Ish-kandidati për Kryetar të Këshillit Kombëtar të Radio-Televizionit, Mero Baze, i ka dorëzuar disa ditë më parë, dorëheqjen e tij me shkrim , pranë Komisionit Parlamentar të Medies në Kuvendin e Shqipërisë.
“Baze ka dorëzuar dorëheqjen në prag të fillimit të seleksionimit të kandidaturave nga ky Komision, për t’ia paraqitur për votim, parlamentit. Në deklaratën e tij Baze thotë se kjo detyrë bie ndesh me të ardhmen e tij profesionale në fushën e medies”, bën të ditur Lapsi.al.
Për postin e kryetarit të Këshillit të Radio-Televizionit tani ngelen në garë, gazetari Adrian Thano, shkrimtari Artan Mullai, Juristi Kristaq Traja si dhe avokati Andi Kanani. Radio-Televizioni shqiptar është vënë në qendër të kritikave për shkak të degradimit të tij në një medie pa interes publik dhe klientelizmin e tij ndaj medieve të mëdha private, Klan dhe Top Channel.
Rasti i fundit ishte ndeshja e Futbollit, Itali-Shqipëri, të cilën shqiptarët nuk arritën ta shikojnë, për shkak të eskluzivitetit të “Digitalb” mbi trasmetimin i cili qe me probleme në pjesën më të madhe të ndeshjes.
