Kina dhe SHBA, marrëveshje historike kundër ndryshimeve klimaterike

Ornela

Gjiganti aziatik do të arrijë nivelin maksimal të emetimeve në 2030-ën. SHBA do të reduktojë çlirimin e gazeve serë më 2025, 26 – 28 % më pak në krahasim me vitin 2005.

Kina dhe Shtetet e Bashkuara njoftuan dje një marrëveshje historike për të luftuar ndryshimin e klimës që do të përfshijë reduktime të emetimeve të gazeve serë duke shpresuar që kjo të shërbejë si një shembull në nivel ndërkombëtar.

Nisma e miratuar nga Presidenti kinez, Xi Jinping dhe ai i SHBA-së, Barack Obama, është njoftimi i parë për reduktim të çlirimeve ndotëse nga ana e Kinës. Kina u zotua se nivelet e saj të emetimit do të arrijnë kulmin në vitin 2030 e më pas do të fillojnë reduktimet. Xi tha se në 2030 –ën 20% e energjisë do të prodhohet nga burime të pastra e të rinovueshme.

Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara do të reduktojnë emetimet deri në vitin 2025 me rreth 26 – 28% në krahasim me nivelet e 2005-ës, që është dyfishi i reduktimit të parashikuar midis viteve 2005 dhe 2020. Xi dhe Obama e bënë njoftimin gjatë një interviste përballë gazetarëve, pas dy ditë takimesh në Pekin, ku janë shqyrtuar të gjitha nivelet e marrëdhënieve të tyre.

Kjo marrëveshje për ndryshimet klimatike është rezultati kryesor i prekshëm i bisedimeve dy ditore. Kjo është një marrëveshje historike, siç tha Obama, i cili shtoi se qëllimi i SHBA-së është “ambicioz, por i arritshëm” si dhe është një hap i rëndësishëm në marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Pekinit. Presidenti kinez tha në deklaratën e tij se të dy vendet kanë nisur një model të ri marrëdhëniesh.

Marrëveshja për ndryshimet klimatike, që është negociuar për  muaj me radhë, kërkon të promovojë një pakt në nivel global përpara konferencës për ndryshimet klimatike që do të mbahet në Paris në vitin 2015. “Ajo për të cilën ramë dakord ishte se duhet të sigurohemi që negociatat mbi ndryshimet klimatike globale do të arrijnë të prodhojnë një marrëveshje në Paris”, deklaroi Presidenti kinez, Xi Jinping.

“Ne kemi një përgjegjësi të veçantë për të udhëhequr një përpjekje globale kundër ndryshimeve klimatike”, tha Obama, i cili vuri në dukje se SHBA dhe Kina janë “dy ekonomitë më të mëdha, konsumatorët më të mëdhenj të energjisë dhe çliruesit më të mëdhenj të gazeve serë në botë”.

/O.J

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *