OKB paralajmëron luftë të plotë në lindje të Ukrainës

redaktor

Kombet e Bashkuara janë shumë të shqetësuara për kthimin e një lufte totale në lindje të Ukrainës, sipas deklaratave të një funksionari të lartë të organizatës pas një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit.

Sekretari i përgjithshëm për Çështjet Politike Jens Andres Toyberg-Frandzen, ka theksuar se mes skenarëve të mundshëm është “një konflikt i ngrirë dhe i vazhdueshëm që do të ruajë “status quo” në juglindje të Ukrainës gjatë muajve të ardhshëm.

Skenari tjetër sipas tij do të ishte një konflikt që zhvillohet në mënyrë sporadike përgjatë muajve, me luftime me intensitet të ulët të ndjekura nga periudha ku armiqësia shtohet. Sipas Frandzen këto skenarë do të jenë një katastrofë për Ukrainën. Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Samantha Power, i ka thënë Këshillit se Rusia flet për paqe, por vazhdon të ndezë luftën në lindje të Ukrainës.

“Ju nuk mund të arrini zgjidhje politike, nëse vetëm njëra anë është e angazhuar për të. Ju nuk mund të zbatoni në mënyrë efektive një plan, me dy palë si rusët dhe separatistët që mbështesin, të cilët vazhdimisht dështojnë të mbajnë fjalën. Ne e kemi parë këtë lojë të Rusisë në Transdniester, Oseti të Jugut, Abkhazi dhe Krime. Prandaj pyetja nuk është: çfarë do të bëjë Rusia në lindje të Ukrainës.

Pyetja është: çfarë do të bëjmë ne, komuniteti ndërkombëtar, për të parandaluar një tjetër konflikt të ngrirë në Evropë, të prodhuar nga Rusia”, ka thënë Poëer. Mbledhja e Këshillit të Sigurimit është thirrur me kërkesë të SHBA-së për të analizuar denoncimet për ndërhyrje ushtarake ruse në lindje të Ukrainës nga NATO dhe OSBE.

OSBE ka vendosur 261 vëzhgues ndërkombëtarë në Ukrainë, 112 në rajonet e lindjes së vendit ku ende është në fuqi armëpushimi i brishtë, i deklaruar në shtator mes rebelëve prorusë dhe ushtrisë ukrainase që prishet në mënyrë të vazhdueshme.

Përballjet janë intensifikuar prej kohësh dhe që të premten ka informacione për hyrjen e mjeteve ushtarake ruse. Ministri rus i Mbrojtjes ka refuzuar këto akuza dhe pohon se janë bërë pa bazë.

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *