Një invalid në krye të grupit të trafikut të armëve

redaktor

Prokuroria er Krimeve të Rënda Tiranë kërkoi masën “arrest me burg” për 8 të arrestuarit e grupit të trafikut të armëve nga Kosova, Shqipëria dhe deri në Greqi dhe Itali. Publikohen detajet e para nga dosja hetimore, ku rrëzohet zyrtarisht pista e trafikut të armatimeve te grupet e xhihadistëve në Siri, ndërsa kreu i grupit është një invalid, pikërisht Sami Mema, i cili nuk e ka një këmbë. Në kërkim janë shpallur edhe 4 persona të tjerë, ndërsa baza e organizatës ishte në Shijak. Goditja u bë pas infiltrimit të një agjenti që blinte armë tek të dyshuarit. Ditën e djeshme, Gjykata e Krimeve të Rënda dha masën për 4 të arrestuarit e parë, përfshi dhe Memën, ndërsa 4 të tjerët do të dalin sot për masë sigurie. Mema dhe 3 të tjerët kundërshtuan akuzat e trafikimit. “Unë jam invalid dhe i varfër, nuk kam lekë për të bërë trafiqe”, tha Mema nga kafazi i hekurt. Kurse gjyqtari Dritan Hallunaj miratoi kërkesën “arrest me burg” për 4 të parët. Alban Mançja, Hergi Buli dhe Shkëlqim Varaku kërkuan të lirohen nga burgu. Për 4 të dyshuarit e tjerë, Çlirim Xhaja, Artan Aruçi, Festim Mema dhe Ervin Xhaja, masat do të zhvillohen mesditën e së martës.

 

Dosja e plotë

Seksioni Kundër Trafiqeve të Paligjshme në Policinë e Tiranës ka qenë i pari që u vu në lëvizje, pas informacioneve se disa persona precedentë kriminal merren me trafik të armëve dhe municione luftarake, nga Kosova dhe Shqipëria, me destinacion Greqinë. Sipas përgjimeve të kryera, i dyshuari Çlirim Xhaja, i dënuar më parë në Greqi për grabitje me armë, pasi siguronte armë zjarri të llojeve të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, i shiste tek persona të ndryshëm në Shqipëri, ose i trafikonte përsëri për jashtë vendit. “Ky person i sillte armët në Shqipëri nga Kosova, kryesisht pistoleta të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm dhe në sasi të mëdha, të cilat fshiheshin në automjete të ndryshme. I dyshuari e kryen veprimtarinë me me dy të tjerë, të cilët thirreshin Çimi dhe Sami, me banim në Shijak dhe Durrës, të moshës rreth 40-45 vjeç”, ka qenë informacioni i siguruar edhe nga përgjimet. Nga hetimet rezultoi se Samiu ishte një invalid me paterica, sepse i mungonte një këmbë. Më tej është zbuluar se grupi kishte anëtarë të tjerë dhe kishin grumbulluar sasi të mëdha armatimi dhe municionesh.

 

Pazaret dhe infiltrimi

“Çmimet për armët varionin 80000 mijë lekë të reja për pistoletë tip “TT”, 40000-50000 mijë lekë për automatik tip “Kallashnikov” të shkurtër dhe të gjatë, 2500 euro pistoleta tip “Glock”, 1500-2000 euro pistoleta tip “Berreta” italiane e kështu me radhë për pistoletat e tjera. Pistoletat shiteshin edhe me silenciator deri në 1200 euro dhe automatikët “skorpions” me 1500-2000 euro”, thuhet në dosje. Më 22 tetor është aprovuar blerja e improvizuar e armëve nga një agjent i infiltruar tek i dyshuari Çlirim Xhaja. Më tej Xhaja ka komunikuar me të dyshuarin Sami Mema dhe Shkëlqim Varaku, me qëllim gjetjen e armëve dhe shitjen e tyre kundrejt fitimit. Gjithashtu edhe komunikime telefonike të vëllait nën hetim, Ervin Xhaja. Më 24 tetor, dy ditë më pas, është bërë edhe blerja e simuluar e 6 armëve luftarake, dy automatikë dhe 4 pistoleta të ndryshme, deri edhe silenciator. Të gjitha këto veprime janë përgjuar”, shkruhet në dosje. Dhe në ditën e blerjes kanë qenë të pranishëm Sami Mema, Shkëlqim Varaku, Çlirim Xhaja, Alban Mançja dhe Hergi Buli. Këto armë iu nënshtruar ekspertimit teknik dhe rezultuan në gjendje të rregullt. Katër të dyshuarit e mësipërm kanë mbajtur kontakte edhe në ditët më vonë me agjentin e infiltruar për trafikim të sasive më të mëdha armatimi.

 

Megatrafiku

Në këtë mënyrë, më 14 nëntor janë takuar në Shijak, te vendi i quajtur “Katër Rrugët”, lokali “Mema”, me të dyshuarit Sami Mema, Shkëlqim Varaku. Ky i fundit ka thirrur në telefon të dyshuarin Artan Aruçi, që ka bërë transportin e armëve nga banesat e Samiut dhe Shkëlqimit me një makinë. Më tej kanë shkuar në Durrës ku janë takuar me dy të tjerët Mançen dhe Bulin e më tej janë kthyer të katërt në Shijak. Aty ka ardhur me një automatik edhe Bardhyl Domi dhe një burrë tjetër me emrin Naim, që ka sjellë automatik “Skorpions” për të shitur me 1400 euro. Sami Mema është ndihmuar edhe nga i biri, Festim Mema, që ka qenë prezent. Në këto momente është ndërhyrë me operacion policor, duke kryer arrestimet e 8 të dyshuarve. Dhe nga ky hetim rezultoi se armët shiteshin në Greqi dhe Itali. Ndërsa u rrëzua pista e trafikimit deri në Sirinë e largët. Akuzat ndaj tyre janë “trafik armësh dhe municioni në bashkëpunim”.

 

Grupi i të arrestuarve:

Sami Mema, 44 vjeç, Shijak, organizator

Çlirim Xhaja, 39 vjeç, Tiranë, organizator

Artan Aruçi, 42 vjeç, Shijak, ndihmës

Alban Mançja, 29 vjeç, Durrës, ndihmës

Hergi Buli, 18 vjeç, Shijak, ndihmës

Festim Mema, 19 vjeç, Shijak, ndihmës

Shkëlqim Varaku, 44 vjeç, Shijak, ndihmës

Ervin Xhaja, 28 vjeç, Tiranë, ndihmës

4 persona të shpallur në kërkim

 

 

 

U sekuestruan si prova:

6 armë zjarri automatike tip kallashnikov
1 pistoletë TT
3 pistoleta tip miniblou
1 automatik tip skorpions me silenciator
5 granata
2 armë gjahu tip shotgan

Fitil zjarrpërcjellës dhe municione

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *