Trajneri i Kombëtares shqiptare, Gianni de Biasi, po shfaq gjithnjë e më tepër virtytet italiane dhe idetë e tij taktike në skuadrën kuqezi. Mbrëmë ndaj Francës dëshmuam disa skema interesante, madje edhe një rikthim të skemës që solli golin e Hamdi Salihit në Danimarkë para një viti.
Pas barazimit me “Gjelat”, tekniku italian u pyet pse e rreshtoi skuadrën me tre mbrojtës qendre në minutat e fundit të takimit, duke aplikuar një sistem 5-3-2/5-4-1, me afrikimin e Hysajt dhe Agollit nga krahët.
“Me tre qendërmbrojtës dhe me Hysajn e Agollin nga krahët, ishte mënyra për t’u mbrojtur me pesë lojtarë në momentin që kundërshtari do të na sulmonte, duke dalë me një më shumë se ata. Ndërkohë me dy lojtarë përpara mbrojtjes, dy mesfushorë të shpejtë dhe një ‘pykë’ në majë të sulmit mund të krijonim ato shanse që krijuam. Iu kërkova qendërmbrojtësve që të mos iu linin hapësira sulmuesve francezë, një detyrë që e mbuluan pozitivisht. Gabuam vetëm në rastin e pësimit të golit në mënyrë shumë të thjeshtë. Kjo më trishton pa masë, pasi mendoj se skuadra meritonte të fitonte. Këtë e them pasi rastet më të pastra për gol gjatë gjithë ndeshjes i krijuam ne. Në pjesën e parë kemi zhvilluar një ndeshje me personalitet të lartë. Në të dytën administruam mirë rezultatin, por më vjen keq – siç e thashë – vetëm për faktin që pësuam atë lloj goli”, u përgjigj Misteri.
