Në gjurmët e Rrapo Dervishit

redaktor

Mavrova është vendlindja e Rrapo Dervishit, këtij biri të denjë të Labërisë, emri i të cilit që në moshën e rinisë u bë i dëgjuar për pikëpamjet, aktivitetin dhe veprimtarinë e tij atdhetare e revolucionare, jo vetëm në rrethin e Vlorës por edhe më gjerë.

Rrapo Dervishi është një nga aktivistët e parë të lëvizjes nacional-çlirimtare. Ende i parritur mirë, tek ai do të spikatnin cilësitë e një luftëtari të zotë, të vendosur, të një labi trim dhe të guximshëm, të zgjuar e me aftësi të rralla organizuese. Për aktivitetin e tij patriotik e revolucionar ai përjashtohet nga shkolla dhe burgoset e torturohet. Në pranverë 1940, ai së bashku me disa shokë të tjerë krijuan grupin komunist në qytetin e Vlorës. Emrin e tij do ta gjeje në listat e fashistëve italianë, si një nga guerrilasit, organizatorët dhe drejtuesit e lëvizjes për çlirimin e Vlorës dhe të gjithë Shqipërisë.

Rrapo Dervishi shumë shpejt, me cilësitë që kishte mblodhi rreth vetes së tij pjesën më të mirë, ajkën e rinisë jo vetëm në Shkollën Tregtare ku ai studionte, por edhe më gjerë në Vlorë e në krahinën e Labërisë, duke qenë në ballë të aksioneve, demonstratave dhe përpjekjeve të banorëve të Vlorës.

Ai ishte: Përgjegjës i njërës nga celulat e para të Partisë Komuniste me anëtarë si Vehbi Hoxha, Reis Xhelilaj, Banush Goxho, Et’hem Gjinushi, Aleko Kosta e Ilo Kosta; kryetar i bërthamës komuniste antifashiste të Shkollës Tregtare, me anëtarë Teli Ndini, Fejzo Bimo e Kristo Papajani; kryetar i komisionit ushtarak me anëtar Vehbi Hoxha, Et’hem Gjinushi,Skënder Velo, Zaho Koka e Neki Imeri; sekretar organizativ i komitetit të rinisë të qarkut të Vlorës, që përfshinte edhe Fierin dhe Mallakastrën me anëtar Kastriot Muço, Neki Imeri, Zyra Radhima dhe Ymer Veshi; bashkëluftëtar i ngushtë i Hysni Kapos, Kadri Hazbiut dhe i shumë emrave të tjerë të dëgjuar për aktivitetin e tyre në qarkun e Vlorës.

Në formacionin luftarak të zonës së parë Operative Vlorë-Gjirokastër ai dallohej dhe shquhej midis shumë kuadrove të tjerë të saj. Aktiviteti i tij në rrethin e Vlorës kishte bërë që ai të fitonte respektin e vlonjatëve, të ishte i mirëpritur, të ndihmohej e strehohej nga shumë familje, të cilat nuk merrnin parasysh rrezikun që mund t’i priste.

 

Midis shumë aktiviteteve e sakrificave të Rrapo Dervishit gjatë periudhës së Luftës po përshkruaj vetëm njërin prej tyre:

Më 17 tetor 1942 ai takohet me katër shokët e tij, luftëtarët e rinj komunistë, Hajredin Bylyshi, Mumin Selami, Bajram Tushi dhe Hiqmet Buzi, dhe bisedojnë për detyrat konkrete në aksionet antifashiste. Në orën 7 të mbrëmjes halla e tij, Dudia, me të riun Shamil Hamzaraj e gjejnë në bazën në lagjen Topana ku ndodhej me katër të rinjtë dhe i jep Rrapo Dervishit një letër që ia dërgonin Liri Gega dhe Hysni Kapua. Letra kërkonte që ai në orën 9 të asaj mbrëmjeje të ishte në shtëpinë e Manush Myftiut. Mbas largimit të tij në mesin e natës të katër të rinjtë, të spiunuar, u rrethuan në befasi nga disa qindra fashist dhe u vranë duke luftuar heroikisht.

Ja si e kujton ai në një intervistë të botuar para disa viteve këtë moment të vështirë e prekës të jetës së tij, ku humbën jetën duke luftuar katër shokët e tij: “…ajo letra e shokut Hysni Kapo si me porosi më tërhoqi e nuk pata fatin të bëhesha si katër shokët, hero i gjallë përjetë…”.

Por ai edhe pse s’pati fatin e heronjve të Topanasë, ishte i vendosur së bashku me shokët të merrte hakun e shokëve që ranë heroikisht, duke mos marrë parasysh rrezikun për jetën. Pasi Vlora u dha lamtumirën e fundit 4 djemve të saj duke u bërë një ceremoni varrimi madhështore, Rrapo Dervishi së bashku edhe me disa nga shokët e tij (Babaçen, Arifin dhe Hiton) bënë një aksion të rrufeshëm, që siç ka shkruar ai, tundi Vlorën. Ata i goditën fashistët në befasi në mes qytetit të Vlorës. Në këtë aksion Rrapo Dervishi plagoset rëndë në këmbë dhe fillimisht strehohet në familjen e Hanko Muços e më pas te Zymbyle Mersini, Azbie Muço e në Çakërrajt. Të gjitha këto familje si dhe njerëzit e tjerë që e ndihmuan me shpejtësi e në fshehtësi të plotë, duke i shpëtuar jetën dhe duke mos e marrë vesh njeri, ishin patriotë, aktivistë, baza të rëndësishme dhe ilegale të lëvizjes nacional-çlirimtare për qytetin e Vlorës.

“Terror në Vlorë,- shkruan në kujtimet e tij Rrapo Dervishi, – rrethim pas rrethimi, kontroll gjithandej, në çdo portë e në çdo cep, kërkonin njësitin, sidomos të plagosurin. Po kë të kapje, aty ishin të gjithë guerilas, burra e gra, të mëdhenj e pionerë”. Rrapo tashmë ishte bërë biri i dashur i Vlorës. Vlonjatët jo vetëm nuk e dorëzonin, por e strehuan, ndihmuan dhe e mjekuan djalin e tyre. Zgjuarësia dhe vendosmëria e njësiteve guerile të Vlorës kishte arritur deri aty sa ato, nuk kishin mbështetje vetëm nga populli qytetit të Vlorës,por edhe nga njerëz që shërbenin e punonin në radhët e forcave italiane që ndodheshin në këtë qytet.

Ja si e përshkruan Rrapo Dervishi momentin e daljes i plagosur nga qyteti i Vlorës:

“… në mëngjes ora 9 më 20 tetor erdhi te porta një veturë, brenda ish marshall Ilo Kosta dhe shoku im komandant i çetës vullnetare luftarake të fshatit tim Mavrovës, trimi me krah Sami Sulo, me ta shkova dhe unë. Kaluam pranë varrit të Avni Rustemit, në fillim të rrugës drejt Kaninës ish post blloku, pranë trarit ishin dy oficerë dhe tre ushtarë. Sa u afruam, doli Ilua me uniformë, ‘me shërbim’ tha italisht, u ngrit trari e na nderuan sikur të isha prefekti. Kështu ua hodhëm fashistëve me tre rrethime e shumë patrulla. Në të ngjitur të rrugës për në Kaninë më pritën tre djem me guna dhe mushka, ishin vëllai Qatip Dervishi dhe kushërinjtë Hasan Hazbiu e Miftar Nexhip Dautaj…”.

 

Plagosja bëri që te Rrapo Dervishi të shtohej edhe më shumë urrejtja ndaj armikut, duke vënë të gjitha forcat e tij në shërbim të Luftës deri në çlirimin e Shqipërisë. Ai është një nga drejtuesit e kësaj Lufte, i cili ditën e shumëpritur të çlirimit të Vlorës, ka dalë dhe e ka përshëndetur popullin e këtij qyteti, partizanët dhe partizanet, djemtë dhe vajzat vlonjate, për kontributin dhe mbështetjen që i dhanë Ushtrisë partizane.

Por edhe pas çlirimit ai ka vazhduar punën me të njëjtin përkushtim, duke u treguar një njeri i palodhur, organizator dhe drejtues i zoti. Atje ku kishte punë më shumë, në ata sektor e rrethe ku gjërat nuk shkonin mirë apo kishte probleme, do të caktohej Rrapo Dervishi, ku me aftësitë e tija organizuese dhe drejtuese punët do të ecnin më përpara.

Në vitin 1949 ai ishte ministër i Ndërtimit dhe kuptohet se çfarë nevojash kishte Shqipëria në këtë fushë. Edhe më pas në detyra të tjera, mendja dhe dora e tij si një nga drejtuesit e lartë të shtetit të asaj kohe, do të ndihej si në ndërtim rrugësh, shkollash, hidrocentrale, parqe e lulishte, bonifikim, tharjen e kënetave e shumë e shumë punë të tjera. Në disa libra të shkruara prej tij shprehet respekti dhe falënderimi për të gjitha ato familje e njerëz që e kanë ndihmuar, strehuar dhe përkrahur gjatë periudhës së Luftës. Në to do të gjesh të përshkruar punën e palodhur të popullit shqiptar, pas çlirimit dhe më pas në të gjitha fushat e jetës, atë mund ta gjesh te jeta, lufta dhe puna e këtij biri të shquar të Labërisë. Me shumë respekt e kënaqësi ai ka shkruar për Labërinë, për shumë fshatra të rrethit të Vlorës, si dhe për vetë qytetin e Vlorës, ku ai që në moshë të vogël filloi aktivitetin e tij revolucionar. Rrapo Dervishi u nda nga jeta vitin e kaluar, por ka për të mbetur i paharruar dhe do të respektohet përjetë.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *