Lajmi mbi mbylljen e disa lokaleve të natës nga ana e policisë së kryeqytetit, ku si pjesë e aksionit ka qenë dhe shoqërimi i afro 25 kërcimtareve të huaja, është një ngacmues për fantazinë se si janë sjellë forcat policore me çupërlinat e ardhura nga Lindja, të cilat sigurojnë të ardhura duke shitur kurmin virtualisht. Nëse për një moment, huazojmë shprehjen monumentale të Jozefinës adresuar badigardëve të sallës së Kuvendit: “Kapeni për zhelesh…” (atë pra, deputetin Balla), kërcimtaret duhet të jenë kapur patjetër për breçkash. Kjo, pasi ne ende nuk kemi të tillë policë, që plot mirësjellje t`u jenë drejtuar: “Ju lutemi, lëreni kërcimin, vishuni dhe ejani me ne”. Po dhe nëse do ndodhte kjo, nuk do ia vlente. Me gjithëçfarë ndodh në lokalet e natës, me gjithëçfarë konsumohet aty, me gjithëçfarë njeriu vetëatentatohet në shpirt e moral, jo duke iu larguar kotësisë, por duke e ushqyer më keq atë tek vetja, nëpërmjet argëtimeve të kësollojshme, ia vlen që ato bija bote, të kapen për breçkash; e spektatorët karshi tyre syzgurdulluar, pse jo, për zhelesh!E.H
