Republikanët fitojnë senatin, vështirësohet presidenca për Obaman

Ornela

Rezultatet e zgjedhjeve të mesmandatit, i japin republikanëve kontrollin e plotë të Kongresit dhe fuqinë për të paralizuar çdo përpjekje të Presidentit Barack Obama gjatë dy viteve të fundit të mandatit të tij.

Me zgjedhjet e të martës Amerika i ka dhënë fund epokës “Obama”. Partia Republikane ka marrë kontrollin e Senatit, që e kishte humbur në vitin 2006. Duke ruajtur shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, republikanët tashmë kanë kontrollin e plotë të Kongresit. Vlerësohet se ata kanë të paktën 52 vende nga 100 që ka kjo dhomë, pas fitoreve në Iowa, Karolinan e Veriut, Alaska, Virxhinia dhe Nju Meksiko. Reince Priebus, kryetar i Komitetit Kombëtar Republikan (RNC), tha në një deklaratë se “populli amerikan ka besuar tek Partia Republikane. Këto zgjedhje kanë qenë një refuzim i politikave të dështuara të Presidentit Obama dhe senatit jofunksional të Harry Reid. Por nuk është koha për të festuar, është koha që qeveria të fillojë të arrijë rezultate dhe të implementojë zgjidhje për sfidat me të cilat po përballet vendi ynë, duke filluar nga ekonomia jonë e çalë”, tha Boehner në një deklaratë. Ai tha se propozimet republikane “ofrojnë një mundësi që Presidenti Obama të fillojë që në dy vitet e fundit të presidencës së tij, të bëjë hapa dypartiake drejt një ekonomie më të fortë”. Demokratët gjithashtu kanë pësuar një humbje psikologjike pas humbjes së guvernatorit në Ilinois, shteti në të cilin Barack Obama ndërtoi karrierën e tij politike.  Republikanët e kanë kthyer fushatën në një referendum mbi Obaman dhe strategjia rezultoi e suksesshme. Ndërkohë, Dhoma e Përfaqësuesve do të mbetet në pushtetin e republikanëve ashtu siç parashikohej nga të gjitha sondazhet zgjedhore. Republikanët kanë përfituar nga rritja e pakënaqësisë në popull ndaj Presidentit Barack Obama për të goditur fortë kandidatët demokratë dhe të mobilizojnë elektoratin konservator. Partia Republikane, e cila aktualisht  kontrollon Dhomën e Përfaqësuesve me 234 vende, sot llogarit 246 vende. Kjo situatë do t’i japë një mundësi më të madhe Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, republikanit John Boehner. Boehner premtoi një epokë të re “zgjidhjesh” përmes kontrollit të arritur nga partia e tij në të dyja dhomat e Kongresit dhe i kërkoi presidentit Barack Obama që të bashkëpunojë me opozitën.

Një qeverisje e vështirë për Obaman

Prej janarit kur Kongresi i ri të fillojë punën Obama do të duhet të kërkojë hapësira për të qeverisur me një Kongres opozitar, i cili do të jetë më i përkushtuar ndaj përgatitjes së presidencialeve 2016-të, sesa të ndihmojnë një president në largim. Fushata për zgjedhjet legjislative të së martës paralizoi jetën politike të SHBA-së përgjatë disa muajve. Disa tema urgjente mbetën pezull në pritje të rezultatit. Ligjvënësit nxituan për të bërë fushatë në distriktet e tyre dhe evituan vendimet që do t’i dëmtonte në momentin që do të rizgjidheshin. Presidenti, person “non grata” për shumë kandidatë të partisë së tij, të cilët as nuk pranuan që ai t’i përfaqësonte në mitingjet e tyre elektorale, u mbyll në Shtëpinë e Bardhë së bashku me ekipin e reduktuar të bashkëpunuesve. Një nga masat e para të Obamas pas zgjedhjeve “mes mandatit”, mund të jetë rimodelimi i ekipit të tij për të përballuar dy vitet e fundit të mandatit, gjatë të cilit nuk do të ketë aftësinë as të ndikojë dhe as të bindë. Pas humbjes së Kongresit në zgjedhjet legjislative të vitit 2006, republikani George W. Bush shkarkoi Sekretarin e Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, emblemën e të gjitha gabimeve të viteve të hershme të administratës, i hoqi të drejtën zëvendës/Presidentit Dick Cheney për marrje vendimesh dhe u përpoq të ndiqte një stil të ri, më të moderuar dhe që favorizonte konsensusin. Tani axhenda e Obamës dhe Kongresit të ri është e mbushur, duke filluar që nga negociatat për të ndalur programin bërthamor të Iranit e deri tek reformimi i sistemin të emigracionit. Hapësira për manovrim është e ngushtë. Që nga janari 2011, kur Partia Republikane u bë parti e shumicës në Dhomën e Përfaqësuesve, në SHBA nuk u miratua asnjë projektligj. Demokratët dominonin në Senat, por vetoja Republikane për çdo nismë të Presidentit paralizoi vendin. Asgjë nuk paralajmëron një zhbllokim të kësaj situate pas zgjedhjeve, por ka dy rrugëdalje që bëjnë të mundur qeverisjen e Presidentit. “Mund të bëjë dy gjëra. E para është që të përdorë fuqinë ekzekutive, fuqinë e presidencës”, thotë Julian Zelizer, historian në Universitetin e Princeton, hetues në laboratorin e ideve në “New America” dhe autor i disa librave për presidencën. Zelizer i referohet përdorimit të dekreteve presidenciale, që nuk kërkojnë aprovimin e Kongresit. Problemi? Do të shtohen polemikat për abuzim me pushtetin. “Është kontroverse dhe jo domosdoshmërish do shtrihet edhe përtej presidencës së tij”, thotë historiani, sepse pasardhësi i tij mund t’i anulojë ato. “Gjëja e dytë që mund të bëjë Presidenti është që të përdorë fuqinë e fjalës”, thotë Zelizer. Pra, talentin e tij prej oratori dhe bindës. “Mund të shpjegojë se cili është problemi me Partinë Republikane dhe pse Partia Demokratike është e mirë dhe mund të krijojë kushte të favorshme për zgjedhjet e ardhshme presidenciale”. Një fushë ku historikisht presidentët kanë ushtruar influencën e tyre në fund të mandatit është politika ndërkombëtare. Përmes sistemit të ndarjes së pushteteve, Kushtetuta e SHBA-së i lidh duart kreut të shtetit në çështjet e brendshme, por ndikimi i tij është më i madh jashtë, ai është komandanti suprem. Dhe komandanti suprem duhet t’u përgjigjet në javët e ardhshme pyetjeve për strategjinë e tij kundër Shtetit Islamik në Irak dhe në Siri dhe nëse fushata ajrore që filloi në gusht, vazhdon të mos korrë fitore të qarta për SHBA-në, padurimi i sektorëve më agresive të Kongresit do të rritet. Irani është një tjetër shqetësim ndërkombëtar për Obaman pas zgjedhjeve. SHBA negocion së bashku me fuqi të tjera një marrëveshje për të penguar që ky vend të prodhojë armët nukleare. Afati është deri më 24 nëntor. Një marrëveshje kjo që do të përcaktojë trashëgiminë e Presidentit në politikën e jashtme. Shtëpia e Bardhë ka lënë të kuptohet se, nëse ka marrëveshje, do ta aplikojë duke anashkaluar Kongresin. Matematika e Senatit do të jetë vendimtare për të ratifikuar dy traktatet e tregtisë së lirë me BE-në dhe 10 vendet e Paqësorit, që sipas Obamës, krijojnë miliona vende pune. Nga ana tjetër është e pamundur, që Obama të gjejë mbështetje në Kongresin e ri për të miratuar një ligj që sistemon miliona emigrantë pa dokumente që jetojnë në SHBA. Nuk e ka arritur në gati 6 vjet qëndrimi në Shtëpinë e Bardhë dhe nëse do ta arrinte në të ardhmen do të ishte një mrekulli. Ai premtoi se do të bënte në fund të verës, por u shty deri pas zgjedhjeve dhe premtoi se do ta miratojë atë para fundit të vitit. Tani është koha! /O.J

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *