Ka qenë një javë mjaft e ngarkuar kjo për presidentin amerikan, Barak Obama. Reforma e emigracionit, edhe pse e ka rritur popullaritetin e tij në SHBA, e ka vënë në përballë republikanëve, që tashmë dominojnë në Kongres dhe kanë kërcënuar se do ta luftojnë deri në fund. U.S.
Të premten, republikanët ndërmorën një tjetër veprim kundër Obamës, duke ngritur padi ndaj Departamentit të Shëndetësisë, atij të Shërbimeve Njerëzore dhe të Thesarit, për ligjin e sigurimeve shëndetësore të firmosur nga Obama.
Ndërsa po nisej për në Las Vegas, ku pritet të mbajë të dielën një fjalim për të promovuar urdhrin e tij ekzekutiv, Obama zbriti papritur nga helikopteri presidencial pasi kishte harruar telefonin e tij Balckberry…
Të shtunën, në intervistën e përjavshme në radio, Obama pranoi se ishte detyruar të vepronte vetë, pasi kryetari i dhomës së përfaqësuesve në kongres, Xhon Bëhner, kishte deklaruar se nuk do ta lejonte projektligjin të kalonte në votim.
“Ai ligj do të kishte bërë më të sigurt kufirin tonë, e njëkohësisht do t’u jepte emigrantëve të paligjshëm që jetojnë tashmë këtu një rrugë drejt nënshtetësisë kundrejt një gjobe, nëse nisnin të paguanin taksat dhe mbanin radhën. Eskpertë të pavarur kanë thënë se kjo do të rrisë ekonominë tonë dhe do të ulë defiçitin. Nëse republikanët do ta kishin lejuar projektilgjin në votim, sot ai do të ishte ligj. Gjithsesi besoj ende se mënyra më e mirë për ta zgjidhur këtë problem është bashkëpunimi. Por deri sa të ndodhë kjo, unë, si president, kam kompetenca ligjore që të ndërmarr masa, të marra edhe më parë nga president të tjerë, republikanë e demokratë”.
Urdhri i presidentit do të lejojë rreth 5 milionë emigrantë të paligjshëm që të jetojnë dhe punojnë në SHBA. Më të prekurit nga ky ligj sigurisht janë pjestarët e komunitetit hispanik, të cilët ndër vite kanë shfrytëzuar vijën e gjatë kufitare mes SHBA-së dhe Meksikës për të kaluar në “tokën e premtuar”. Presidenti meksikan, Enrike Penja Nieto, e vlerësoi së tepërmi vendimin e Obamës, duke i quajtur masat më të rëndësishme të ndërmarra pas disa dekadash. Sipas Nietos, më në fund po bëhet drejtësi dhe po njihet kontributi i miliona meksikanëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në total numërohen 11 milionë emigrantë të paligjshëm në SHBA që vijnë nga Meksika dhe Amerika Qendrore.
