Fushata elektorale është pasqyra më e qartë e shkallës së pjekurisë së një shoqërie. Kur mungojnë vetëm dy javë nga zgjedhjet parlamentare të 24 shkurtit, fushëbeteja politike italiane është tashmë e kristalizuar në katër pole që luftojnë secila me armët e veta. Në rubrikën e sotme synoj të analizoj dy polet tradicionale (e majta me në krye Bersanin dhe e djathta Berluskoniane), duke ftuar lexuesit të shtunën e ardhshme për fokusin mbi qendrën e Mario Montit dhe lëvizjes krejt origjinale të Beppe Grillo-s.
Pikënisja e analizës nuk mund të anashkalojë ligjin elektoral në fuqi i cili, aprovuar në 2005-ën dhe i etiketuar nga vetë krijuesi (Roberto Calderoli i Lidhjes së Veriut) si i “pështirë”, ka dy aspekte tmerrësisht negative. Nga një anë, duke qënë proporcional rajonal me lista të bllokuara, lejon kryetarin e partisë të emërojë deputetët duke i trajtuar zgjedhësit si idiotë që mund të vendosin vetëm një kryq mbi një simbol plot ngjyra. Nga ana tjetër, mekanizmi pervers i çmimit elektoral për Senatin detyron koalicionet të përqëndrohen vetëm në rajonet e mëdha dhe të diskutueshme (si përshembull Lombardia apo Siçilia). Pra, nësë në Dhomën e Deputetëve kushdo që arrin të fitojë në shkallë kombëtare qoftë me një votë më shumë se kundërshtarët do ketë 55% të deputetëve, në Senat çmimi elektoral është i fraksionuar dhe krijon copëzim të tejskajshëm e si pasojë pamundësi për të krijuar shumica të qëndrueshme.
Sipas sondazheve të shumta që pothuajse përditë zhvillohen në Itali, aleanca e majtë e drejtuar nga Pierluigi Bersani është në avantazh me një diferencë relativisht të thellë (5-8%) mbi kundërshtarin më të afërt, të pavdekshmin Silvio Berlusconi. Me një fushatë elektorale të karakterizuar nga serioziteti, qetësia dhe në përgjithësi tonet e ulëta, Bersani synon të krijojë një imazh qartësisht ndryshe nga epopeja iluzioniste e Don Zhuanit plak. Por e majta italiane vazhdon të vuajë nga të metat e saj tashmë gjenetike. Si gjithmonë grindavecë dhe të përçarë, liderët e Partisë Demokratike kanë filluar parakohe bisedimet mbi ndarjen e një pushteti që akoma nuk kanë fituar. Ndryshe nga fushatat e tjera, kësaj here Bersani është një lider i legjitimuar dyfish (nga Kongresi i PD-së, por edhe nga vota popullore e zgjedhjeve primare të vjeshtës së shkuar). Ky fakt i jep Bersanit argumente të shëndosha për të qetësuar dhe mbajtur nën kontroll skuadrën e tij. Ndjesia, sidoqoftë, është se e majta në tërësi ngurron të çojë motorrin e saj elektoral deri në xhirot maksimale. Taktika e adoptuar (me vetëdije apo jo), është mbrojtja e avantazhit dhe demaskimi i sulmeve dhe premtimeve jehonëplota të palës tjetër.
Pas 8 viteve qeverisjeje (2001-2006 dhe 2008-2011) që çuan Italinë vetëm një hap larg greminës, Berluskoni rikthehet më i vendosur se kurrë për ti kërkuar popullit edhe një mandat tjetër. Me një energji për disa aspekte rinore, 77 vjeçari është i bindur se 18 muaj larg karriges së kryeminisrit kanë mjaftuar për ti rikrijuar virgjërinë politike. Dështimet e njëpasnjëshme që ka koleksionuar si kryeministër ua ka faturuar si përherë të tjerëve: aleatëve tradhëtarë, Gjermanisë kokëkrisur, krizës financiare ndërkombëtare. Mungojnë alienët dhe mozaiku kompletohet.
Dy janë aspektet që habisin analistët për fenomenin Berluskoni. Si është e mundur që konservatorët italianë, prej pothuajse dy dekadash pas shkrirjes së partisë monopolizuese Demokracia Kristiane, vazhdojnë të kapen pas një xhakete të pluhurosur dhe plot me arna si ajo e miliarderit milanez? Por mbi të gjitha, si ka mundësi që buzëqeshja e Silvio-s prej një matrapazi të regjur, bën për vete akoma miliona italianë edhe pasi u vërtetua falimentimi i tij si shtetar? Vota e lirë do japë verdiktin përfundimtar dhe ndoshta qytetarët do shfaqen më të pjekur sesa klasa politike që po i drejton.
*PhD – E Drejta Kushtetuese Italiane dhe Europiane – Verona
