Në laboratorin ku studentët rrezikojnë jetën

redaktor

Ndryshk, lavaman në të cilin nuk pikon uji, lëndë kimike të skaduara dhe të dala jashtë përdorimit, është pamja e dhomës ku zhvillohet një prej lëndëve kryesore në degën e Kimisë pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Puna e Laboratorit. Erdhi momenti kur situata shfaqej dukshëm rënduar dhe në këtë moment, studentët e kësaj dege morën guximin për të protestuar në lidhje me kushtet e tyre mësimore. U bënë më shumë se një javë që studentët janë përfshirë në protesta dhe sipas tyre gjendja e laboratorëve është jashtë çdo lloj standardi. Njëri prej tyre na thotë se nga mungesat e investimeve po digjen me acid gjatë praktikës dhe askush nuk mban përgjegjësi për ta. Madje një prej studentëve shkon edhe më tej, duke denoncuar komunikimin aspak normal të pedagogëve, ku situata ka degjeneruar deri në thënie: Më mirë pini acid klorhidrik se sa antibiotik.

Në mbështetje të protestës, gjatë kësaj kohe, ka qenë edhe profesori i lëndës “Kimi Organike” pranë këtij fakulteti. Por mbështetja që u ka dhënë studentëve për bojkotin e mësimit, si pasojë e mungesës së mjeteve në laboratorët kimikë dhe rrezikut që ata mbartin për jetën, i ka kushtuar vendin e punës. Bëhet fjalë për pedagogun Sokol Abazi. Prej datës 14, me urdhër të dekanit, ai është i pezulluar. Tani, studentëve, përveç protestave për kushtet laboratorike, iu shtua edhe një tjetër çështje, ajo e rikthimi të profesorit të tyre në punë… Ne kemi siguruar disa foto nga brenda klasave, ku tregohen kushtet e laboratorëve dhe një bisedë me pedagogun Abazi…

Profesor, ditët e fundit kemi parë që studentët e Shkencave të Natyrës, veçanërisht ata të degës së Kimisë, janë ngritur në protestë për kushtet laboratorike në fakultet. Sipas jush cila është gjendja reale e laboratorëve?

Sokol Abazi
Sokol Abazi

Skandaloze, mungojnë kushtet më elementare të sigurisë në punë, s’ka doreza, syze, rërë dhe batanije për të shuar zjarrin, apo as kuti të ndihmës së shpejtë. Punojnë akoma me rrjeta azbesti që është i ndaluar kudo në botë dhe me gaz që dikur bënte kafen gjyshja ime, gjë që është rreptësisht e ndaluar në një laborator kimik. Për më tepër pajisjet dhe qelqurinat që kanë, janë si në kohën e alkimistave.

Sa kohë keni që jepni ju mësim aty dhe pse nuk është vënë dorë deri më tani në to?

Kam 6 vite që jap mësim në atë fakultet. Arsyeja është se na këndojnë gjithmonë këngën që nuk ka fonde kur ndërkohë shihen shpenzime kolosale të panevojshme si lyerje fasadash, viza parkimi apo dhe kamera sigurie 50 milionë lekë të vjetra, kur buxheti i kimikateve dhe mjeteve të konsumit është vetëm 28 milionë lekë. Prioritetet janë vënë komplet gabim dhe tenderët e kimikateve reduktohen gjithmonë.

Në një degë specifike siç është Kimia e cila ka si bazë të rëndësishme laboratorin, sa e nevojshme është ndërhyrja dhe pasja e mjeteve të cilat do t’i shërbenin studentëve?

Mungojnë pajisjet bazë, elementare të një laboratori dhe studentët nuk përgatiten që të njohin pajisjet moderne që ka sot në industri apo në laboratorët e analizës, që kanë institucionet tona shtetërore apo private. Kimia është shkencë praktike dhe pa laboratorë nuk mund të përgatitësh dot kimistë. Punohet me grupe nga 16 veta dhe vetëm 1 ose dy vende pune pajisen me materiale pune.

Sa të rrezikshme janë elementët kimikë që përdoren gjatë punës së laboratorit kur ato nuk janë në cilësinë e duhur?

Disa prej tyre shumë të rrezikshme. Ka lëndë që lëshojnë gaze nervo-paralizuese, si gazi nitror. Ka lëndë që mund të marrin flakë në çdo moment nga flaka apo temperaturat e larta. Ka substanca që janë korrozive si acide dhe baza. Ka substanca që lëshojnë avuj të dëmshëm si dhe nga ato që mund të eksplodojnë. Që do të thotë mjetet e sigurimit teknik si doreza, syze, mjetet shuarjes së zjarrit, kapat ku kryhen reaksionet janë të domosdoshme në çdo seancë.

Ju jeni një ndër të vetmit profesorë që i është bashkuar studentëve. Pse ngurojnë të tjerët që ta bëjnë këtë gjë?

Se kanë frikë. Se askush nuk guxon të ngrejë probleme të tilla se kanë frikë se mos i pushojnë nga puna. Dhe kanë të drejtë pasi për këto gjëra dhe pse mbështeta studentet mua më pushuan nga puna me data 14. Ja pse nuk guxojnë pasi në këtë vend sulltanik drejtuesit bëjnë ç’të duan me punonjësit.

Do ta ndiqni çështjen tuaj në rrugë ligjore?

Patjetër, është gjëja më minimale që duhet të bëj, në respekt të ligjshmërisë së këtij institucioni, pasi dhe dekanit e rektorit ua kam bërë të ditur shkeljen që i kanë bërë rregullores dhe statutit të universitetit. Është skandaloze.

 

 

Protesta

“11 shkeljet, ja çfarë kërkojmë për sigurinë tonë”

Revolta masive që ka përfshirë studentët në pjesën më të madhe të fakulteteve, nuk ka lënë pas as ata që studiojnë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Kauza e tyre, duhet të jetë më serioze, pasi, sipas pretendimit të tyre lidhet drejtpërsëdrejti me jetën e tyre, në orët laboratorike. Është pikërisht, mungesa e një sërë mjeteve dhe infrastrukturës në laboratorët e Fakultetit të Kimisë dhe Biologjisë, për të cilat kërkojnë nga administrata e fakultetit nëpërmjet një peticioni zgjidhjen e menjëhershme të situatës.

10428038_1578585852359944_5288788310651745247_nPeticioni

Në 11 pikat e formuluara të kërkesës së tyre, studentët e FSHN-së kërkojnë që të mos vihet në rrezik jeta e tyre, duke u futur në laboratorë që janë jashtë çdo norme sigurie dhe profesionalizmi. Ata shprehin gjithashtu kërkesën që çdo laborator të ketë mjetet bazike të sigurisë në punë, në përputhje me rregullat e sigurisë në laboratorët kimikë dhe në përputhje me standardet evropiane: batanije, rërë për shuarjen e zjarrit, doreza, syze dhe trajnim për përdorimin e mjeteve. Në pikën 4, kërkojnë vendosjen në çdo laborator të kapave, ku të zhvillohen të gjitha manipulimet kimike që çlirojnë avuj apo tretës të dëmshëm, që të mos dëmtohet jeta dhe shëndeti. Mungesa e investimeve bën që ata të kërkojnë mjetet e nevojshme, në mënyrë që asnjë student të pipëtijë më me gojë, duke rrezikuar përhapjen e sëmundjeve infektive si dhe të hiqet nga përdorimi rrjeta e asbesit (i ndaluar në Evropë). Shqetësimi i radhës është dhe përdorimi i “gazaqeve” në laboratorë ku ka tretës dhe lëndë të tjera djegëse, pasi flaka e “zhveshur” nuk lejohet në asnjë laborator kimik organik. Dhe së fundmi, bashkë me refuzimin e tarifës aktuale, studentët e FSHN-së, kanë firmosur në mënyrë që laboratorët të pajisen me aparatura dhe pajisje bashkëkohore, si ato që kërkon tregu sot dhe jo me mjete që janë përdorur nga alkimistët. “Duam akses në çdo aparaturë moderne që gjendet në fakultet, në mënyrë që të përgatitemi për kërkesat aktuale të tregut dhe laboratorëve, të cilat gjenden sot në Institucionet Shqiptare dhe në Industri”, – e mbyllin peticionin studentët, i cili deri tani është firmosur nga 400 vetë.

 

Share This Article
1 Comment
  • Meqenese Arvizuja jep alternative me SHBA apo me Envrin, dhe duke qene se Enveri ngriti Universitetin, Fakultetet e shkencave ekzakte dhe inxhinierike, ne menyre te vecante te paisur me mjete, kushte aspirimi dhe sigurie, qe keta birbot qe drejtojne sot universitetin i kane haruar fare dhe as u shkon neper mend qe ti krijojne, atehere, duhet qe bashke me perdhosjen e Enverit duhet te perdhosim dhe arsimin publik.

    Ju studente qe nuk u pelqejne kushtet, kerkojuni prinderve te shesin shtepite dhe t’ju cojne ne universitetin e Cilit, se atu e ka shpirtin edhe RILINDJA.

    TURP per popullin qe eshte indiferent dhe nuk lufton qe arsimi publik te ngrihet te pakten sa gjysma e nivelit qe ishter ne kohen e asaj diktature te eger dhe te poshter.

    FYTYRA E NJE SHTETI ESHTE ARSIMI PUBLIK

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *