Mide Dumani (Ndregjoni) thirrje publike
Unë që po iu shkruaj jam një nga nënat më fatkeqe të këtij vendi, pasi prej gati një viti jetoj në makthin e zhdukjes së dy fëmijëve të mi, Evës dhe Endrit. Në fund të muajit Janar 2014, me ish bashkëshortin Shkelzen Dumani planifikuam të shisnim apartamentin për të blerë një apartament tjetër. Ndërsa ishim tek noteri, nga bashkëshorti i ishte kërkuar noterit që të hartonte një Deklaratë Noteriale, ku jepej pëlqimi im per marrjen e fëmijeve për të lëvizur jashtë shtetit. Unë nuk kam qenë në dijeni të kësaj deklarate, por gjatë firmosjes së kontratës së shitjes kam firmosur dhe deklaratën, gjithmonë duke menduar, se jam duke firmosur kontratën e shitjes së shtëpise. Pas firmosjes së kontratë , unë do te shkoja tek prindërit e mi, ndërsa bashkëshorti me fëmijet sipas bisedës që patëm do të shkonin në Shkodër.
Ky ishte momenti i fundit i ndarjes me fëmijeët e mi. Të nesërmen i kërkova në telefon, por telefoni dilte i fikur. Kuptova orë pas ore se ish burri im dhe kunati kishin qenë pjesë e mashtrimit për marrjen peng të fëmijëve ë mij në planin e tyre për të shkuar në Siri.

Edhe pse policia u përpoq ta ndalonte në turqi, ne nuk arritëm dot ti mbanim atje pasi u vonuan procedurat e prokurorisë për ta shpallur atë rrëmbim fëmijësh. Unë kam mundur të flas disa herë me ta, kur babi i tyre kthehej nga fronti i luftës, por ata flisnin gjithnjë në prani të njerëzve të armatosur dhe nuk arrinim as të çmalleshim. Ata janë pengje të një lufte pa kuptim për ta.Hera e fundi që kam folur me fëmijët dhe është para 3 muajve.
Eva dhe Endri, 9 dhe 7 vjeç, prej disa ditësh janë pa baba dhe të pasigurtë për jetën e tyre dhe të gjyshes së tyre, që shkoi muaj më vonë pranë tyre për tu qëndruar pranë. Babai i tyre Shkëlzen Dumani, është në të vërtetë shkaku i fatkeqësisë së tyre, por jeta e tyre pas vdekjes së tij, është tani makthi im dhe i gjithë familjes. Eva dhe Endri, janë larg prej meje prej një viti. Aty u ka nderuar dhe emrat nga Eva ne Sara dhe nga Endrit ne Talha.
Unë kam një vit që çdo mëngjes zgjohem pa ata. U palos dhe u hekuros rrobat sikur do vijnë çdo mbrëmje dhe bëj gati librat e shkollës dhe çantën çdo mëngjes. Por ata nuk erdhën kurrë. Tri ditë më parë më njoftuan se babai i tyre është vrarë dhe unë nuk di më se ku janë fëmijët e mi, ku është gjyshja e tyre, e cila me siguri po përballet me një situatë shumë më të rëndë se sa makthi ynë i pafund këtu.

Unë dua që dikush të jetë në krahun tim, në krah të Evës dhe Endrit në këto momente. Unë dua që qeveria ime, e cila nuk e ndali dot çmendurinë e babait të fëmijëve të mi, të ndalë fatin e tyre tragjikë, të ndalë makthin e tyre në mes të një lufte krejt të pakuptueshme për ta.
Ia kërkoj këtë me përulje kryeminstrit të vendit tim, autoriteteve të sigurisë në vend, ambasadave të vendeve mike të Shqipërisë që kanë fuqi të ndikojnë në atë territor dhe çdo shqiptari apo qytetari të botës, që e kupton makthin e një nëne, së cilës i kanë marrë fëmijët për t’i detyruar t’i nënshtrohen fatit të babait të tyre.
Eva dhe Endri janë fëmijët e mi, fëmijë shqiptarë, që kanë këtu shokët dhe shoqet e tyre, kushërinjtë dhe familjen e tyre, shkollën dhe lodrat e tyre. Ata nuk i lidh më asgjë me atë kamp ku i mbajnë të mbyllur, apo me ata njerëz të cilëve iu bashkua babai i tyre. Ata e kanë vendin në shtëpinë e tyre, aty ku kanë lindur dhe janë rritur së bashku me gjyshen e tyre./TEMA
