Ukraina ishte në fokusin kryesor të mbledhjes së djeshme të Këshillit të Punëve të Jashtme në Bruksel. Këshilli i kërkoi sërish palëve të implementojnë detyrimet, që rrjedhin nga Protokolli dhe Memorandumi i Minskit. Në veçanti, Këshilli bëri thirrje për respektim të armëpushimit, tërheqje të gjithë forcave ilegale dhe pajisjeve ushtarake, si edhe për sigurimin e kufirit Ukrainë-Rusi.
Këshilli deklaroi gjithashtu se, zgjedhjet e 26 tetorit në Ukrainë ishin një hap i rëndësishëm në aspiratat e Ukrainës për konsolidimin e zhvillimit të saj demokratik. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë Federica Mogherini shtoi se: “Ne e bëmë gjithashtu të qartë, se do i kërkojmë qeverisë së re të angazhohet ndaj reformave të brendshme, pasi kjo është thelbësore për të garantuar se mbështetja dhe asistenca e BE-së do të jetë atje. Unë do të kryej një vizitë së shpejti në Kiev, sapo të formohet qeveria e re”.
Pas vlerësimit të situatës në terren, Këshilli i kërkoi Shërbimit të Jashtëm Europian dhe Komisionit të prezantojë një listë shtesë me propozime ku do të figurojnë emra të tjerë, apo subjekte, që janë të angazhuar në politikat aktuale separatiste. Vendimi pritet të finalizohet në fund të muajit nëntor. Aktualisht rreth 119 persona, separatistë por gjithashtu edhe politikanë rusë, oligarkë dhe të afërm të Vladimir Putin janë listuar në listën e zezë të BE-së nëpërmjet ngrirjes së aseteve dhe ndalimit të pajisjes me vizë udhëtimi.
Por, BE duket se nuk synon për momentin të ashpërsojë sanksionet ekonomike. Europianët në këtë stad preferojnë të gjejnë mënyrën e duhur për të bindur Vladimir Putin, të ulet në tavolinën e negocimeve. Të paktën kjo u la të kuptohej edhe nga deklarata e Përfaqësues së Lartë të BE-së në momentin e mbërritjes së saj në Këshill, e cila e vuri theksin tek shpjegimi i sanksioneve, jo si një objektiv në vetvete, duke vlerësuar njëkohësisht rilançimin e mundshëm të dialogut me Rusinë, si pjesë e problemit por edhe e zgjidhjes.
Këshilli, vendosi gjithashtu edhe mbi linçimin në 1 dhjetor të Misionit Konsultativ të BE-së, për Reformën në Sektorin e Sigurisë Civile. Misioni do të fokusohet në këshillimin reformues të sektorit të sigurisë civile në Ukrainë dhe inkuadrimin e aplikimit konkret të këtyre reformave. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së Mogherini së bashku me Ministrin e Punëve të Jashtme të Ukrainës, Pavlo Klimkin nënshkruan gjithashtu statusin e misionit, që do të mundësojë operimin konkret në terren, sipas nevojave në Ukrainë./im.ta/
