Dështojnë bisedimet për programin bërthamor të Iranit

redaktor

Afati i fundit për arritjen e një marrëveshjeje mes fuqive perëndimore dhe Iranit për armët bërthamore skadon sot dhe palët mund të mos bien dakord. Negociatorët iranianë e kanë konsideruar të pamundur nënshkrimin e një marrëveshje për shkak të “mungesës së kohës dhe të kompleksitetit të çështjeve që duhen të diskutohen” edhe pse nuk përjashtohet zgjatja e periudhës së negociatave.

Ministrat e jashtëm të fuqive botërore u mblodhën mbrëmjen e djeshme në Vjenë për të arritur një marrëveshje para afatit. Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Rusia dhe Kina, (grupi 5 + 1), filloi të martën raundin përfundimtar të negociatave me Iranin për të arritur një marrëveshje përfundimtare mbi programin e tij bërthamor.

Në lojë është heqja e sanksioneve për Republikën Islamike në këmbim të një uljeje të ndjeshme të zhvillimit bërthamor dhe të ofrimit të informacionit pa kufizime për programin në fjalë. Grupi 5 + 1 kërkon që Irani të reduktojë kapacitetin e tij për rafinimin e uraniumit, gjë që vështirëson prodhimin e materialeve të zbërthyeshme të përdorura për bombat, në rast se duan t’i prodhojnë.

Teherani ka deklaruar se do të përdorë uraniumin për të prodhuar karburantin për centralet bërthamore, që është një e drejtë sovrane. Dje, Sekretari i Shtetit, John Kerry, pranoi se ka ende një rrugë të gjatë për bisedime dhe negociatorët iranianë kanë thënë se nuk ekziston një draft fillestar që të kënaq të dyja palët.

“Jemi duke u përpjekur që të arrijmë një marrëveshje në aspektet më të përgjithshme të marrëveshjes: nivelet e pasurimit të uraniumit, numri i centrifugave, kalendari i ngjarjeve, mënyrën për të hequr sanksionet, aktivitetet e centraleve Fordoë dhe Arak, etj..”, deklaroi një burim i ekipit të negocimit të Iranit në agjencinë gjysmë-zyrtare ISNA. Sipas negociatorëve mund të arrihet një marrëveshje politike mbi parime të përgjithshme, por në asnjë mënyrë nuk pritet një marrëveshje e plotë për programin bërthamor të Iranit, për të cilën shpresonte komuniteti ndërkombëtar.

Megjithatë, është ende mbi tryezë opsioni i zgjerimit të ashtuquajturës “Marrëveshja e Gjenevës” që bërë në nëntor, 2013-të. Raportohet se Irani po merr në konsideratë zgjatjen e bisedimeve për një periudhë deri në një vit.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *