Librat që duam apo librat që na duhen?

redaktor

1. Përgjithësisht, librat nuk janë ndër produktet më të shitshme në Shqipëri. As panairet e librit, si panairi që sapo u mbyll, megjithë sforcot, investimin dhe reklamën, nuk kanë arritur të bëhen si panairet e tjera. Kam përshtypjen se blerësit e librit, ndryshe nga blerësit e produkteve të tjera, nuk nisen aq nga nevoja për to sesa nga kritere sipërfaqësore dhe dytësore. Prandaj ndodh që librat më të shitshëm nuk janë as librat më të mirë, as librat më me vlerë, as librat më të dobishëm. Thjesht janë librat më sensacionalë. Ç’të keqe ka, mund të pyesë dikush? Përderisa shiten, lexuesi i do. Dakord që lexuesi i do. Por a janë këta librat që i duhen lexuesit? A mundet që tregu i librit të funksionojë njëlloj si tregjet e mallrave të tjera? A duhet të ecim drejt lexuesit që u duhet librave që botojmë apo drejt librave që i duhen lexuesit të shoqërisë së sotme?

2. Ajo që ra në sy edhe në panairin e fundit ishte mbizotërimi i librit artistik. Nga kjo pikëpamje, panairi mund të quhej mirëfilli panairi i librit artistik. Shumë, shumë, konkurrenti i librit artistik mund të arrijë të bëhet libri historik apo publicistika politike. Librat shkencorë, një pjesë e të cilëve sitentizojnë investimet e mëdha të dijetarëve në shkencë, teknikë e teknologji, jo vetëm që botohen në tirazhe modeste, por rrijnë të strukur nëpër cepat e vitrinave apo qoshkat e kioskave. Lexuesit e sotëm, sidomos vajzat dhe djemtë e rinj, as që denjojnë tu hedhin sytë. Të gjithë jemi të përpirë nga sensacioni, etja për kuriozitete, kthimet prapa në histori. Por edhe historinë preferojmë ta lexojmë në mënyrë të përciptë. Shumica lexojnë për t’u argëtuar e shuar kuriozitetin, shumë pak ndjejnë nevojën të lexojnë për të mësuar. Ç’është më e keqja, as rinia nuk po e ndjen një nevojë të tillë. Për të mos thënë që mjaft blerës mbeten thjesht blerës dhe nuk bëhen dot lexues. Më e keqja është se me këtë tendencë në botime, por edhe në formimin universitar, kultura kombëtare mbetet e mangët. Kultura letrare dhe artistike është një pjesë e rëndësishme e saj, por jo e tëra. Kultura shkencore, teknike e teknologjike ka mbetur prapa saj dhe kjo duhet të përbëjë një problem për zhvillimin e vendit.

3. Autorët shkruajnë të shiten e të lexohen dhe botuesit botojnë të fitojnë. Të dy palët bashkohen në reklamën, si një mekanizëm që shton lexuesit dhe rrit fitimet. Sepse të dy palët janë në treg. Nën trysninë e botuesve, edhe autorët detyrohen të sillen si operatorë tregu. Sepse nuk kanë rrugë tjetër. Por ata përsëri mbeten në të drejtën e tyre. Autorët disi më pak, ngaqë për ta libri që shkruajnë është një krijesë. Por kjo krijesë për botuesin është thjesht një mall. Ndërsa për shoqërinë libri nuk është as krijesë që trajtohet me dhimbje, as një mall për tu përdorur. Është një aset diturie dhe zhvillimi. Prandaj ajo ka një detyrim më tepër sesa autorët dhe botuesit. Shoqëria duhet të kujdeset që edhe inxhinierët, ndërtuesit, shkencëtarët e rinj, etj. të njihen me arritjet më të fundit të shkencave të tyre. Kjo nuk mund ta bëhet me urdhër, por me politika dhe mbështetje financiare. Kjo mbështetje mund tu ofrohen autorëve, por edhe botuesve. Kjo do të mundësojë që mjaft visare të dijes, të cilët nuk mund të shiten në bazë të mekanizmit të tregut dhe të reklamës, të bëhen pronë e lexuesve, me mbështetjen e shoqërisë. Njerëzit kanë nevojë për libra, edhe si një burim për tu argëtuar dhe relaksuar. Por shoqëria ka nevojë për libra që t’i tregojnë udhën nëpër të cilën duhet të ecë dhe shtigjet që duhet të kalojë. Prandaj ne kemi nevojë jo vetëm librat që duam, por edhe për librat që na duhen. Madje, për këta të fundit ca më tepër.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *