Takimi, Mogherini-Dacic : Serbia të harmonizojë politikën e jashtme me BE-në

redaktor

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Federica Mogherini është takuar për herë të parë dje në Bruksel, që prej marrjes së funksionit të saj, me zv. Kryeministrin e Serbisë njëkohësisht Ministër i Jashtëm, Ivica Dacic.

Në deklaratën e saj të bërë për shtyp, Mogherini theksoi se përgjatë diskutimit me Dacic, u shkëmbyen pikëpamjet mbi progresin e dialogut të thjeshtëzimit Beograd-Prishtinë dhe implementimit të marrëveshjeve përkatëse.

“Shpresoj të shikoj së shpejti rifillimin e dialogut të nivelit të lartë, por BE pret që Beogradi dhe Prishtina të vazhdojnë ndërkohë punën mbi zbatimin”, tha Mogherini.

Ndërkohë bisedimet kanë përfshirë edhe pozicionimin e Serbisë, përballë konfliktit Ukrainë-Rusi dhe mos përkrahjen e sanksioneve, që BE ka vendosur kundër Rusisë.

“Ne, shqyrtuam së bashku progresin në marrëdhëniet BE-Serbi, përfshirë edhe negociatat e aderimit. I përsërita zv. Kryeministrit serb Dacic, pozicionin tonë mbi nevojën për harmonizim progresiv të Serbisë me politikën e jashtme të BE-së”, deklaroi Mogherini.

Bisedimet kanë prekur edhe çështjen e kryesimit të radhës së OSBE-së nga Serbia, duke vlerësuar zgjidhjen e krizës së Ukrainës, sipas principeve themelore të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë.

“Ne diskutuam gjithashtu sfidat e politikës së jashtme me të cilat po përballemi. Isha veçanërisht e interesuar të dëgjoj pikëpamjet e zv. Kryeministrit Dacic në kuadrin e kryesimit të radhës së presidencës serbe të OSBE-së. Ne ramë dakord se kriza në Ukrainë është prioritet kryesor dhe nevojitet të zgjidhet në përputhje me principet fondamentale të OSBE-së”, përfundon deklaratën e saj Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Mogherini./im.ta/

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *