Nuk është hera e parë që tregojnë cektësinë e tyre në ngjarje madhore, por komentet që disa media të caktuara po i bëjnë vizitës historike të Ramës në Beograd, është vërtet për t’u mëshiruar (ose ose janë të detyruar të vendosen kundra edhe kur nuk kanë argumente).
Në vizitën e parë të një Kryeministri shqiptar në Beograd, pas 68 vjetësh, ku për herë të parë dhe në mënyrë të qartë u shqiptua fjalia “Kosova e pavarur është realitet i pakthyeshëm”, disa media (kryesisht online) po i japin më shumë rëndësi faktit se në aeroportin e Beogradit mungonte flamuri shqiptar sesa deklaratës së Ramës që e bëri Vuçiçin të djersijë para kamerave.
Ato i kanë veshur vetes një kostum që ndoshta u rri ngushtë në kësi rastesh, dhe kjo gjë kuptohet, pasi shkohet deri në fetishizëm për të gjetur edhe gabimin më të vogël te sjelljet e Ramës kudo ku hedh këmbët. Një përpjekje të tillë bëri edhe Bumçi gjatë kësaj javë në një nga emisionet televizive, dridhej e spërdridhej për të kundërshtuar atë vizitë sa… u bë qesharak.
Për deputetin e PD-së, vizita e Ramës mbetet historike vetëm për faktin se u realizua pas 68 vitesh, por ajo nuk e arriti qëllimin e saj. Sipas Aldos, Kosova është shtet i pavarur dhe ka nënshkruar marrëveshje me Serbinë kështu që Shqipëria s’mund të flasë në emër të saj. “Made in Bumçi” me pak fjalë.
