetit, i këtij Parisi të vogël shqiptar.

– E mora vesh që jeni krenar si korçar. Po pse ju ‘akuzojnë’ se jeni edhe kolonjar?

– Po sepse unë jam edhe kolonjar, se ndjej në rrëmbat të më lëvrijnë ca gene nga Luarasi, që më kanë detyruar të jem në bashkëbisedim, në këshillim e në mbikqyrjen e përhershme të gjyshit Petro, të nënës Shega, të dajiut Skënder e gjyshes Lina. Ndaj tyre më ka ndjekur një peng, një borxh se mësova gjuhën shqipe, fitova dashurinë për arsimin dhe atdhetarinë, më të lartën vlerë njerëzore, dhe jam përpjekur ta plotësoj atë peng, duke botuar në njëqindvjetorin e vdekjes së Petro Nini Luarasit, librin kushtuar atij, mendimtarit të Rilindjes Kombëtare që pat shkruar librin e shkëlqyer kundër mallkimit të shkronjave shqipe. Petro Nini ka qënë edhe bir i Korçës, ku u hap shkolla e parë shqipe, një shkollë e veçantë, e jashtzakonshme, se në themel të saj qendronte platforma e Rilindjes Kombëtare, shkollë që i kish portat e hapura për fëmijët e familjeve myslimane, të krishtera, ortodokse, katolike e protestanë, që u mësonte gjuhën e bukur të Naim Frashërit dhe gjuhën franceze, që sillte frymën e iluminizmit, e kulturës perëdimore. Veprën e Petro Ninit e vazhduan shumë arsimtarë në të katër anët e vendit, që punuan edhe në Korçë, ku edhe bijat e tij – Thomaidha dhe Shega Uçi, nxënëse të shkollës së vashave dhe pastaj u bënë mësuese të saj. Këtu dha mësim jo vetëm shqip, Shega, e cila kishte kryer “Robert Kolegjin” Amerikan të Stambollit, por u mësonte edhe anglishten fëmijëve që ndiqnin vite me radhë shkollën e çiftit amerikan “Kenedi”. Duke qenë “korçar”, kjo s’më pengon ta quaj veten edhe “devolli”, sepse im atë, Mina Uçi ridhte nga një fshat i njohur, nga Hoçishti. Gjyshi nga im atë, Kristo Uçi, kish qenë emigrant në Stamboll dhe Rumani, mik i ngushtë i Ismail Qemalit, atdhetar i patundur. Kur u kthye në Devoll më ka mësuar që i vogël se jeta pa punuar dhe pa dashuruar Atdheun, s’është gjë; që këtej priti në shtëpi nuse të djalit Shega Luarasin, vajzën e ish mikut të tij, P.N.Luarasit, që e kishin luftuar egërsisht dhe e helmuan armiqtë e Shqipërisë, kurse ai u thoshte: “Vritmëni, por gjakun ma ruani, që me të të shkruajnë shgqip nipërit tuaj”. Në Korçë edhe unë gjeta fat e lumtëri të martohem me korçaren, Rozeta.

– Sa ka ndikuar kjo trashëgimi dhe traditë familjare në përfshirjen tuaj në moshë të njomë në Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare?

– Pikërisht këtu doja të dilja, ndërsa u zgjata duke folur për karakteristikën time të trefishtë, se s’dua të krijoi përshtypjen e lokalistit, por këto karakteristika të bashkuara më kanë bërë borxhlli ngaqë më kanë dhuruar vlera të dobishme sidomos në dy drejtime të rëndësishme qytetarie, që nuk mund t’i le mënjanë: Së pari, më dhanë mundësinë edhe mua të marr pjesë aktive qysh në moshë të njomë në Luftën e lavdishme Nacional Çirimtare, që ka qenë ngjarja më e rëndësishme historike e shpëtimtare për lirinë e pavarësinë e Atdheut tonë gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke e lidhur Shqipërinë me Aleancën e Madhe Antifashiste Ndërkombëtare. Ndryshe nga ndonjë, që e kujton këtë Lëvizje antifashiste, si mollë sherri e për të ringjallur armiqësi të vjetra që duhen harruar, për mua ajo është një festë fatlume, që i ndjek deri në varr me lavdi të gjithë pjesëtarët e saj për idealin e tyre liridashës, demokratik dhe antifashist. Edhe tani ky ideal e bën njeriun më të mirë, tek duam të afrohemi e të hyjmë në Europën e Bashkuar e të qytetëruar. Gjithë pjesëtares e familjes time u bashkuan me Lëvizjen Nacional Çeirimtare. Për këtë arsye regjimi fashist e burgosi babanë tim qysh më 8 nëntor 1941 dhe e internoi gati tre vjet në një ishull të shkretë të Italisë. Pas kapitullimit të Italisë im atë u kthye në Shqipëri dhe u bashkua me çetat partizane në zonat e çliruara, u caktua delegat në Kongresin historik të Përmetit dhe Kryetar i Këshillit Nacional-çlirimtar i Devollit. Nëna ime pat qenë dy herë Kryetare e Këshillit antifashist të grave të qytetit të Korçës. Edhe ajo u burgos më 1943 dhe u internua në kampin e përqëndrimit në Porto Romano të Durrësit e në Burrel, nga ku u arratis bashkë me tre shoqe dhe u kthye në zonat e çliruara, ku u caktua përgjegjëse e spitalit të partizanëve në Tudas të Oparit dhe prej andej delegate e Korçës në Kongresin e Përmetit dhe në Kongresin e Gruas në Berat.

– Ndonëse i vogël 14-vjeçar ju keni marrë pjesë në Lëvizjen Nacional-Çlirimtare; mund të na tregoni tani, pas 70 vjetësh, ndonjë ngjarje që të bind se edhe të rinj e të vegjël jepnin kontribut të vlefshëm në atë kohë?

– Ne të vegjlit e vinim re se të mëdhenjtë në kohën e luftës nuk na besonim sa dëshironim dhe prandaj ndonjë herë ndërmerrnim veprime me kokën tonë. Kështu një herë me Vangjush Gambetën, që më vonë do të bëhej gazetar i njohur, vendosëm të shkonim në Plasën e Sipërme, domethënë në kasollet e vllehve, për të folur për rëndësinë e Luftës Nacionalçlirimtare dhe për pjesëmarrjen e të rinjve në radhët e formacioneve partizane. Vajtëm në këtë fshat se i biri i priftit, që kishte qenë një vit bashkënxënës me ne në Liceun e Korçës, vitin e fundit nuk e vazhdoi shkollën ngaqë i ati e kishte vënë të ruante bagëtinë. E takuam shokun tonë, kur po kulloste bagëtinë në një lëndinë pranë kasolleve, ku i banonte familja. I ati, prifti kish shkuar në pyll për dru, kështu që patëm mjaft kohë të lirë dhe folëm mbarë e prapë për fitoren e shpejtë mbi fashizmin. Atij iu mbush mendja dhe na dha fjalën se do të dilte partizan. Dhe vërtet, pa i marrë lejë atit, u nis një ditë dhe shkoi në Batalionin “Fuat Babani”. Pas ca kohësh edhe unë vendosa që të dilnja malit. Të vetmen pengesë kisha braktisjen e familjes -vëllanë e gjyshen, sepse babanë e nënën i kisha të dy të internuar, njërin në Itali dhe tjetrin në kampin e përqëndrimit në Porto Romano të Durrësit. Por duke i besuar asaj fjale që e përdornja shpesh për afrimin e ditës së Fitores, m’u mbush mendja se po vonohesha dhe prandaj, bleva një kasqetë dhe një palë pantallona qillota dhe u nisa drejt Boboshticës, duke kaluar postëbllokun me një lejë hyrje-dalje në Korçë që e kishte pasur një kushëriri im që punonte në rregullimin e aerodromit të ri ushtarak në fushën e Dvoranit. Pasi kaluam natën me shumë shokë rrugën automobilistike Korçë-Ersekë, arritëm në Polenë e prej andej, pas një udhëtimi të gjatë, përfundova në Lavdar të Oparit, ku ndodhej Shtabi i Qarkut të Korçës. Unë prisja aty të më jepnin armët e të nisesha drejt ndonjë formacioni luftarak, kurse më caktuan që të punonja çentralist i telefonave. Një herë kur më duhej të merrja një xhaketë partizane, bashkë me një shok tjetër u nisëm nga Lavdari për të shkuar në Tudas, një fshat i afërt, ku ndodheshin depot me veshmbathje. Në mes të rrugës u ndalëm në një burim se ishte vapë e deshëm të pinim pak ujë. Rastësisht hodha vështrimin prapa, mbi lëndinë dhe aty pashë një varr. U ngjita dhe u afrova dhe aty lexova emrin e shokut tonë nga kasollet e Plasës. Pastaj më treguan se ishte vrarë nga gjermanët gjatë operacionit të dimrit, kur e kishin nisur si korier për të shpënë ca urdhra luftarakë në Vithkuq. Që atëhere e deri tani, kur mendjen ma rrëmbejnë kujtimet, gjithnjë kujtoj me dhimbje e trishtim të thellë shokun dëshmor: Më duket se jam fajtor ndaj tij, më duket sikur unë e Vangjushi e morëm më qafë. E di se në luftë është si në luftë dhe luftë pa sakrifica nuk ka; pastaj ne mendonim në atë kohë se pjesëmarrja në Luftën çlirimtare ishte nder e detyrë për secilin. Pastaj, e qetësoj veten duke menduar se edhe vetë dola në Brigadë partizane, madje jo një herë kam shpëtuar për një fije; edhe vetë mund të isha vrarë, sepse që kurse pashë varrin e shokut, kërkoja me insistim të më transferonin, më në fund u përfshiva në Brigadën e 9-të Sulmuese.

Para disa ditësh ju morët pjesë në festën e 70-vjetorit të çlirimit të Korçës. Si e përjetuat atë festë, a treguat kujtime?

Po isha i ftuar dhe fola në atë festë. Bëhet shumë mirë që organizohen festa të tilla, jo vetëm për ne që ishim në atë luftë dhe që kemi mbetur fare pak tani, po më shumë për brezat e rinj. Ajo luftë ka vlera të jashtëzakonshme dhe duhet ruajtur si një thesar i historisë sonë si komb. Lexoja këto ditë disa kujtime nga koha e luftës; përmendej në to historia e organizimit të një radiostacioni transmetues në qytezën e Vithkuqit. Leximi i këtyre kujtimeve më solli në mendje edhe një ngjarje të atyre kohëve që lidhet edhe me veprimtarinë time ”revolucionare”. Pranë dyqanit tonë, karshi farmacisë së njohur të Cekanit, ngjitur me dyqanin tonë ndodhej një dyqankë e vogël, ku Ica dhe një tjetër që nuk ia mbaj mend emrin, ishin teknikë radioje. Në dyqanin e tyre vinja shpesh ngaqë e dinja se ishin njerëz të lidhur me lëvizjen tonë. Aty më jepnin ndonjë komunikatë si edhe më shkruanin ndonjë nga këngët partizane të përhapura në atë kohë. Por sadoqë besonin e nuk kishin frikë prej meje, kur kërkonja të hynja në ndarjen tjetër të dyqanit, në pjesën e prapme, ata nuk më linin dhe unë kisha gjithnjë dëshirë të mësonja se ç’fshihej aty. Në atë kohë më dukej se shumë nga punët më të rëndësishme që bëheshin në fshehtësi të madhe, në ilegalitet, siç thuhej në ato kohë. Një herë, vura re se po hynin në dyqanin e Icës dy policë. Nga kurioziteti u afrova dhe pashë se ata po i kërkonin që t’u tregonin lejën e ushtrimit të profesionit që jepte Bashkia. Ndëersa po nxirrte nga portofoli lejën, duke iu dridhur duart, Icës i shpëtoi nga duart dhe i ra për tokë një letër, të cilën shpejtoi të përkulej për ta marrë Thanas Mërtiri, por turrja e rrëmbyer e tij për tokë, e bëri të dyshojë policin, i cili e shkeli letrën dhe zgjati dorën ta marrë, kur të dy Mërtiri e Ica u zverdhën të frikësuar. Letra kish qenë një komunikatë, nga ato që shtypeshin ilegalisht dhe shpërndaheshin nëpër gjithë shtëpitë e rrugëve të Korçës. E atëhere, pasi polici e kuptoi se ç’ishte letra, i kërcënoi duke i pyetur se ku e kishin gjetur, meqënëse nuk u kënaqën nga përgjigja “Në rrugë!”, u thanë se do t’i shoqëronin në kuesturë. Mërtiri mbylli dyqanin me çelës dhe së bashku me Icën policët i vunë në mes tyre dhe u nisën poshtë rrugës. Mërtiri hodhi vështrimin nga dyqani dhe më pa mua, që qendronja në trotuar, e tundi kokën, si punë shenje, që t’i ndiqja pas. Unë mbylla me të shpejtë dyqanin dhe fillova t’i ndjek. Mërtiri ma bënte vazhdimisht me dorë nga mbrapa që t’i ndiqja. Kështu kaluam urën, ku lumi gjarpëronte pranë Kuesturës. Duke qenë jo shumë larg, vura re se Mërtiri, në një gropë në mes të kalldrëmit, hodhi diçka. Unë shpejtova, u afrova dhe pashë se kishte hedhur çelësin e dyqanit. U ula, e mora dhe me të shpejtë ia dhashë vrapit, duke u larguar nja dhjetë-pesëmbëdhjetë metra larg tyre, që i ishin afruar Kuesturës dhe u kthyen për të hyrë në portën e saj. Në këtë çast, Mërtiri ktheu kokën dhe e pa që isha i gëzuar dhe e përshëndeta me dorë. Unë e kuptova se në dyqanin ruhej diçka që s’duhej lënë aty ta gjenin milicët kur ta kontrollonin. Prandaj shpejtova të takoj Raqi Themelin, që e dinja se ishte një nga drejtuesit e njësiteve guerilase. Ne e kishim mik të ngushtë të familjes, dhe prandaj im atë i kish venë emrin djalit të tij, duke e bërë adash me mua; e quajti Alfred (shumë vite më vonë e pata student në Fakultetin e Mjekësisë, ku jepnja filozofinë). E gjeta Raqin, i rrëfeva gjithë ngjarjen dhe i dhashë çelësin. U ktheva në dyqanin tonë, por e kisha vemendjen te dyqani i Icës dhe prisnja kur do të vinte Raqi me shokët e tij. Pas pak pashë Raqin së bashku me Llambi Kudhrën, të cilin gjithashtu e njihja si aktivist. Të dy hynë në dyqanin e Icës, diçka kishin futur në dy thasë të mbushur plot dhe u fshehën në portën e një shtëpie që ishte karshi dyqanit tonë, ngjitur me farmacinë Çekani. Pas pak dualën Raqi e Llambi, kurse i zoti i shtëpisë zgjati kokën te porta dhe vështroi se mos e pa ndonjë njeri rrugës. Se ç’kishte në dy thasët unë nuk e morra vesh, por Raqi më përgëzoi dhe më këshilloi të mos i them asnjë njeriu për ngjarjen. Unë isha mësuar me konspiracion dhe vetëm shumë më vonë e morra vesh se ç’kishte ndodhur. Të nesërmen u përhap në gjithë Korçën lajmi se Ica dhe Mërtiri ishin arratisur nga Kuestura, kishin kërcyer nga një dritare, buzë lumit, që shkonte më poshtë drejt pazarit, Radanecit. Në shtratin e lumit ato ditë nuk kishte gati fare ujë, i tillë kish qenë lumi ose, më mirë, përroi që ndante më dysh qytetin. Nëpër shtratin e lumit Ica e Mërtiri kishin dalë jashtë qytetit dhe ishin sosur në fshatin më të afërt të fushës, në Çiflik e pastaj në Bulgarec, ku ndodhej baza e partizanëve të çetës së Fushës.

Vetëm, kur pas disa muajsh dola partizan, mësova se ç’kish pasur në ato dy thasë. Në to kishin futur pjesët e një radiostacioni, që ishin duke e përgatitur në atë dyqan fshehurazi. E dinja se Ica dhe Thanasi ishin teknikë që ndreqnin radiot. Në atë kohë, Shtabi i Qarkut të Korçës, që ndodhej në Voskopojë, kishte vendosur që aparaturat e shpëtuara të përdoreshin për të ngritur një radiostacion në zonën e çliruar, në Vithkuq. Në një godinë larg qytezës, aty punonin Ica dhe Mërtiri që e përgatitën dhe filluan të bënin provat dhe jepnin emisionet e para me lajme e thirrje luftarake nga zonat e çliruara partizane.

Pas disa ditësh, një repart special forcash të armatosura të okupatorëve u nis drejt Vithkuqit, rrethoi shtëpinë ku ndodhej radiostacioni, u ndesh me rezistencën e Icës dhe Mërtirit dhe të disa partizanëve, por forcat fashiste ishin të shumta dhe s’mundën të përballoheshin nga partizanët. Kur filluan të tërhiqeshin, mbeti i vrarë Th. Mërtiri, kurse Ica e shokët e tjerë u tërhoqën e shpëtuan. Fashistët e dogjën shtëpinë së bashku me radiostacionin partizan. Kështu mbaroi historia e radiostacionit të Shtabit të Përgjithhëm të Lëvizjes Antifashiste Nacional çlirimtare. Unë mburresha që kisha dhënë kontributin tim për shpëtimin e tij. Por unë 14 partizan pata përsëri rastin të ritakohesha me Icën dhe të gjendesha në një aventurë tjetër, kur bashkëpunonim në centralin telefonik të Shtabit të Qarkut të Korçës që ndodhej në fshatin Lavdar të Oparit. Por këtë episod do të rrëfej një herë tjetër.

– Një fotografi e juaja në ditën e çlirimit të Korçës është mjaft e njohur, pasi është botuar në Shtetet e Bashkuara qysh atëherë. Mund të na e tregoni historinë e saj?

Po. Do t’ua tregoj. Kur qeshë partizan kam bredhur në Gorë e Mokër, në Voskopojë e Opar, në Skrapar dhe Përmet, duke vuajtur e përballur dy Operacionet e dimrit 1943 dhe të qershorit 1944, që më dha të drejtën të kthehem në Korçë para disa ditësh me cilësinë e një veterani të moshuar. Nuk mund të rri pa kujtuar pasditen e 23 tetorit 44, kur forcat e Brigadës së IX Sulmuese, në të cilën bëja pjesë edhe unë, e çliruan Korçën, para se të çlirohej gjithë vendi më 29 Nëntor 1944 dhe para se të kishte përfunduar Lufta botërore. Të nesërmen më 24 tetor në sheshin e sportit të qytetit tashmë të lirë, u grumbulluan gjithë forcat e Brigadës së IX dhe aty një oficer i Misionit amerikan, shkruante artikuj për në Amerikë. Ai desh të bënte një fotografi edhe me mua; sigurisht, nuk më dalloi si kryetrim të fortë, por si partizanin me moshë më të vogël të Brigadës. Atë fotografi ma dërgoi pastaj të shtypur në gazetë me korespondecat e tij nga Amerika për betejën e çlirimit të Korçës. Këtë fotografi do t’ia dorëzoj Muzeut të Korçës së bashku me dokumenta të tjera të atyre kohëve.

Intervistoi Xhevdet Shehu

Share This Article
12 Comments
  • Më vonë do ta lexoj o Xhota? Qënka shkrim i gjatë dhe për më tepér të komentosh për z. Alfred. Uçi duhet të mendohesh mirë. Kam bërë nja dy biseda me të dhe më ka habitur thellësia e mendimit,kultura e gjërë dhe guximi intelektual? Eshtë tmerrësisht i saktë dhe i vërtetë? Në atë moshë që është të vjen shumë çudi sesi ka mundur të ruajë kujtesën e një njëzetvjeçari!? Tung!

    • N.q.s prof. Alfredi është i mënçur siç thonë shumë veta, atëhere me siguri e ka origjinën nga Hekali Fshati ynë i ka më të mënçurit dhe prof. Alfredi si i tillë nuk duhet të ketë lidhje as me Korçën as me Kolonjën!? Në Hekal e ka burimin çdo mençuri ?

  • O Ton o Nedir!

    A keni lexuar ndonje liber te profesorit? Ne se po, nuk duhet te shkruani keshtu! Po, a e dini se ne Luften ANCL kane marre pjese edhe 14-15 vjecare? Nuk e dini, se perndryshe, nuk do te shkruanit keshtu! Atehere nuk kishte llaptop si sot! Po qe kishte edhe 6 mije vajza partizane, ae dini valle? Partizane them, se balliste nuk kishte asnje! Profesori eshte njeshi ne fushen e tij,akademik i nderuar, i respektuar brenda dhe jashte vendit! Prandaj shkruani me mend ne koke, jo “rroma per toma”.

    • Kot po ja fut ti .Ku pyeste gjermani per partizanet tane qe si kacake shtinin me teper ne ajer.Sa per numrin e femrave ne ushtrine partizane !!!!!????

  • Lion? Ndaj të njëjtat pikpamje e qëndrime me ju? Alfred Uçi ndoqi atë rrugë dhe atë ideal kombëtar që ndoqi dhe gjyshi i tij i madh Petro Nini Luarasi dhe i ati? Familje patriotësh, dijetarësh e luftëtarësh brez pas brezi,ajkë e shqiptarizmit. Kush nuk njeh Prof. Alfred Uçin dhe veprën e tij nuk njeh mirë historinë tonë dhe sidomos historinë e kulturës tonë,nuk njeh patriotizmin e vërtetë shqiptar? Ju duket çudi që ka shkuar 14 vjeç partizan kur unë që nga të afermit e mij mund t’ju rrjeshtoj nja 10-15 partizanë të kësaj moshe? Sa keq që nuk njihet heroizmi i këtyre adoleshentëve nga brezi i sotëm të cilit i mungojnë modelet e heroizmit dhe të sakrificës njerëzore!? Shoqëria jonë postmoniste vuan tmerrësisht nga njohja e historisë së djalërisë shqiptare. Të sotmit kujtojnë se janë po ato modele që ju dha me shumicë fatos nanua dhe sali berisha? Këta nuk e kanë idenë e idealeve të luftës për liri e çlirim shoqëror. Këta kujtojnë se ideal është droga,xhini dhe paraja. Këta kujtojnë se shqiptarët e djeshëm idealistë janë “prerje” e mutativëve nano e sali!? Shqipëria është në rrezik identitar nga ky brez pa traditë e trashegimi,pa modelet qe duhet te ndjekë,pa ideal!? Prof. Alfredin e njoh personalisht. Një njeri me kulturë të jashtëzakonshme,një enciklopedist,studiuesi më i thellë i estetikës që ka pasur dhe ka ky truall dhe ndoshta mbarë trojet shqiptare. Kur kam lexuar para 30-40 vjetësh librin e tij ” Labirinthe të modernizmit” mê ka habitur !!? Nuk e njihja para këtij libri. Por sapo e lexova fillova ta ndjek kudo ku dilte emri i tij? Kudo? Pale më vonë,më ka habitur në cdo gjë? Thashë,-kush nuk njeh Alfred Uçin është i mangët në formimin dhe kulturën e tij në cdo pikëpamje. Ai është sinonim i luftëtarit dhe i enciklopedistit, historia jonë “e pushkës dhe e penës” nuk mund ta gjeje vehten më të mishëruar dhe të trupëzuar se te prof. Alfred Uçi,ky shqiptar e bir shqiptari…!? Xhota (xhevdet shehu) ka meritë të veçantë që sjell këto figura që e bëjnë “Dita-n” njëqind herë ditë! Nderime Lion !

  • @@@ Lion? Ndaj të njëjtat pikpamje e qëndrime me ju? Alfred Uçi ndoqi atë rrugë dhe atë ideal kombëtar që ndoqi dhe gjyshi i tij i madh Petro Nini Luarasi dhe i ati? Familje patriotësh, dijetarësh e luftëtarësh brez pas brezi,ajkë e shqiptarizmit. Kush nuk njeh Prof. Alfred Uçin dhe veprën e tij nuk njeh mirë historinë tonë dhe sidomos historinë e kulturës tonë,nuk njeh patriotizmin e vërtetë shqiptar? Ju duket çudi që ka shkuar 14 vjeç partizan kur unë që nga të afermit e mij mund t’ju rrjeshtoj nja 10-15 partizanë të kësaj moshe? Sa keq që nuk njihet heroizmi i këtyre adoleshentëve nga brezi i sotëm të cilit i mungojnë modelet e heroizmit dhe të sakrificës njerëzore!? Shoqëria jonë postmoniste vuan tmerrësisht nga njohja e historisë së djalërisë shqiptare. Të sotmit kujtojnë se janë po ato modele që ju dha me shumicë fatos nanua dhe sali berisha? Këta nuk e kanë idenë e idealeve të luftës për liri e çlirim shoqëror. Këta kujtojnë se ideal është droga,xhini dhe paraja. Këta kujtojnë se shqiptarët e djeshëm idealistë janë “prerje” e mutativëve nano e sali!? Shqipëria është në rrezik identitar nga ky brez pa traditë e trashegimi,pa modelet qe duhet te ndjekë,pa ideal!? Prof. Alfredin e njoh personalisht. Një njeri me kulturë të jashtëzakonshme,një enciklopedist,studiuesi më i thellë i estetikës që ka pasur dhe ka ky truall dhe ndoshta mbarë trojet shqiptare. Kur kam lexuar para 30-40 vjetësh librin e tij ” Labirinthe të modernizmit” mê ka habitur !!? Nuk e njihja para këtij libri. Por sapo e lexova fillova ta ndjek kudo ku dilte emri i tij? Kudo? Pale më vonë,më ka habitur në cdo gjë? Thashë,-kush nuk njeh Alfred Uçin është i mangët në formimin dhe kulturën e tij në cdo pikëpamje. Ai është sinonim i luftëtarit dhe i enciklopedistit, historia jonë “e pushkës dhe e penës” nuk mund ta gjeje vehten më të mishëruar dhe të trupëzuar se te prof. Alfred Uçi,ky shqiptar e bir shqiptari…!? Xhota (xhevdet shehu) ka meritë të veçantë që sjell këto figura që e bëjnë “Dita-n” njëqind herë ditë! Nderime Lion !

    • Shumë bukur i kini thënë gjerat për prof. Alfredin , Pëllumb? Profesori meriton cdo fjalë të mirë që ka fjalori i shqipes. Respekte dhe përulje te thella para mendjendriturit Alfred Uçi !!!

      • Alfred Uçi ështê nga Vlora Hekal mor e e e e e e? Shumë përpjetë e ke marë? Mënçuria i ka rrënjët në Vlorë dhe prof. Alfredi është nga Vlora se s’bën!? Vlora ka bërë historinë e trimërisë dhe të mencurisë dhe këtë e gjen te “simboli i dyfekut dhe i penës” siç e quante komentues Pëllumbi profesorin? A tu mbush mendja nashti që është lab profesori ?

  • O hekal jam nga vlora

    Po ça benet kshu , po gjith trimat pse ne vlore kane lindur o tu befsha ?
    Kur nuk jane trima dhe ballista ju vlonjatet i beni nga lushnja ?
    E po ku i moren te tere trimat kta nga vlora ..
    ça beni kshu o ça beni ..

    • O lushnja bukuria? Të mënçurit dhe trimat i kemi ne ,ndërsa juve u kemi lënë ballistët që zëmë rob? Ruajini mirë aty mes kallëmave se kanë frikë re frikë ata? Sa dëgjojnë dyfekun tim në Vlorë e bëjnë në brekë. Prandaj o lushnje vëllai ti kam lënë ti ruaç e ti fshiç kur ndyhen? Edhe një porosi: zërini me hekura dyert e qymezeve se futen atje ata po dëgjuan krisma? A dëgjove o lushnja , o figurë? Jemi komshinj Re komshinj. E ndajmë bashkë çapin e bukës? Thuaju atyre myzeqarëve të kam rixha se prof. Alfred Uçi është nga Vlora dhe ta mbyllim këtë histori. Kini dhe ju myzeqarët trima e të mëncur por ta dish se për të luftuar këtu në vlorë kanë erdhur!? Nuk të mbrojnë dot kallëmat por shkëmbenjtë o lushnja. Aty nuk kini shkëmbenj juve re xhan i vëllait? Hajt të përqafoj e te puth në buzë nën gunë? Tung!

  • A do ta kete shkruar profesor Uruçi ne biografin e vete se qenka takuar ne Korçe me nje oficer te Misionit amerikan me 24 tetor 1944 ?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *