Një veprim të duhur në kohën e duhur e ka cilësuar kreu i Grupit Parlament të Lëvizjes Socialiste për Integrim Petrit Vasili vizitën e kryeministrit Rama në Serbi. Në një intervistë për News 24, Vasili theksoi se nëse nuk do ishte zhvilluar kjo vizitë atëherë marrëdhëniet mes dy shteteve do të kishin mbetur në ngërç.
Në gjykimin tuaj, vizita e kryeministrit Rama i përmirësoi, marrëdhëniet midis Tiranës dhe Beogradit apo i la aty ku ishin?
Vizita ishte shumë mirë që u krye. Do të ishte një dështim i të gjithë hapjes së marrëdhënieve, por edhe mënyrës sesi dy vendet i qasen Evropës, nëse për arsye të ngjarjeve që ndodhën në ndeshjen e famshme të futbollit do të shënonin ndërprerje të procesit dhe komunikimit. Në këtë mënyrë është ç’dramatizuar situata. Kemi hyrë në hullinë e komunikimit politik e diplomatik me gjithë vështirësitë që ky dialog ka, sepse kjo fqinjësi e jona ka shënuar ditët e saj me diell dhe ditët e saj gri. Të tilla ditë kemi pasur edhe me fqinjin tonë, Greqinë. Pra, Ballkani vetë është një gadishull jo fortë i lehtë për t’i administruar marrëdhëniet me njëri-tjetrin, por është e rëndësishme që kjo ndodh dhe krijohet një vijimësi në komunikimin në mënyrë të veçantë me shqiptarët në Luginën e Preshevës. Them vijimësi sepse vetëm pak vite më parë në vitin 2010, kur zëvendëskryeministri Meta vizitoi Luginën e Preshevës. Ishte vizita e parë e një zëvendëskryeministri shqiptar. Tani edhe kryeministri shkon atje. Jemi në rrafshin e krijimit të një vazhdimësie të komunikimit dhe bashkatdhetarët tanë atje, që ndihen tashmë shumë të qetë që dheu mëmë është Shqipëria. Dhe në tërësinë e saj, vizita ishte pozitive, konservoi gjithçka ç’është arritur, pra nuk humbëm terren nga ajo që është arritur, sepse kanë një histori komunikimi marrëdhëniet me Serbinë. Kujtojmë këtu, për rastësi një koleg i partisë sime, z. Haxhinasto ka qenë ambasadori i parë pas luftës.
Kur z. Rama u pyet sot nga gazetarët në konferencën për shtyp në lidhje me kthimin e vizitës që mund të na bëjë homologu i tij serb, ai u shpreh se shpresonte që të ndodhte sigurisht jo pas 68 vitesh, por pas 1 viti. E para, a besoni se kjo do të ndodhë? E dyta, nëse kjo ndodh, atëherë do të kishte një tjetër domethënie për marrëdhëniet Shqipëri – Serbi?
Besoj që Vuçiç të vijë në Tiranë është shumë më normale.
A keni ndonjë informacion se si është pritur nga ndërkombëtarët kjo vizitë? Duke iu referuar këtu edhe tek fokusimi i medias së huaj tek përplasja gjatë konferencës për shtyp…
Në tërësinë e vet, Europa e konsideroi pozitive vizitën dhe një veprim të drejtë. Evitimi i vizitës sigurisht do të kishte qenë e kundërta dhe ç’dramatizoi dhe të ashtuquajturin ‘shkëmbim batutash’. Fjalët incident dhe provokim për mua janë dy fjalë absolutisht të tepruara, janë shkëmbime normale batutash, qoftë atë çfarë Rama tha, qoftë atë çfarë Vuçiç tha dhe çfarë Rama tha përsëri.
Po përsa i përket darkës së përbashkët, a u ç’tensionuan pak gjakrat?
Edhe darka është prova e madhe që politika e dy vendeve të cilat kanë një raport të ri me Evropën, kanë të dyja statusin e vendit kandidat, është e ndryshme. Ne i referohemi realitetit të 68 viteve më parë ndërkohë që ajo nuk ka qenë Serbi por Jugosllavi. Tito ishte President i 6 republikave. Pra realiteti ka qenë i ndryshëm nga ky i sotmi. Ajo ka qenë një Shqipëri nën diktaturën e proletariatit, jo pluraliste. Pra, të gjithë kanë ndryshuar dhe kështu duhet të ndryshojë edhe gjuha e komunikimit dhe ajo politika. Kështu që historia në këtë çështje nuk përsërit veten. Gjithmonë ka gjëra që ngjasojnë por ndërtohen në një kontekst krejt të ri. Kështu që të dyja vendet e kanë zgjedhur orientimin e tyre, Evropën. Edhe sjelljet e tyre në një farë mënyre ecin në këto standarde që quhen standarde evropiane. Në të kundërt do të ishin vende të papranuara në një kontekst evropian, i cili është shumë konservativ në drejtim të mënyrës së të menduarit, sjelljes politike dhe ndërtimit të shtetit dhe të marrëdhënies mes tyre.
