Vetëm pak ditë pas marrjes së detyrës si President i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker u përball me akuzat se ka inkurajuar shmangien e taksave.
Jean Claude Juncker pohoi dje se nuk ka asnjë konflikt interesi për skandalin “LuxLeaks” kur ai ishte kryeministër i Luksemburgut dhe detyrës së tij të tanishme duke shtuar se gjithçka është bërë konform ligjit kombëtar dhe ndërkombëtar.
Presidenti u shfaq papritur përballë mediave pas takimit të përjavshëm të Kolegjit të Komisionerëve për të informuar në lidhje me zbulimet e “LuxLeak”, skandalit për marrëveshjet e Luksemburgut, ku Juncker ishte kryeministër në vitet 1995 dhe 2013, dhe qindra kompanive multinacionale.
Dokumentet e zbuluara nga Konsorciumi Ndërkombëtarë i Gazetarëve Investigativë, hedhin dritë mbi marrëveshjet sekrete fiskale që Luksemburgu ka bërë me pothuajse 340 kompani shumëkombëshe mes viteve 2012 – 2010, mes tyre “Pepsi”, “IKEA”, “AIG”, “Coach”, apo “Deutsche Bank” duke lejuar uljen e taksave në mënyrë drastike. “Në të shkuarën time nuk ka asgjë që të tregojë se kam përkrahur evazionin fiskal”, deklaroi Juncker.
Ai është përgjigjur me vendosmëri kur u pyet nëse do të ishte kandidati i Partisë Popullore Europiane për presidencën e KE-së, nëse liderët do të dinin atë që dinë sot për praktikat fiskale të Luksemburgut. “Nuk ka asnjë konflikt interesi, KE do të fillojë një hetim për shtetin e Luksemburgut”, shtoi Juncker.
Qershorin e kaluar KE ka hapur një hetim të ngjashëm në lidhje me regjimin tatimor që aplikojnë Irlanda, Holanda dhe Luksemburgu për kompanitë “Apple”, “Stabucks” dhe “Fiat”, respektivisht. Juncker ka pohuar se i ka kërkuar komisionerit evropian të çështjeve ekonomike, Pierre Moscovici, të përpunojë një direktivë për taksimin e kompanive dhe që të përfshijë shkëmbimin automatik të informacioneve mbi të ashtuquajturën “rregullat e taksave”. Kjo praktikë është e ligjshme, konfidenciale dhe i lejon kompanitë që t’i kërkojnë paraprakisht administratës së vendit për të ditur se çfarë taksash do të zbatohen.
“Ky sistem i shkëmbimit automatik të informacionit do të thotë se çdo administratë që aplikon këto vendime do të duhet të informojë edhe të tjerët”, shpjegoi Juncker, i cili ka qenë kryeministër i Luksemburgut për 18 vjet. Presidenti i KE-së ka theksuar se “përfitimet fiskale që aplikon Luksemburgu për kompanitë shumëkombëshe i korrespondojnë një praktike të përcaktuar mirë mes shteteve anëtare të BE-së”.
Ai gjithashtu rikujtoi se KE ka deklaruar në disa raste se rregullat dhe përfitimet janë në përputhje me ligjin e Komunitetit, gjithnjë në rast se aplikohen në mënyrë jo diskriminuese për investitorët dhe kompanitë. “Legjislacioni i Luksemburgut bën këtë dhe çdo gjë që është bërë, është bërë në përputhje me rregullat kombëtare dhe ndërkombëtare”, theksoi Juncker.
. / O.J
