Ishte viti 1942 kur pushtimi italian po arrinte kulmin e tij. Shqiptaret ashtu si edhe dihet kishin filluar lëvizjen e tyre çlirimtare. Rreth fundit të këtij viti lufta e armatosur nisi të merrte përpjesëtime të gjera, ku si faktor katalizues shërbeu Konferenca e Pezës. Ndoshta nuk ishte rastësi, por një njësit i tillë që ishte krijuar kohë më parë në mars te vitit 1942, përdori gjuhën e armëve për të çliruar shumicën e krahinës së Vërçës. Ishte nata e 9-10 dhjetorit 1942 kur njësiti partizan i Vërçës, në bashkëpunim me forcat partizane të Oparit, Gorës dhe Mokrës morën vendimin për të goditur Postën Italiane të Karabinerisë të pozicionuar në fshatin Shënepremte në krahinën e Vërçes të rrethit të Gramshit. Pas këtij sulmi e gjithë zona përreth u shpall Zonë e Lirë dhe e pastruar nga okupatori. Njësiti Partizan i Vërçës i komanduar nga Shyqyri Kardhashi (Ajazi) dhe i përbëre nga 15 vetë fitoi njëkohësisht mirënjohjen e popullit të krahinës si dhe u afirmua në lëvizje, si një njësit patriotik e çlirimtar që luftonte për lirinë e vendit. Nga ana tjetër pas kësaj goditje, duke pasur dhe një reputacion të mirë, pjesëtaret e këtij njësiti filluan bashkëpunimin me forcat partizane të krahinave përreth. Kështu shembulli më tipik do të ishte bashkëpunimi që realizoi ky njësit me formacionet partizane të Korçës, duke marrë pjesë në aksionet e tyre. Konkretisht me çetën e drejtuar nga Teki Kolaneci, Reshit Çollaku, Babe Myslimi, si dhe çetat e katundeve Tërrovë, Llëngë, Vidhan, Moglicë, Ujanik, Vinçan, Lozhan, Vishanj. Goditja që njësiti i Vërçës i bëri postës italiane dhe bashkëpunimi me forcat partizane të Korçës krijoi opinionin e duhur që tashme ky njësit të kryente veprime të koordinuara me formacione të tjera partizane. Dhe për këtë shërbeu lidhja me Komitetin Qarkor të Korçës, të cilën e realizonte një pjesëtar i këtij njësiti i quajtur Skënder Xhelili, i cili pas lufte u shpall dëshmor i atdheut. Por mbeturinat e qarqeve të dallaveraxhinjve do t’i drejtoheshin Enver Hoxhës në vitin 1973 me letër së këtij nuk i takon titulli sepse ka vdekur i fshehur në konakët e Ajazëve. Por ata të mjerë nuk dinin faktin që emri i tij njihej në udhëheqjen e Luftës, të cilët dinin edhe rrethanat e vdekjes.
Pikërisht nëpërmjet Skënder Xhelilit u bë e mundur që ky njësit të afirmohej në Lëvizjen Nacionalçlirimtare.
Forcimi i lidhjeve në popull, njohja dhe bashkërendimi me Komitetin Qarkor të Korçës si dhe rritja e numrit të pjesëtarëve bënë kalimin nga njësit në një formacion më të konsoliduar, të quajtur çeta partizane e Grabovës. Pas krijimit si çetë, aksioni më i madh i saj ishte shpartallimi i postës së Snosmit dhe me pas luftimet në Bulçar të Gramshit me një garnizon fashist të përbërë prej rreth 200 vetë që i shkonte në ndihmë italianëve të rrethuar në postën e Snosmit. Fitorja në aksionin e Snosem-Bulçarit ishte një nga triumfet më të mëdha të forcave partizane gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, ku kontribut të jashtëzakonshëm dha çeta partizane e Grabovës, por edhe çetat e sipërpërmendura. Pak muaj me vonë, saktësisht në tetor të vitit 1943, gjatë një përballje të gabuar mes dy forcave në Qafën e Kurates vritet në pabesi me plumb pas shpine komandanti i çetës së Graboves, Shyqyri Kardhashi (Ajazi). Pas vrasjes së tij nuk doli askush nga pjesëtaret e çetës që të merrte përsipër drejtimin, çka çoi në shpërbërje të saj. Por pjesëtaret e saj nuk e ndalën këtu pjesëmarrjen e gjithsecilit në Lëvizjen e tyre Nacionalçlirimtare. Pjesa me e madhe e tyre u inkuadrua në Batalionet Partizane ”Tomorri” të Riza Kodhelit dhe “Vërçë-Sulove” të Kadri Musajt dhe vazhduan lëvizjen e tyre aktive për çlirimin e vendit deri në fund. Madje Nexhip Xhelili u caktua komandant i batalionit të “Derë mbyllurëve”, i ndihmuar nga File Lemnusha si dhe Murat dhe Dalip Ajazi. Pas përfundimit të luftës në vitin 1944 pjesëtarët e këtij njësiti patën fate të ndryshme. Për arsye banale dy pjesëtarë të këtij njësiti partizan, Murat e Dalip Ajazi në moshën 28-vjeçare u burgosën u torturuan dhe vdiqën në burgun e Elbasanit dhe me pa të drejtë u harruan. Pavarësisht se pas vdekjes, me kthesën e Partisë, morën pafajësi nga ai pushtet i cili i burgosi. Thoma Prifti, dëshmor i atdheut u vra nga kryediversanti Hamit Matjani në rrethana shumë të dyshimta. Padrejtësitë ndaj këtij njësiti vazhduan edhe më tej. Kështu ish komandanti i tij dhe me vonë komandant i çetës së Grabovës Shyqyri Kardhashi, pavarësisht se u vra në përpjekje me një çetë tjetër së cilës më pas nuk i dihet fati, jo që nuk u shpall dëshmor i atdheut, por filluan ta harronin deri sa erdhi një kohë që u venit dhe kujtonin sikur nuk ka ekzistuar si person dhe shumë merita po transferoheshin.
Edhe anëtaret e tjerë të njësitit partizan më pas morën vlerat e tyre, por jo atë çfarë meritonin, siç ishin pjesëtaret e çetës së Grabovës, Skënder Xhelili, Tare Sadiku, Thoma Prifti, Nuri Xhelili, Neshat Haxhillari, Tuni Buzo, për veprimtarinë e tyre gjatë periudhës së luftës deri në dhënien e jetës, u shpallen dëshmorë të atdheut. Ndërsa vëllai i Selmanit, Murat Ajazi dhe djali i xhaxhait, Dalip Ajazi, luftëtarë të orëve të para, u arrestuan në vitin 1946 në kohën e Koçi Xoxes, vdiqën dhe sot nuk iu dihen varret.
Duke lexuar këtë kujtesë normalisht të lindin disa pyetje si, psh, cilat ishin arsyet që i detyruan pjesëtarët e këtij njësiti të hynin në Lëvizjen Nacionalçlirimtare, përse historia u soll me ta duke përdorur kute të ndryshme vlerësimi. Mohimi dhe shtrembërimi i historisë janë shenja të qarta të dekadencës së një kombi, prandaj ka qenë koha gjithmonë që çdo gjë të shkojë në vendin e vet dhe çdokush të marrë meritat e tij. Kësisoj, historia jone ka akoma të vërteta. Është normale ideja se historia nuk mund të preket, por jo histori që nëpërmjet shtrembërimit të së shkuarës dezinformon te ardhmen dhe idenditetin. Pra të tentosh që në mënyra të ndryshme të vësh në vend copëza të rëndësishme të historisë i shërben idesë dhe qëllimit të rilindjes, që në disa aspekte është dhe e domosdoshme. Në këtë 70-vjetor disa gjëra është mirë të vihen në vendin që u takojnë, pa harruar Komandantin.
Shyqyri Ajazi Kardhashi, komandanti trim i Çetës së Vërçës
Shyqyri Kardhashi në kohën e Zogut ishte kryeplak i fshtatit Grabovë, por me pushtimin fashist italian i mbetën në dorë dhe fshatrat Bratil, Grabova Sipër, Shënepremte, Taragjin, Snosem, që të gjithë bashke bëheshin rreth 400 shtëpi.
Pavarësisht se vinte nga një familje e pasur që kishin në pronësi, toka, pyje, livadhe, kullota dhe bagëti, objekte kulti më shumë se çdo familje në të gjithë zonën, në vitet ‘30 e më pas ka qenë në përplasje me bejlerët brenda e jashtë zonës së Vërçës si dhe me njerëzit që ishin të lidhur me qeverinë e Zogut. Shyqyri Ajazi e ka mbrojtur pasurinë e fshatit me pushkë dhe me mend (siç thotë populli). Ka zhvilluar disa gjyqe në vitet ‘30 për kufijtë e zonës në Elbasan dhe i ka fituar. Ka qenë një njeri që i rrinte shumë afër patriotëve Mahmud Xhelili e Kajo Babjeni dhe ka marrë pjesë në luftën e Voskopojës më 1914, atë të Vlorës në vitin 1920 dhe në mbrojtje të Kongresit të Lushnjës.
Gjatë pushtimit italian në zonë filloi kaosi duke i zgjidhur gjërat me vetëgjyqësi persona të veçantë filluan të vrisnin dhe të prisnin, vidhnin bagëti, drithë e produkte të tjera, zaptonin toka dhe ata që i kundërshton i vrisnin. Të gjithë këta terroristë përkraheshin nga posa e karabinierëve që u ngrit në krahinën e Vërçës. Shyqyriu filloi që t’u vinte në ndihmë këtyre familjeve duke i detyruar personat e “fortë” që t’u kthenin gjënë që iu kishin marrë. Në një rast karabinierët erdhën për te arrestuar Shyqyri Ajaz Kardhashin në shtëpi e tij në Grabovën e Poshtme. Ai kishte informata për këtë dhe zuri pritë më përpara me çetën e tij rrëzë malit të Komjanit, tek pronat e familjes dhe e ndali repartin. I çarmatosi, iu mori armatimin, municionin, teshat dhe i ktheu mbrapsht. Ishte mesi i qershorit të vitit 1942, që shënon përplasjen e parë të kësaj çete me pushtuesin italian.
Ky aksion shënon vendosjen e statukos në pjesën më të madhe të fshatrave të krahinës së Vërçës. Ne goditjen e postës së Shënepremtes në ndihmë të çetës vendase të Shyqyri Kardhashi- Ajazi, kanë qenë dhe çeta e Teki Kolanecit, çeta e Tele Baçit nga Mokra, çeta Rrahman Zvarishtit nga Korça. Ky njësit i Vërçës që më vonë u quajt Çeta e Grabovës. Njësiti dhe çeta e Grabovës në vitet e luftës në popull njihej dhe thirrej si çeta e Shyqyri Ajazi-Kardhashi, ndërsa kishte Gaqo Peristerin komisar dhe Skender Xhelilin, ndërhyrës (ose ujdues). Çdo e dhënë tjetër se gjoja kanë qenë persona të tjerë që kanë drejtuar këtë çetë, është një spekulim alarmant i historisë. Shyqyri Ajazi Kardhashi, njeriu trim, që u vra pas shpine, ishte dhe vdiq si një patriot i madh atdhetar shqiptar, pa bindje politike, ndërkohë që nuk vuri re për harxhimin e pasurisë, nisur dhe nga fakti që gjyshi i tij, Nazif efendi Rajesi (Ajazi) si dhe xhaxhai i tij, Çerçiz Rrapo Ajazi, të cilët të dy edhe sot i kanë fotografitë në Muzeun Kombëtar, i pari, patriot e adjutan i Guvernatorit te Libanit i Shqiptarit të Madh Pashko Vasës; dhe i dyti, pjesëtar i çetave patriotike për shpalljen e pavarësisë.
Çetat e Gramshit, Vërçës, Sulovës dhe Tomorricës
Si u krijuan…
Me pushtimin fashist italian më 7 prill 1939 të Shqipërisë dhe me largimin e Mbretit Ahmet Zogu institucionet, sidomos në zonat e thella fshatare, ku banonte pjesa dërrmuese e popullsisë, nuk funksiononin. Në këto kushte lindi nevoja e administrimit të zonave nga persona të dalë nga populli, të cilët krijuan çetat e tyre. Në zonën e Gramshit, Vërçës, Sulovës dhe Tomorricës vepronin dhe komandonin disa çeta e persona.
Çeta e Shyqyri Ajazit Grabovë-Mokër
Çeta e Ali Ymerit Snosem
Çeta e Ali Kokles Nartë-Gramsh
Çeta e Tele Baçit Mokër
Çeta e Teki Kolanecit Gorë-Opar
Çeta e Petrit Shahinit Kodovjat
Çeta e Rrahman Zvarishtit Gorë
Çeta e Kame Braçes Vidhan-Tomorricë
Çeta e Shaban Zerecit Moglicë – Opar
Çeta e Xhemal Llalles Ostenth-Tunjë
Çeta e Halil Hoxhes Tunjë
Çeta e Mestan Ujanikut Tomorricë
Çeta e Xhile Llahos Sulovë
Çeta e Maliq Dusharit Opar-Tomorricë
Çeta e Hasan Moglices Opar

Respekte Shyqo ! Me kenaqe dhe me çudite me keto histori te bukura. Po, nese nuk ke dokumente arkivore, do e kesh te veshtire te mbrosh idet racionale te fillimit te shkrimit. Urime e te fala !