Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha, priti sot në një takim, Ministrin e Shtetit për Çështjet Evropiane në Ministrinë e Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë Michael Roth.
Ministrja Gjosha, theksoi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, janë në nivelin më të lartë, çka pasqyron partneritetin e fortë dhe të qëndrueshëm mes dy vendeve. Bashkëbiseduesit u ndalën tek rëndësia e bashkëpunimit rajonal, për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.
Bashkëbiseduesit, nënvizuan rolin e opozitës në procesin e integrimit, duke shprehur dakordësinë se është e domosdoshme që për axhendën e integrimit të ketë një qasje konsensuale dhe konstruktive për të gjitha palët politike.
“Qeveria dhe opozita duhet të jenë aktive në parlament. Çdo vend demokratik ka nevoje për një qeveri të fortë, por edhe një opozitë të fortë, zëri i së cilës dëgjohet më mirë brenda institucioneve”, tha Ministri Roth.
Ministrja Gjosha u shpreh se qeveria ka ftuar vazhdimisht opozitën të jetë pjesë e reformave dhe do të vijojë ta bëjë një gjë të tillë.
“Axhenda jonë evropiane është mbi axhendat partiake. Ftesat ndaj opozitës nuk kanë munguar dhe ne shpresojmë që opozita të kthehet sa më shpejt në parlament, të jetë pjesë e reformave që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në procesin e integrimit”, tha Ministrja.
