Letër e nënshkruar,
Pëllumb Meçani
Sot është dita që kurorëzon atë që televizionet kryesore për mbi një muaj, kanë përcjellë nëpërmjet spotit të PD. Për nga natyra se si po u serviret kjo protestë, me siguri që bëhet fjalë për një “apokalips” berishian. Ka 15 muaj që çdo shesh, shtëpi apo institucion, për propagandën e PD-së është një varr për shqiptarët. Dhe së fundi erdhi një spot që nuk i mungon asgjë një realiteti të trukuar.Prania e fatkeqëve të rremë, i atyre që Edi Rama po i “var në litar” për ditë; i atyre që thonë se nga qeverisja socialiste “iu është mërzitur jeta”; dhe më keq akoma, thirrjet e atyre që bëjnë fjalë për një “vetflijim kolektiv”.
Për dikë që nuk e sheh këtë realitet të trukuar, doemos lind dyshimi se për cilin vend bëhet fjalë. Publiku i njeh militantët partiakë të Lul Bashës kudo ku vete nëpër Shqipëri. E kupton se “qaravitjet” para ekranit i bëjnë në bazë të një teksti të mësuar përmëndësh. Sot shqiptarët kanë fatin e keq të kenë një opozitë që e ka të nevojshme dezinfektimin e vetvetes. Ata besojnë ende se ne po konkuronim ekonomikisht Gjermaninë. Atyre pak u intereson në se është rritur ose jo çmimi i energjisë. As nëse janë pakësuar taksat. Pak u intereson çlirimi i territoreve publike. Madje pak u intereson edhe varfëria e njerëzve. Nevoja për radikalizëm dhe forcë, atij i duhet më shumë kundër kundërshtarëve të tij brenda PD-së.
