Bonot në ekuilibër, nuk ka tepricë të kërkesës

redaktor

Tregu i bonove të thesarit ka gjetur një balancë mes kërkesës dhe ofertës, ndërsa interesat shfaqen të qëndrueshme, me luhatje minimale. Në ankandin e zhvilluar dje në Bankën e Shqipërisë, qeveria arriti të sigurojë shumën e kërkuar prej 11.9 miliardë lekësh, ndërkohë që oferta e tregut për financim kishte të njëjtën vlerë. Bonot me maturim 12 mujor u emetuan me një interes mesatar të ponderuar prej 3.28%, në rritje të lehtë nga niveli 3.25% i ankandit të mëparshëm. Ndërsa bonot me maturim 6-mujor u emetuan me një interes mesatar prej 3.15%, edhe në këtë rast me një rritje shumë të lehtë nga interesi 3.13% i ankandit paraardhës. Në muajt e fundit, teprica e kërkesës për të blerë bono është zbehur, madje, në disa raste qeveria nuk ka arritur të plotësojë të gjithë shumën e kërkuar për financim. Zbehja e kërkesës për titujt e qeverisë përkon edhe me një gjallërim gradual të kreditimit, pas gjysmës së këtij viti. Megjithatë, bonot ngelen instrumenti kryesor për investimin e fondeve në lekë të sistemit bankar dhe, për momentin, ulja e kërkesës për bono nuk ka sjellë luhatje domethënëse në rritje të interesave. Interesat e ulëta të bonove lidhen direkt me dobësinë e kërkesës së sektorit privat në vend. Apatia e kërkesës kushtëzon presione të dobëta mbi inflacionin dhe mbajtjen e çmimit të parasë në nivele të ulëta. Kërkesa e pamjaftueshme për kredi dhe gjendja e mirë e likuditetit të bankave ndihmojnë në transmetimin e politikës monetare lehtësuese, duke mbajtur në nivele të ulëta interesat e depozitave, bonove, por edhe të kredive. Kredimarrësit në lekë që kanë interesa të ndërtuar mbi ecurinë e yield-it të bonove sot paguajnë këste më të ulëta krahasuar me dy apo tre vjet më parë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *