Kreditë e këqija janë një problem që duhet të zgjidhet shpejt dhe për këtë bankat e nivelit të dytë duhet të punojnë me Bankën Qendrore. Presidenti i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Suma Chakrabarti, flet në një intervistë për gazetën “Panorama”. Chakrabarti thotë se ekonomia shqiptare është ngadalësuar së fundmi dhe qeveria ka shumë për të bërë sidomos në dy vitet e ardhshme, sidomos në fushën e taksave dhe reformën për tokën.
“Mendoj që çështja më e madhe, në këndvështrimin tim, mund të lidhet me përmirësimin e klimës së biznesit, për të tërhequr investimet. Qeveria për shumë vite ka ndërmarrë një sërë reformash që e kanë ndihmuar Shqipërinë të përmirësojë pozicionin e saj në raportin e Doing Bussines, por mbeten akoma dhe shumë gjëra të tjera për t’u bërë, sidomos në dy vitet e tjera. Këto mund të lidhen me administrimin e taksave, reformën institucionale, por edhe reformën për tokën, që lidhet me pronësinë. Të gjitha këto janë shumë të rëndësishme dhe kanë impakt në tërheqjen e investitorëve drejt Shqipërisë, por edhe për investitorët brenda saj”, thotë drejtori i BERZH në intervistë.
