Tokat, kërkohen 28 vjet për 6 zyrtarë, shpëton Kaçaj

Dita

Abuzimi me tjetërsimin e kënetës në bregdet në tokë bujqësore dhe dhënia e tyre tek banorë të ndryshëm në zonën e Kunes në Lezhë, i rrezikon 28,5 vite burgim 7 zyrtarëve të akuzuar, mes tyre 4 punonjës të Kadastrës dhe 2 Topografë. Ndërkohë që ka shpëtuar nga akuzat kryekomunari i Shëngjinit, Salvador Kaçaj, i cili hetohej në gjendje të lirë po për skandalin e tokave me vendim gjykate. Gjithashtu kanë shpëtuar edhe 3 punonjëse vendore të hetuara nga organi i akuzës më herët. Kjo është pretenca e kërkuar nga Prokuroria e Lezhës në Gjykatën e Shkallës së Parë për 6 të pandehurit. Dënimet shkojnë deri në 6 vite burgim, ndërsa një prej tyre do përfitojë edhe nga gjykimi i shkurtuar që kanë kërkuar gjatë procesit dhe do kalojë në shërbim prove. Tre prej të pandehurve kanë qenë me masë arrest në burg, dy arrest shtëpie dhe një detyrim paraqitje.

 

Abuzimet me tokat

Prokuroria e Lezhës kërkon në total dënimin me 28 vjet burg për 6 persona, të akuzuar për “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim dokumentesh”, dosje e dërguar pak muaj më parë në gjykatë dhe hetimet nisën vitin e kaluar. Për Prokurorinë e Lezhës, këta persona janë fajtorë, pasi, nëpërmjet dokumenteve të falsifikuar, kanë shndërruar tokën kënetore në zonën turistike të Kunes, në Shëngjin, në tokë bujqësore dhe ua kanë shpërndarë disa banorëve. “Në dokumente kanë shënuar se këto prona u janë kthyer shumë vite më parë, por nga hetimi rezultoi se dokumentet janë bërë kohët e fundit, pasi në atë zonë nuk ka pasur asnjëherë tokë bujqësore”, thuhet në dosje. Këta banorë, të cilët janë bërë “pronarë” me dokumentet e hartuara nga zyrtarët e Komunës Shëngjin, kanë nisur ta mbushin me inerte për t’i justifikuar si toka bujqësore, ose troje për ndërtim. Këto prona, pasi u janë shpërndarë banorëve, një pjesë u janë shitur të tretëve, duke krijuar në këtë mënyrë një seri shkeljesh ligjore. Nën hetim për këtë abuzim u mor edhe kryekomunari i Shëngjinit, Salvador Kaçaj, por ky i fundit arriti të shpëtonte pasi përgjegjësia i kaloi vartësve në Kadastër dhe Topografëve që kanë aprovuar procedurat. Por nën hetim kanë qenë edhe disa specialistë në Komunë dhe në Qark, që gjithashtu nuk janë gjetur fajtorë në këtë dosje. Të pandehurit akuzohen se kanë bërë shpërndarjen si toka bujqësore duke i regjistruar edhe në ZVRPP në mënyrë të paligjshme, kur ato ishin kënetë. Këto pasuri të regjistruara në mënyrë të kundraligjshme janë regjistruar në parcelat me nr. 14, 47 dhe 12, që i përkasin zonës kadastrale nr.1987. Pas falsifikimeve, dokumenteve dhe tapive u janë vendosur vulat e komunës Shëngjin, që në shumë raste edhe ato janë të falsifikuara, ndërsa më tej janë kryer procedurat edhe në zyrat e Qarkut.

 

Të pandehurit

Nikoll Prelaj është marrë i pandehur si ish-kryetar i fshatit Ishull-Shëngjin në komunën në fjalë dhe për të është ngritur akuza për falsifikim e shpërdorim detyre, duke kërkuar 5 vjet burg, por edhe 6 muaj shtesë për armëmbajtje pa leje. Ndaj tij është dhënë masa arrest në burg nga gjykata. Shan Gërdhati akuzohet për të njëjtat vepra penale dhe janë kërkuar 6 vjet burgim dhe heqje e të drejtës për funksione publike për 3 vjet. Fran Licaj akuzohet se duke qenë shef i sektorit të Kadastrës, ka lejuar këto abuzime dhe u kërkuan 5 vjet burgim për dy akuza, ndërsa gjykata ka dhënë masën arrest me burg. Për Agostin Gjinin, specialist, u kërkuan 6 vjet burgim dhe heqje e të drejtës për funksione. Luigj Paloka, topograf, akuzohet po për lejimin e falsifikimeve dhe u kërkuan 3 vjet burgim, ndërsa është me masë sigurie “arrest shtëpie” dhe Avdi Mali, po topograf, u kërkuan 3 vjet burgim, po për shkak të moshës dhe sëmundjeve u zbut në shërbim prove 2 vjet me kusht, me masë detyrim paraqitje.

 

 

 

 

Pretenca e Prokurorisë Lezhë:

1.Shan Gërdhati, 46 vjeç, 6 vjet burgim. Heqja e të drejtës për të ushtruar funksione publike me 3 vjet

2.Agostin Gjini, 50 vjeç, 6 vjet burgim. Heqja e të drejtës për të ushtruar funksione me 3 vjet

  1. Nikoll Prelaj, 44 vjeç, 5 vjet burgim dhe 6 muaj shtesë për armëmbajtje pa leje

4.Fran Licaj, 57 vjeç, 5 vjet burg. Heqja e të drejtës për të ushtruar funksione me 3 vjet

  1. Luigj Paloka, 62 vjeç, 3 vjet burgim. Heqja e të drejtës për funksione publike me 3 vjet
  2. Avdi Mali, 79 vjeç, 3 vjet burgim, por vendimi të pezullohet duke e vënë në shërbim prove me 2 vjet me kusht

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *