Panairi i Librit Tirana 2014, juria shpall fituesit

redaktor

Juria e Panairit të Librit Tirana 2014 shpalli fituesit e edicionit të 17-të të tij, mbështetur në propozimet e Shoqatës së Botuesve Shqiptarë.

Juria, e përbërë nga Virgjil Muçi (kryetar), Persida Asllani, Nasi Lera, Alfred Lela dhe Beti Njuma shpallën fituesit si më poshtë me motivacionet përkatëse:

Çmimi i mirënjohjes: Petro Zhejit me motivacionin:

“Për korpusin e jashtëzakonshëm të kryeveprave të letërsisë botërore të sjella nga një sërë autorësh, nga më të mëdhenjtë e të gjitha kohërave e të gjitha vendeve. Për monumentin që i ka ngritur gjuhës shqipe duke e barazngritur në gjuhën e kulturave të qytetërimeve më të mëdha të njerëzimit.”

 Çmimi për përkthyesin më të mirë: Alina Karaulli për librin “Xhejn Er” me motivacionin:

“Për gjuhën dhe ligjërimin e rrjedhshëm me të cilin ka sjellë në gjuhën shqipe një nga veprat më të spikatura dhe themeltare të romanit botëror. Sjellësja në shqip e këtij libri ka dëshmuar se është një pasuese e denjë e një brezi të shquar përkthyesish.”

Çmimi për autorin e vitit: Arben Dedja për librin “Histori ekskatologjike” me motivacionin:

“Për prozën e ngjeshur me detaje pikante, stil tërheqës, gjuhë të rrjdhshme e të pasur, si edhe një rrëfim i jetës së diktaturës përmes një sensiëhollë humori, që i shoqëron personazhet në situatat groteske. Ky libër është një arritje për autorin, por edhe për prozën e shkurtër shqipe.”

Çmimi special “Jeronim De Rada” iu dha autorit Ismail Kadare.

Kryetari i jurisë Virgjil Muçi sqaroi se Shoqata e Botuesve propozoi, ndër të tjera, dhënien e çmimit për ‘Librin më të mirë për fëmijë’, por, nisur nga fakti që kjo kategori këtë vit pati ‘një zbaticë thuajse të plotë’, juria i propozoi Shoqatës dhënien e “Çmimit të Mirënjohjes”.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *